E Diel, 1 Nëntor 2026

Udhëzimi i KE: Kushtet që nuk plotësoi Shqipëria për të lëvizur pa vizaNga TemaUdhëzimi i Komisionit Evropian, dërguar autoriteteve shqiptare, ku parashikohen hapat që duhen ndërmarrë për të siguruar udhëtim pa viza për shqiptarët, dukshëm thekson se

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Udhëzimi i KE: Kushtet që nuk plotësoi Shqipëria për të lëvizur pa vizaNga Tema

Udhëzimi i Komisionit Evropian, dërguar autoriteteve shqiptare, ku parashikohen hapat që duhen ndërmarrë për të siguruar udhëtim pa viza për shqiptarët, dukshëm thekson se vendi duhet të luftojë krimin e organizuar, trafiqet e korrupsionin për të përfituar nga vendimi.

Një ditë pasi dy komisionarë të KE shpallën se tri vende të rajonit do të përfitojnë nga lëvizja pa viza, një debat i fortë ka përfshirë të gjithë rajonin. Media të ndryshme thonë se vendimi mund të jetë i dëmshëm për vendet e rajonit. Analistë të këtyre çështjeve kanë sugjeruar madje që Shqipëria, Bosnja e Kosova të vendosen në listën e bardhë, çka nënkupton se ata e kanë marrë liberalizimin e vizave, por kjo do të arrihet, vetëm kur të plotësohen kushtet. Duke iu trembur lëvizjeve dhe qëndrimeve radikale, analistët si gjithmonë kanë nxituar të bëjnë të tilla parashikime. Por zyrtarët e BE kanë qenë të prerë. Sapo të plotësohen kushtet, vendet do të lëvizin pa viza. Kështu, Shqipëria do të jetë sërish në listën e zezë të vendeve që do jenë të detyruara të marrin pasaportë.

Zyrtarët shqiptarë nuk janë treguar asnjëherë të sinqertë e konkretë me ne, kur bëhet fjalë për kushtet që duhej të plotësonte Shqipëria. Mbi 50 të tilla kanë qenë për secilin shtet. Nëse në këtë vend do kishte transparencë, shtetarët tanë do tregonin se sa nga këto kushte kemi plotësuar, e sa jo. Por nuk kanë preferuar ta bëjnë kurrë një gjë të tillë. Dje, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, tha me krenari se në tri-katër kritere jemi përpara fqinjëve që kanë marrë viza.

Gazeta “TemA” po zbardh disa nga kriteret teknike ku mendohet se Shqipëria ka ngelur në klasë.

Në kërkesat për Shqipërinë, në bllokun e parë kërkohet që vendi ynë të ketë dokumente të sigurta identifikimi, lehtësisht të verifikueshme, por dhe një sistem që mban gjithmonë nën kontroll këto dokumente, raporton për humbjen e tyre apo për probleme të tjera. Deri më tani të paktë janë qytetarët që kanë marrë pasaporta biometrike, por mundet që ky kriter të plotësohet pa shumë probleme.

Megjithatë, dhe në këtë drejtim duket se do ketë sërish probleme. Të gjithë jemi dëshmitarë të paaftësisë së qeverisë për të qartësuar se sa shqiptarë që nuk kanë pasaportë ndodhen jashtë vendit, e sa të tillë ndodhen këtu. Kjo paaftësi e qeverisë për të identifikuar qytetarët e saj, kujtojmë se bëhet fjalë për qindra-mijëra, duket se do jetë një problem.

Në bllokun e dytë kërkohet një menaxhim sa më i mirë i kufijve. Qeveria mburret se në këtë drejtim ka shumë arritje, por një raport i para disa ditëve tregonte se kalimet më të shumta ilegale të kufijve të BE ndodhin mes Shqipërisë dhe Greqisë, madje një e katërta e këtyre thyerjeve për BE janë pikërisht në këta kufij.

Por, një tjetër frikë e madhe e BE është se sa do ishte numri i shqiptarëve që do të mësynin Perëndimin për të mos u kthyer, në rast se do kishin mundësi të lëviznin pa viza.

“Shqipëria duhet të aplikojë një mekanizëm për të monitoruar fluksin e emigracionit, duke përcaktuar rregullisht një profil të migrimit për Shqipërinë, si të atij legal dhe të atij ilegal, duke ngritur një strukturë të posaçme për këtë gjë”, - thuhet në planin me kërkesa të BE.

Deri më tani nuk dihet se çfarë përfundimesh kanë nxjerrë zyrtarët shqiptarë për këtë çështje, por dihet se një sondazh i Gallup, për llogari të KE tregon se, edhe pse çdo shqiptar e ka një njeri të familjes jashtë vendit, sërish një e treta e tyre do largoheshin për të jetuar jashtë vendit, nëse do u jepej mundësia.

Vendi ynë ka marrë notë negative edhe për sa i përket krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Shqipëria duhet të adoptojë dhe më pas të zbatojë një strategji për të luftuar krimin e organizuar, të hartojë dhe më pas të implementojë një strategji për të luftuar trafikun e qenieve njerëzore, të zbatojë strategjitë për luftën ndaj pastrimit të parave, të zbatojë strategjinë për luftën ndaj trafikut të drogave, të zbatojë strategjinë për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.

Shqipëria duhet të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar një bashkëpunim sa më të mirë mes agjencive të zbatimit të ligjit”, - thuhet në planin e përcaktuar nga BE për t’u zbatuar nga Shqipëria.

Ashtu siç deklaruan dhe zyrtarët e BE, në këto drejtime të sipërcituara, Shqipëria ka marrë notë jokaluese. Në rast se do të përparohet me shpejtësi, mundet që pas më shumë se një viti të ketë ndonjë sinjal pozitiv, në rast se jo, çështja mund të shtyhet.

Mashtrimi me mesin e vitit 2010

Mediet proqeveritare dhe vetë zyrtarët e qeverisë shpallën paturpësisht dje se në mesin e vitit që vjen shqiptarët do të lëvizin pa viza. Lajmi, një spekulim dhe tjetërsim i deklaratës së zyrtarëve të KE, është në kuadër të mashtrimit që bëhet prej kohësh në lidhje me këtë çështje.

Zyrtarët e KE, Komisioneri për Drejtësinë, Jacques Barrot dhe Komisioneri për Zgjerimi, Olli Rehn, thanë se, nëse do plotësohen kushtet, mundet që në mesin e vitit që vjen të bëhet një propozim. E në rast se do bëhet ky propozim, ai duhet të marrë një miratim nga parlamenti i BE, e mundet që vitin tjetër, d.m.th., në vitin 2011, të lëvizet pa viza. Kështu siç ka ndodhur dhe me tri vendet që po marrin lajmin tani e duke nisur nga viti tjetër mund të lëvizin pa viza.

Por sërish zyrtarët e BE kanë theksuar se duhen plotësuar kushtet. Por, të gjitha vendet e kanë pasur startin e njëjtë. Optimizmi i zyrtarëve të KE ka qenë i njëllojtë dhe atëherë, madje shpesh ata janë shprehur se ndoshta do ishte viti 2009 ai që do favorizonte shqiptarët. Por asgjë nuk ndodhi për shkaqe që tashmë dihen. Nëse vizat do shtyhen edhe dy vite për faj të kësaj qeverie, ky nuk është lajm i mirë. Por frika është se optimizmi i zyrtarëve të BE, i njëllojtë gjithmonë, mund të mos na çojë askund. Optimizmi i tyre është më shumë një limonadë, por jo elektorale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›