E Diel, 1 Nëntor 2026

Blushi në Korçë: Ps, kërkon votën, për të shpëtuar fshatin nga nga varfëria

Kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste të qarkut të Korçës, Ben Blushi dhe Arben Ahmetaj janë takuar banorët e fshatit Menkulas. Ata kanë vënë në dukje problemet e shumta që ka fshati në ditët e sotme. Ne kërkojmë vota sepse duam që pas fitores tonë të ulim koston e prodhimit, ka theksuar Blushi gjatë takimit, duke shtuar se PS do të  krijojë një ministri të veçantë për fshatin sepse sipas tij, kjo qeveri e sotme e ka harruar fshatin. Blushi ka premtuar se me fitoren në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, Partia Socialiste do ti kushtojë një vëmendje të veçantë zonave rurale dhe se në programin e saj e ka të detajuar mirë se si do ta arrijë zhvillimin e vazhdueshëm nëpër fshatra. Kjo, sipas tij do të bëhet e mundur përmes një politike nxitëse e stimuluese për bujqit, si dhe infrastrukturës së nevojshme për nxjerrjen e produkteve të tyre në treg. gjatë takimit me banorët, Blushi ka vërejtur se problemi kryesor jo vetëm për korçarët por për gjithë shqiptarët është varfëria, e ardhur kryesisht nga papunësia. Problemi që ka sot gjithë Shqipëria është varfëria, është pamundësia që kanë sot shqiptarët për të patur një jetë dinjitoze. Sot në qoftë se ka  një plagë të madhe gjithë Shqipëria veçanërisht është fakti që të rinjtë dhe të rejat largohen. Ju e dini më mirë se sa unë pse largohen. Largohen sepse qeveria për fat të keq, që nuk mendon për të garantuar punë, nuk mendon për të garantuar pronën, nuk mendon për të garantuar një jetë dinjitoze në fshat ose në qytet, ka veçuar Blushi, sipas të cilit të rinjtë po largohen për të punuar tokat në Greqi, duke lënë pa punuar tokat e tyre, edhe pse i kanë trashëgim nga gjyshërit dhe baballarët. Nëse ka një krim kombëtar që është bërë në këto 2-3 vitet e fundit me fshatin është fakti që qeveria e ka braktisur fshatin duke e ndarë fermerin nga fshati. Prej gati 200-300 vjetësh, asnjë qeveri nuk ia ka arritur dot ta ndajë dot fermerin nga fshati. Këtë ia arriti për 2-3 vjet qeveria e Sali Berishës, ka vijuar Blushi, duke shtuar se fshati shqiptar është më i braktisur se kurrë në këto 20 vjet. Blushi ka siguruar banorët e fshatit të Menkulas se PS ka vendosur tu kërkojë votën për të shpëtuar fshatin nga varfëria.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›