E Diel, 1 Nëntor 2026

Minoritarët paralajmërojnë Berishën se nuk mund të përçajë minoritetin grek

Dule: Barka dhe Ksera, spiunë  që përgjojnë takimet elektorale të PBDNJ dhe Omonia për të pushuar njerëzit nga puna
Kreu i Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule ka gjetur Gjirokastrën, ti dërgojë një mesazh të qartë kreut të maxhorancës aktuale qeverisëse dhe liderit të PD Sali Berisha, se nuk do të mund të përçajë minoritetin etnik grek. Lëvizjet e fundit të Berishës, janë përkthyer nga Dule, me tendenca të qarta diversioniste duke vendosur në lista për deputetë dy prej ish figurave të PBDNJ dhe Omonia në qarqet e Vlorës dhe Gjirokastrës. Zoti Dule ka gjetur rastin që ti kërkojë ndjesë anëtarësisë së thjeshtë për vendosjen në krye të Prefekturës së Gjirokastrës për katër vjet të Spiro Kserës dhe në krye të dikasterit të Punës dhe Çështjeve sociale të Kosta Barkës, pasi siç tha vetë ai, ishin zgjedhjet e tij personale të këtyre dy personave ndaj dhe është përgjegjësi e tij. Më vjen keq për këtë që ndodhi sepse ishin zgjedhjet e mija personale të këtyre personave, të cilët janë kullauzë që përgjojnë se kush do të vijë në takimet elektorale të PBDNJ dhe Omonia për të gjetur më pas shkak që ti shkarkojnë nga vendet e punës. Ndëshkimi për këta lloj personash është vota kundër tyre më 28 qershor, është shprehur Dule, duke mos fshehur tone të ashpra në drejtim të separatistëve të PBDNJ dhe Omonia. Zoti Dule, këto deklarata i ka bërë gjatë çeljes zyrtare të fushatës së PBDNJ në Qarkun e Gjirokastrës ku do të konkurrojë në krye të listës vetë ai, si dhe Kristostom Kamberi, një prej figurave intelektuale dhe që gëzon respekt në radhët e popullsisë së qytetit të Gjirokastrës dhe më gjerë. Në takimin e djeshëm në Gjirokastër, ka qenë prezent edhe kryetari i Omonia Vasil Bollano i cili edhe ai si Dule, ka kërkuar nga elektorati i thjeshtë i PBDNJ dhe Omonia të distancohen nga Spiro Ksera dhe Kosta Barka pasi sipas tij, ata nuk janë përfaqësues të elektoratit të respektuar të këtyre dy organizmave. Zoti Dule, është shprehur i sigurt në fitoren e koalicionit të majtë në zgjedhjet e 28 qershorit, pjesë e të cilit është edhe partia që ai drejton.
Sherri tek minoritarët, Barka dhe Ksera në PD
Nënshkrimi i marrëveshjes elektorale të kreut të PBDNJ me Partinë Socialiste ka sjellë mospëlqime brenda PBDNJ, të cilat kanë bërë të qartë kundërshtimin e tyre ndaj kësaj aleance para dhe paselektorale me socialistët. Gjithashtu, kjo marrëveshje ka sjellë edhe përçarjen mes organizatës Omonia dhe PBDNJ-së. Kryetari i Omonia dhe i PBDNJ për Gjirokastrën, Spiro Ksera ka paraqitur dorëheqjen e tij nga kandidimi për deputet, nën siglën e PBDNJ. Vendimi i tij duket se është marrë i diktuar nga zhvillimet e ndodhura në gjirin e PBDNJ dhe Omonia. Si kryetar i Omonia dhe PBDNJ për Gjirokastrën, Spiro Ksera ka mbledhur kryetarët e grupseksioneve të komunave minoritare si dhe të zgjedhurit në njësitë vendore duke i njohur ata me vendimin e dorëheqjes nga kandidimi. Ksera, fill pas këtij takimi, ka denoncuar vendimin e lidershipit të PBDNJ, i cili sipas tij ka qenë absurd për daljen në një koalicion të vetëm me forcat e majta politike. Sipas tij, nuk është marrë në konsideratë vendimi unanim i Omonia, që kjo forcë politike të dilte e vetme në zgjedhjet parlamentare, duke parë se kjo organizatë ka mbështetje të gjerë në qarqet e Gjirokastrës dhe Vlorës. Prefekti i Gjirokastrës gjatë deklarimit të tij, është shprehur indirekt se do të kandidojë për deputet në listën e një subjekti tjetër politik nëse kjo sipas tij do të kërkohet nga strukturat e bazës së Omonias në Gjirokastër. Prefekti i Gjirokastrës, nuk ka fshehur opinionin e tij pozitiv për bashkëpunimin me PD gjatë katër viteve të fundit në qeverisje duke e quajtur të suksesshëm pasi sipas tij janë gjetur hapësira të duhura qoftë në investimet e shumta në infrastrukturën në zonën e minoritetit, si dhe në investimin intelektual. Por surpriza për pozicionimin e tij në partitë garuese në zgjedhjet e 28 qershorit nuk ka zgjatur shumë, pasi ka qenë vetë Kryeministri Berisha, njëkohësisht dhe kryetar i PD, ai që ka bërë të ditur gjatë shpalljes së emrave të kandidatëve për deputetë se Spiro Ksera dhe Kosta Barka do të kandidojnë nën siglën e PD. Spira Ksera do të kandidojë për deputet në Gjirokastër, ndërsa Kosta Barka në Vlorë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›