E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekuton maturanten në mes të klasës se i refuzoi dashurinë, vret veten pas 15 minutash



ELBASAN/ ALDO KOZARIA

Ekzekuton në mes të klasës vajzën që i refuzonte dashurinë. Një histori me fund tragjik u shënua mëngjesin e djeshëm në qytetin e Elbasanit, në ambientet e gjimnazit "Mahir Domi". Endrit Llambraj, 19 vjeç, dyshohet se nën efektin e drogës, ka qëlluar me 3 plumba Greta Bahjën, 20 vjeç. Pak minuta më vonë, ai qëlloi dhe veten, në pamundësi për t'i shpëtuar ndjekjes së policisë.
Autori kishte udhëtuar nga Vlora drejt Elbasanit me pistoletë në brez, duke mundur të kalojë qetësisht nëpërmjet oborrit të shkollës së mesme, e deri në klasën e katit të dytë, ku dhe u regjistrua krimi. Gjithçka ndodhi brenda pak minutash, pasi kishte nisur pushimi i shkurtër i orës së parë të mësimit, kur klasat e korridoret e shkollës ishin të mbushura me nxënës e mësues. Autori, përpara se të ngjitej në klasën ku dhe kreu vrasjen, mësohet të ketë ndaluar për të pirë kafe në një lokal ngjitur me shkollën. Nga burime të policisë mësohet se në kohën kur pinte kafenë, i riu u është drejtuar disa herë me fjalë djemve që njihte: "Ne labët jemi djem trima. Të vrasim natën e të qajmë ditën". Në një moment ai ka parë orën, duke dalë nga lokali me shpejtësi për të hyrë në shkollë, aty ku mësonte maturantja. Endrit Llambraj ka hyrë nga dera kryesore e shkollës, duke u përballur me pastruesen fillimisht e më pas është ngjitur në katin e dytë ku ndodhej klasa e Gretës, me numrin 204. Sapo ka mbërritur aty ka nxjerrë nga brezi një armë tip pistoletë dhe menjëherë u ka kërkuar shokëve dhe shoqeve të klasës së vajzës që të dilnin jashtë. Të tronditur nga kjo skenë, të gjithë kanë braktisur njëri pas tjetrit klasën. Në një moment mësohet se armës së autorit i ka rënë karikatori, por ai e ka marrë me shpejtësi, duke e vendosur në pistoletë. Këto ishin veprimet e fundit që shokët e shoqet e Gretës kanë fiksuar para se të dëgjoheshin krismat e armës, pranë bankës së fundit ku qëndronte e ulur shoqja e tyre. Tre krisma të rrufeshme e më pas, nga dera kanë parë të dilte me vrap Endrit Llambrajn, në rrobat e të cilit kishte gjak. Pa e lëshuar armën nga dora, ai ka çarë nëpër korridor, duke lemerisur nxënësit, të cilëve u drejtonte pistoletën. Paniku është përhapur nëpër shkollë, kur është mësuar se çfarë kishte ngjarë. Ndërsa autori largohej nga ambientet e gjimnazit drejt zonës së parkut Rinia, është lajmëruar Policia e Elbasanit. Me anë të dëshmive të nxënëse, policia është orientuar mbi vrasësin, duke u vënë në gjurmët e tij. Kur kishin kaluar rreth 15 minuta, në një distancë prej rreth 800 metrash nga vendi ku u vra Greta Bahja, policia ka gjetur dhe rrethuar autorin e krimit. I kanë bërë thirrje atij që të hidhte armën poshtë e të dorëzohej, por reagimi i të riut ka qenë i menjëhershëm. Llambraj ka qëlluar një herë në ajër, për të zmbrapsur policët e me plumbin tjetër qëlloi veten në kokë. Megjithëse është nxituar t'i jepet ndihma e parë, 19-vjeçari ndërroi jetë brenda pak çastesh, duke e mbyllur kështu tragjikisht një lidhje që nuk e realizoi kurrë. Kjo ngjarje bëri që mësimi në një prej gjimnazeve kryesorë të qytetit të Elbasanit të bllokohej totalisht. Në oborrin e tij, veç mësuesve e nxënësve u mblodhën dhjetëra prindër, të tronditur për fatin e shoqes së fëmijëve të tyre.

Arrestohet roja i shkollës

Policia e Elbasanit bëri me dije dje pasdite se arrestoi në kushtet e flagrancës, pak kohë pas ngjarjes, rojen e shkollës "Mahir Domi". Sipas policisë, 38-vjeçari Naim Tahiraj u ndalua, pasi nuk ka kryer siç duhet detyrën gjatë orëve të mëngjesit, kur një person i armatosur hyri në ambientet e shkollës. Gjatë paradites, Tahiraj mësohet të jetë shprehur se Endrit Llambraj nuk ka hyrë nga dera kryesore e shkollës, por nga hekurat e saj. Ky fakt pritet të vërtetohet më vonë nga grupi hetimor i kësaj çështjeje. Nga të dhënat e mbledhura nga policia rezulton se 19-vjeçari kishte fshehur armën nën bluzë, duke e nxjerrë atë vetëm në momentin kur i është afruar klasës ku mësonte vajza me të cilën këmbëngulte të kishte një lidhje.

