Blushi ne Opinion komenton perjashtimin e Islamit
Deputeti i Partisë Socialiste dhe anëtar i kryesisë së saj, Ben Blushi, ka deklaruar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, transmetuar në televizionin Klan, se nëse do të duhej të përjashtohej dikush nga kjo forcë politike, ai do të ishte i pari. Zoti Blushi tha se ai ka dhënë shumë arsye për të marrë masën më radikale, ndërkohë që Kastriot Islami pagoi çmimin e të gjithë të tjerëve, që guxuan të ngrenë krye në PS.
Përballë një paneli gazetarësh, Ben Blushi i është përgjigjur pyetjeve edhe mbi strategjinë, që do të ndjekë Partia Socialiste në zgjedhjet e ardhshme politike. Ai nuk ka hedhur poshtë një bashkëpunim të mundshëm me partinë që pritet të krijohet nga presidenti, Bamir Topi, apo dhe Aleancën Kuq e Zi, të Kreshnik Spahiut.
Zoti Blushi, ka lënë të kuptohet se nëse Partia Socialiste do të humbë zgjedhjet parlamentare të 2013-ës, atëherë kryetari i saj, Edi Rama, do të duhet të japë dorëheqjen.
Zyrtari i lartë socialist, ka mbrojtur në emisionin “Opinion” programin politik të Partisë Socialiste, i cili aktualisht po diskutohet. Sipas tij, në 2013 zgjedhësit do të votojë më shumë për programet se sa për partitë.