Bocete qesharake për shtatoren e Ismail Qemalit, shtyhet konkursi
Tiranë- Asnjë prej boceteve të 20 artistëve që morën pjesë në konkursin e çelur për realizimin e shtatores së Ismail Qemalit që do të vendoset në kryeqytet, në këtë 100-vjetor të pavarësimit të vendit, nuk ka qenë i denjë. Madje drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, njëherazi pjesë e jurisë së konkursit, Rubens Shima, i ka cilësuar ato si qesharake.
Andaj edhe jurisë i është dashur të marrë një vendim për shtyrjen e këtij konkursi pasi punimet nuk kanë qenë aspak të denja. Drejtori i GKA-së, Z.Shima flet për një paraqitje aspak serioze të artistëve, të cilët nuk e kanë konsideruar figurën e njeriut që shpalli pavarësinë në tërë dimensionin e saj, por kanë nxituar të realizojnë një shtatore thjesht dhe vetëm për të qenë pjesë e këtij konkursi.
“Pjesëmarrësit në këtë konkurs nuk kanë konsideruar asgjë nga jeta dhe veprimtaria e tij. Ata nuk kanë konsultuar materialin e bollshëm fotografik për këtë figurë, madje as nuk kanë vizituar shtëpinë e pavarësisë në Vlorë ku gjendet rekuiziti i tij dhe ata që kanë dashur ta paraqesin Ismail Qemalin të ulur në një karrige, nuk kanë marrë mundimin të kërkojnë për stilin e saj por e kanë ulur në poltronë të çfardo lloj stili, pa lidhje me kohën”-shpjegon Shima.
Drejtori i GKA-së vijon më tej arsyetimin duke thënë: “Ajo çka është edhe më shqetësuese, është një çedim i madh profesional. Shumë prej këtyre shtatoreve mezi qëndrojnë në këmbë, çka është e papranueshme. Këta skulptorë kanë realizuar bocete me shpejtësi për të marrë pjesë në këtë konkurs dhe më vjen keq të them që shumë prej tyre janë qesharakë”.
Megjithatë, juria e konkursit e ngritur për përzgjedhjen e 3 monumenteve/shtatore kushtuar figurave historike të Ismail Qemalit, Ahmet Zogut, Hasan Prishtinës e përbërë nga Hektor Dule, Rubens Shima, Ali Oseku, Kaliopi Naska, Gjergj Bakëllbashi, Enton Derraj dhe Suzana Varvarica vendosi që konkursi për figurën e Ismail Qemalit të kalojë në një fazë të dytë ku pesë skulptorë të përzgjedhur mes njëzetë konkurrentëve të ripropozojnë edhe një herë bocetet për këtë monument. Skulptorët që do të vazhdojnë konkurrimin janë : Ilirjan Shima, Pjerin Kolnikaj, Idriz Ballani, Ardian Pepa dhe Veli Blakçori.
“I është lënë kohë këtyre 5 artistëve të përzgjedhur që përgjatë 1 muaji e gjysmë të sjellin variante të tjera për shtatoren duke ju përmbajtur me korrektesë kërkesave dhe kritereve të jurisë”- shpjegon drejtori Shima.
Duket se kjo shtyrjë e konkursit për shtatoren e Ismail Qemalit do të thotë se në këtë 100-vjetor të pavarësisë, shtatorja kushtuar kësaj figure nuk do të mund të zërë vend në asnjë prej shesheve të Tiranës. Por sikundër thekson Rubens Shima, në këtë situatë jo normale, për ta është shumë e rëndësishme që monumenti të jetë i denjë për atë që themeloi shtetin shqiptar, për Ismail Qemalin dhe afatet për ta janë të një rëndësie të dorës së dytë.
Ndërkaq, për monumentet kushtuar figurave të Ahmet Zogut dhe Hasan Prishtinës juria mori vendimin, të cilin ia ka përcjellë Komisionit Ndërministror për Festimet e 100-Vjetorit të Pavarësisë dhe nga ky komision do të bëhet shpallja publike të fituesve të konkursit.

