Mujota: Shqipëria shembull frymëzimi për vendet e rajonit
Kosova është shteti më i ri i rajonit dhe si i tillë, institucionet e larta mbeten ende të mbikëqyrura nga faktori ndërkombëtar. Por paralelisht me zhvillimet, Kosova e ka krijuar Ministrinë e Forcës së Sigurisë. Për herë të parë, Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota, jep detaje të mënyrës se si do të funksionojë kjo ministri, sa të sigurt janë kufijtë e rajonit dhe çfarë është bërë për demilitarizimin e asaj që në vite është njohur si Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Për qartësinë e gjithë opinionit shqiptar, dhe të gjithë atyre që na ndjekin në këtë intervistë, çështja e sigurisë së kufijve dhe sigurisë në përgjithësi për Kosovën, është përgjegjësi e NATO-s, ndërsa kapacitet e sigurisë së Kosovës, janë në ngritje e sipër. Deri në shtator presim kapacitet operacionale, jemi në rrugë të sigurt dhe rrugë të mbarë që me sukses të përmbushim obligimet kombëtare dhe ndërkombëtare, të brendshme dhe ato të jashtme, për të arritur një standard, të cilin e dëshirojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, në të mirë të paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe në Rajon, shprehet Mujota. Sipas tij, ndryshimet e mëdha, që kanë ndodhur në Rajon, pas hyrjes së Shqipërisë dhe Kroacisë me të drejta të plota në NATO, e kanë rritur edhe më shumë perspektivën e integrimit të shpejtë të Kosovës, në strukturat euroatlantike. Jemi shumë të bindur se tani përkrah Shqipërisë me të drejta dhe përgjegjësi të plota në NATO, me klimën gjithnjë e në rritje në kuptimin pozitiv të bashkëpunimeve në Rajon, Kosova do ta ketë rrugën e integrimit më të lehtë, se sa të gjitha vendet e tjera që kaluan gjithato procedura për të cilat folëm me të drejtë, thotë më tej ai. Por ministri Mujota, është koshient se Kosova ka ende rrugë për të bërë deri tek ai moment, ndërsa përmend se njohja e pavarësisë së Kosovës nga 60 vende të fuqishme shumë shpejt do të japë efektet dhe tek vendi fqinj, Serbia.