E Diel, 1 Nëntor 2026

Bochard: Nuk ka integrim europian pa konsensus politik

Ambasadori gjerman flet shkoqur nga Korça: çelësi nuk janë vetëm reformat. Duhen standarde edhe në politikë

Ambasadori gjerman, Bernard Bochard, ka deklaruar se çelësi i suksesit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian nuk janë vetëm reformat dhe aspektet ekonomike, por edhe ato politike. Bochard ka thënë nga qyteti i Korçës se Shqipëria duhet të ndryshojë jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në atë politik për të pasur në duar çelësin e anëtarësimit në BE, dhe kjo sipas tij, arrihet duke u dhënë zgjidhje problemeve politike dhe duke iu përshtatur frymës europiane. Ambasadori gjerman deklaroi nga qyteti i Korçës ku ka qenë përkrah ministrave Sokol Olldashi dhe Ridvan Bode, se pala gjermane do të mbështesë Shqipërinë me këshillime për sa i përket anëtarësimit, por pikësëpari duhet që vendi të zgjidhë edhe problemet në nivel politik. "Një anëtarësim i shpejtë i Shqipërisë në BE do të kishte çelësin e suksesit jo vetëm në aspektin e reformave dhe në aspektin ekonomik. Këtu duhet edhe aspekti politik. Ne presim dhe shpresojmë një zgjidhje të problemeve politike në vend, një zgjidhje që vjen nga mirëkuptimi dhe bashkëpunimi, për të qenë brenda frymës europiane”, deklaroi ambasadori gjerman, Bochard. Pas kësaj, siç u shpreh Bochard, pa dyshim që pala gjermane do ta mbështesë Shqipërinë për hapat e saj të shpejtë drejt integrimit dhe anëtarësimit në BE. Sipas diplomatit gjerman, politika duhet të gjejë një zgjidhje për problemet dhe të fokusohet jo vetëm te reformat dhe arritjet ekonomike, por për të qenë brenda standardeve dhe frymës europiane duhet që të ketë konsensusin politik. Këto deklarata ambasadori gjerman i bëri ndërsa ishte bashkë me deputetët Sokol Olldashi dhe Ridvan Bode në ceremoninë e përurimit të punimeve për fazën e katërt të kanalizimeve të ujërave të zeza, një investim prej 15 milionë eurosh nga qeveria gjermane.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›