E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Kollarja e Berishës, sa një pension pleqërie

Partia Socialiste iu rikthye sërish dje krizës ekonomike dhe tentativave të qeverisë për ta fshehur atë. Deputeti i kësaj partie, Erjon Braçe, vuri në dukje se Berisha nuk mund ta fshehë dot se ka probleme në dhënien e pensioneve për pensionistët apo invalidët, si dhe pagat e shpërblimet për administratën. "Po e përsëris, kriza dhe arka bosh, si efekt i saj është fakt, të cilin, tani nuk e zhbën dot. As kollarja sa një pension pleqërie e Sali Berishës, as papioni sa dy pensione pleqërie fshati i guvernatorit Gullani, as nga inaugurimi i punës së cilitdo biznes, mund ta bëjë edhe këtë javë një të tillë, sërish në autostradë, për një tjetër qendër tregtare, për më tepër biznesi të ngritur mbi kredi e kuota pronësie të lëna peng për kredi. Për më tepër kur flet Sali Berisha, i familjarizuar shumë me bilancet e prodhuara nga mbesa e tij", tha Braçe. Sipas Braçes, për herë të parë pas 6 vitesh, mësues, edukatorë, mjekë, infermierë, ushtarakë, policë, nëpunës të administratës politike qendrore e vendore nuk do të marrin pagën e 13-të, por do e mbyllin vitin me 11 ose 11 paga e gjysmë, ndërsa pensionistët, në qytet apo në fshat, nuk do të marrin pensionin e 13-të, por do e mbyllin vitin me 11 pensione e çerek. "Qeverisë, vijoi deputeti socialist, i mungojnë edhe pas rishikimit të buxhetit 242 mln USD, ose mbi 450 milion USD nga programi financiar i fillimvitit. Kjo nuk është "ëndërr e opozitës", por efekti shkatërrues i keqqeverisjes së shtetit prej pushtetit politik të Sali Berishës dhe "nën të"-së së tij, Ilir Metës". Referuar të dhënave fiskale për 11 muajt e shkuar, Braçe vuri në dukje se qeveria ka harxhuar për paga në 11 muaj mbi 1 mld lekë të reja, më shumë për punëtorë me kontrata elektorale dhe vetëm në maj-qershor, muajt e zgjedhjeve, qeveria ka harxhuar për rroga mbi 10 mld lekë të reja. Njëkohësisht Braçe deklaroi se qeveria ka paguar në nëntor 5.5 mld lekë të reja për rrugën Rrëshen-Kalimash, kur ajo konsiderohet e përfunduar si rrugë dhe në tunele që nga dita e parë e nëntorit nuk punohet. "Për shkak të këtij statusi, në shtator-tetor qeveria nuk ka paguar asnjë qindarkë për këtë rrugë. Për shkak të këtij statusi në buxhetin e 2010-ës janë parashikuar vetëm 3 mld lekë", sqaroi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›