Blushi, tur në bazë paralel me Ramën
Anëtari i kryesisë së PS-së shpjegon se qëllimi i turit është konsultimi i platformës së reformimit të partisë
Anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste, Ben Blushi, do të nisë të premten nga Tirana, paralel me Edi Ramën, një tur të tijin në bazën socialiste, për të shpjeguar arsyet e qëndrimeve të tij kundra zhvillimeve të fundit në këtë parti.
Gjatë një konference shtypi të mbajtur në një nga lokalet e Tiranës, Blushi ka prezantuar lëvizjen e tij më të re brenda radhëve të socialistëve, atë të konsultimit me anëtarësinë të nevojës për reformimin e Partisë Socialiste, lëvizje kjo që vjen si paralele e turit elektoral që Rama ka nisur dje nga Elbasani.
Duke treguar për objektin e këtij turi, Blushi, i cili kohët e fundit është pozicionuar dukshëm kundër kryetarit në detyrë të PS-së Edi Rama, ka theksuar se primar në këtë dialog me anëtarësinë do të jetë padyshim vendimi i strukturave të partisë për të bojkotuar punimet e Kuvendit të Shqipërisë deri në një afat të papërcaktuar.
"Ka shumë arsye për t'u konsultuar me socialistë të cilët mendojnë si ne. Kjo gjë do të provohet në proces, pasi jam i bindur se numri i atyre që mendojnë se nuk ka arsye që Partia Socialiste të dalë nga Parlamenti dhe ka shumë më shumë arsye që Partia Socialiste të reformohet dhe të ndryshojë për të ardhur në pushtet, do të shtohet", - ka thënë Blushi në fjalën e vet.
Por, duket se diskutimi i vendimit të bojkotit nuk do të jetë çështja e vetme që do të debatohet në këto takime, pasi Blushi ka bërë të ditur se me socialistët do të konsultohet paketa e propozimeve për ndryshimet statutore që u hodh poshtë nga kongresi.
Sipas tij, ajo përmban elementët e duhur për të kryer reformimin që Partia Socialiste ka nevojë. "Absolutisht, Edi Rama shkon si kandidat në bazën e Partisë Socialiste, si një kandidat pa platformë. Ndërsa ne kemi një platformë, e cila synon të reformojë Partinë Socialiste, të bashkojë të majtën dhe të fusë opozitën në institucione.
Pra, ne po konsultojmë një platformë, Edi Rama konsulton një ambicie", - tha më tej Blushi. Ndërkohë që ai nuk ka lënë pa komentuar edhe një herë vendimin e PS-së për të mos marrë pjesë në Kuvend për sa kohë nuk do të plotësohen kërkesat që ajo i ka vënë mazhorancës për zbardhjen e së vërtetës që lidhet me procesin zgjedhor të 28 qershorit, duke e konsideruar atë si pjesë të një lëvizjeje politike të paqartë dhe që mund të dëmtojë rëndë këtë forcë dhe të favorizojë nga ana tjetër qeverinë.
"Arsyeja për protesta opozita ka gjithmonë, por kjo s'do të thotë që të dalësh jashtë Parlamentit. Të dyja bashkë janë pjesë të një aksioni politik, dinjitoz, të cilin opozita nuk mund ta neglizhojë", - u shpreh Blushi.