E Diel, 1 Nëntor 2026

Bluzat e bardha do të kenë "imunitet"

Duhet të plagoseshin tre mjekë dhe duhet të zhvilloheshin protesta, të bëhej rrëmujë, të pezulloheshin operacionet që të dëgjohej zëri i mjekëve. Duhet të zhvilloheshin një sërë tubimesh dhe duhet të pezullohej mësimi në Fakultetin e Mjekësisë në mënyrë që kërkesat e tyre të merreshin parasysh.

Në fund, fituan mjekët. Ata do të kenë status të veçantë njësoj si prokurorët apo forcat e rendit. Kjo do të thotë që në rast se ata dhunohen apo pësojnë atentate, dhunuesi në këtë rast do të merrte një dënim më të rëndë.

Statusi

Për sa u përket kërkesave të mjekëve dhe profesoratit të Fakultetit të Mjekësisë për statusin e mjekut, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka sqaruar dje se ka nisur puna për të përmbushur një nga pikat që u paraqitën nga mjekët dhe profesorët për të ndërhyrë në minimizimin, mundësisht për të çuar në zero, fenomenin e pahijshëm të dhunës që është vënë re kohët e fundit. "Në takimin e zhvilluar me mjekë të QSUT-së, drejtoreshën Gjeorgjina Kuli, profesoratin e Fakultetit të Mjekësisë dhe dekanin e tij, u ra paraprakisht dakord për disa ndërhyrje që mund të bëhen në legjislacion, në mënyrë që mjeku të ketë një lloj statusi të ngjashëm me atë të një punonjësi policie, prokurorisë, etj., që do të thotë të ketë një mbrojtje të veçantë, në mënyrë që çdo qytetar, të cilit i vjen në mendje të fyejë verbalisht ose fizikisht, duhet të mendojë mirë veprimin që po bën", theksoi ministrja e Shëndetësisë.

Kërkesat

Marrja parasysh e kërkesave të punonjësve të shëndetësisë dhe përmbushja e pikës më të debatuar të tyre ka rikthyer në normalitet punën në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza" si dhe në Spitalin Ushtarak. Nëse nuk do të kishte një përgjigje nga autoritetet, protesta e mjekëve do të vazhdonte dhe do të përshkallëzohej edhe më shumë. Dy ditë më parë, në dy nga rrethet e vendit, mjekët kanë bojkotuar punën duke u solidarizuar me protestuesit në Tiranë. Në ditën e dytë të protestës, në mbrëmje, është arritur një marrëveshje, për të nisur punën dhe më pas për të diskutuar kërkesat e mjekëve. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka konfirmuar se puna në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza" ka filluar normalisht, pas rënies dakord për ndërprerjen e protestës me mjekët dhe profesoratin, mbrëmjen e dy ditëve më parë. "Ne kemi rënë dakord që puna do të vazhdojë dhe qytetarit për asnjë çast nuk do t‘i mungojë shërbimi shëndetësor. E gjithë kjo situatë nuk ka të bëjë me qytetarin dhe nëse mjekët bëjnë grevë është në dëm të shërbimit shëndetësor", u shpreh Godo.

Sakaq, ndërsa mjekët kanë arritur atë që dëshironin, të drejtat e pacientëve nga ana tjetër mbeten të njëjta, të pandryshueshme dhe të pacenueshme. Mundësia që ka çdo qytetar për t‘u ankuar për mungesë shërbimi apo për padrejtësi mbetet vetëm denoncimi me fakte konkrete.

Protestat

Rasti dhe precedentët

Protesta e mjekëve të QSUT-së nisi tri ditë më parë, si reagim pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në qendër të Tiranës, kur një person plagosi me thikë mjekun endokrinolog Agron Ylli. Kjo pasi ai nuk pranoi t‘i jepte fletën e kempit për bashkëshorten e tij. Ngjarja shënoi rastin e tretë brenda këtij viti të dhunës ndaj bluzave të bardha, pas dhunimit të kardiokirurgut Ali Refatllari dhe mjekut neurolog të spitalit të Vlorës, Kosta Koçi. Mjekë, personel shëndetësor, Ministria e Shëndetësisë, drejtoria e spitalit, Urdhri i Mjekëve dënuan aktin e dhunës dhe kërkuan mbrojtje të veçantë për këtë kategori.

Marrëveshja

Takimi mes përfaqësive të mjekëve

Pollo premtoi ndryshime

ligjore për bluzat e bardha

Zëvendëskryeministri Genc Pollo priti dy ditë më parë në takim një përfaqësi nga Këshilli i zgjeruar i Profesoratit të Fakultetit të Mjekësisë në prani të ministres së Shëndetësisë dhe drejtoreshës së spitalit "Nënë Tereza". Pollo u njoh me kërkesat e kësaj përfaqësie: për mbrojtjen e personelit mjekësor në detyrë dhe dënimin me ashpërsi të çdo agresioni verbal apo fizik ndaj mjekëve në detyrë, përcaktimin ligjor të përgjegjësisë së gabimeve ndaj pacienteve në dritën e legjislacionet e komunitetit evropian, ndaljen sa më parë të identifikimit të profesionit të nderuar të mjekut me njerëz të korruptuar, duke konsideruar që abuzimi në detyrë është përgjegjësi personale dhe jo kolektive. Zëvendëskryeministri Genc Pollo shprehu gatishmërinë e qeverisë për të zgjidhur në rrugë ligjore kërkesat, si dhe theksoi nevojën e promovimit të mjekëve, që kryejnë detyrën me integritet në frymën e betimit të Hipokratit, si dhe prezantoi reformat në sektorin e shëndetësisë, të cilat do të stimulojnë shpërblimin e merituar dhe do të pakësojnë abuzimin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›