Rama dhe Lakrori prezantojnë platformat
Elbasan
Dy kandidatët për kryetar të PS-së takohen me anëtarët e Elbasanit dhe nisin fushatën e zgjedhjeve për kryetar partie
ELBASAN- Dy garuesit për kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe Maqo Lakrori, filluan dje fushatën ne bazë.
Me një pamje të re të shoqëruar nga një ngjyrë portokalli në sfond nën moton "një anëtar një votë" startoi dje prezantimi i platformës të dy kandidatëve në teatrin "Skampa" të Elbasanit.
Ka qenë Maqo Lakrori, kandidati që ka prezantuar fillimisht në vija të përgjithshme platformën e tij për zgjedhje të parakohshme dhe për bashkimin e socialistëve në një broshurë të shpërndarë qysh në fillim të takimit.
Gjatë fjalës së tij, Lakrori është shprehur në favor të pasjes si objektiv zgjedhjet e parakohshme, ndërsa ka kundërshtuar mënyrën që Partia Socialiste po ndjek për shkaktimin e këtyre zgjedhjeve.
Ndërkohë Rama ka nisur fjalën duke u ndalur tek largimet nga puna, që sipas tij janë bërë dhe po bëhen ndaj atyre personave që guxuan të marrin pjesë në mitingjet e Partisë Socialiste apo për shkak se besuan në një alternativë tjetër nga alternative e pushtetit.
"Ne kemi qenë ata që kemi mirëkuptuar dhe kemi mbështetur kur Shqipërisë i duhej anëtarësimi në NATO dhe sot i duhet anëtarësimi në BE.
Por ky proces u transformua në kurorëzimin e masakradës zgjedhore me një rezultat që për ne është i papranueshëm dhe nga i cili lindi dje një kuvend që nuk e ka legjitimitetin e plotë për të pasur një proces normal legjislativ dhe nga ku do të dalë një qeveri që është shëmbëlltyra e maskaradës zgjedhore nga njëra anë dhe nga degjenerimi i politikës nga ana tjetër.
Shëmbëlltyra që bën bashkë Sali Berishën dhe Ilir Metën si stacioni i fundit i një qeverisjeje që ka neveritur shqiptarët me dyfytyrësinë e vet dhe që nuk ka sesi të çojë përpara vendin tonë, të çojë përpara ekonominë e vendit tonë, të çojë përpara të gjitha çështjet jetike për familjet e shqiptarëve që pa asnjë dyshim meritojnë të jetojnë në një Shqipëri demokratike", - tha Rama.
Kreu i PS-së, ka nënvizuar edhe qëndrimin e kësaj partie përballë parlamentit. "Refuzojmë ta pranojmë këtë parlament si kuvendi legjitim i të gjithë popullit shqiptar. Ky parlament nuk e ka legjitimitetin e domosdoshëm për të diktuar punët e vendit me forcën e kartonëve.
Dhe nga ana tjetër refuzojmë të pranojmë një realitet të deformuar të kësaj maskarade zgjedhore, e cila përfundoi me cenimin e një të drejte ligjore dhe demokratike për të hapur kutitë e dyshuara", - shtoi ai.
Rama më tej gjatë fjalës së tij, u ndal tek presionet që iu janë bërë zgjedhësve duke marrë si shembull republikat e ish- Bashkimit Sovjetik. "Ne do të luftojmë me çdo mjet demokratik.
Nuk mund të pranojmë që mund të qeverisemi nga një shumicë e krijuar përmes dhunës shtetërore në çdo aspekt të shfaqjes së shtetit përballë qytetarëve.
Nuk mund të pranojmë të qeverisemi nga një shumicë e cila na mohon një të drejtë elementare për të bërë transparencë të plotë lidhur me atë që fshihet në errësirën e kutive të votimit, lidhur me operacionin kriminal që ka bashkuar autoritetet shtetërore me autoritetet e krimit, që me leje të paligjshme janë liruar nga burgjet për të marrë pjesë në fushatën elektorale të pushtetit.
Nuk mund të pranojmë të qeverisemi pa u kthyer në punë të gjithë ata që morën pjesë në aktivitetet e opozitës duke ushtruar një të drejtë kushtetuese",- tha ai.