Mësuesja kujdestare: Greta e qetë, nuk ka shfaqur probleme
E tronditur nga ngjarja e rëndë, Suela Shuteriqi, mësuesja kujdestare e klasës ku mësonte viktima Greta Bahja, tregon atë çfarë ndodhi mëngjesin e djeshëm në shkollën "Mahir Domi".
Si kanë qenë raportet mes jush dhe Gretës?
Kanë qenë raporte shumë normale që mund të ketë një mësues kujdestar me një nxënës. Greta ishte një vajzë e urtë dhe nuk kishte sjellë probleme.
Si e mësuat ngjarjen?
Ishim në pushim të orës së parë, në sallën e mësuesve, kur na treguan lajmin e rëndë. Menjëherë vrapova te klasa që ka numrin 204 dhe ku unë jam mësuese kujdestare dhe pashë çfarë kishte ngjarë. U trondita jashtë mase, pasi Greta ishte një vajzë që kurrë s'kishte krijuar apo pasur probleme.
Ju si mësuese kujdestare, keni qenë në dijeni për shqetësimet që kishte pasur Greta?
Sigurisht që jo. Nëse do të kisha ditur se çfarë problemi kishte Greta do të mundohesha t'ia zgjidhja, por në asnjë rast ajo nuk shprehej, aq më shumë tek ne mësuesit. Madje edhe fundjavën që shkoi, unë së bashku me koleget e mia kemi zhvilluar një ekskursion, bashkë me disa vite të katërta, në qytetin e Vlorës, por dhe gjatë kësaj kohe nuk na tha nëse e shqetësonte dikush dhe ne nuk pikasëm një gjë të tillë.

Familja e vajzës nuk e pranoi fejesën me vlonjatin

ELBASAN/ ALDO KOZARIA

Ekskursioni që klasa e Greta Bahjës kishte organizuar një vit më parë në qytetin e Vlorës ishte bërë dhe sebepi për njohjen e nxënëses nga Elbasani me të riun vlonjat. Hetimet e kryera gjatë ditës së djeshme nga policia, me qëllim zbardhjen e shkaqeve që shtynë 19-vjeçarin drejt krimit makabër kanë hedhur pak dritë mbi misterin e saj. Bazuar në dëshmitë e shoqërisë së vajzës, burime zyrtare nga Policia dhe Prokuroria e Elbasanit pohojnë se Greta Bahja dhe Endrit Llambraj ishin njohur mes tyre në qershor të vitit 2009. Klasa e vajzës kishte zhvilluar ekskursion aty, kur kanë hyrë në bisedë me vendësin. Duket se ka qenë dashuri me shikim të parë për vlonjatin, i cili prej asaj kohe nuk i është ndarë kërkesës për lidhje me vajzën nga Elbasani. Por, mësohet se që nga ajo kohë deri dje, kur dhe u ekzekutua, Greta e refuzonte 19-vjeçarin nën pretekstin se ishte ende e vogël. Ky është variant që ngrihet mbi njohjen e vajzës dhe djalit, të cilët dje ndërruan jetë si pasojë e plumbave. Sipas policisë, familjarë të djalit kishin shkuar dhe në shtëpinë e vajzës për ta kërkuar atë. Kjo ka ndodhur në muajin tetor të vitit të shkuar, por nga ana e tyre, familjarët e vajzës e kishin refuzuar këtë lidhje, me të njëjtën përgjigje se ajo ishte e vogël. Prej atij momenti, Greta Bahja mësohet se nuk u ka bërë të ditur familjarëve shqetësimet që i sillte 19-vjeçari, ndërkohë që ata interesoheshin shpesh për mbarëvajtjen e vajzës në shkollë. Kjo pasi familjarët këtë histori e kishin mbyllur me kohë, që nga momenti kur kthyen përgjigje negative familjes Llambraj. E kundërta ka ndodhur me shokët dhe shoqet e klasës së Gretës, të cilët jo vetëm që kishin dijeni për ngacmimet që merrte shoqja e tyre nga Endriti, por ata shpeshherë ishin bërë dhe mbrojtësit e saj, sidomos kur dilte nga mësimi për të shkuar në shtëpi. Sipas dëshmive të shokëve të klasës në policisë, i riu nga Vlora u dilte para dhe u bënte presion që ata t'i jepnin numrin e celularit, të cilin Greta e ndërronte gjithmonë. Për të ardhur deri në Elbasan, Endriti udhëtonte dhe 3 herë në javë nga qyteti i Vlorës apo i Tiranës, për të qëndruar përpara shkollës "Mahir Domi". Policia bëri të ditur se mes të rinjve ka pasur debate herë pas here, pasi vajza nuk donte që të rrinte me Llambrajn. Mësohet se fundjavën e kaluar, e reja ka udhëtuar sërish drejt Vlorës në ekskursion, por sërish pa i dhënë shpresë 19-vjeçarit. Duket se që prej këtij udhëtimi, autori të ketë marrë vendimin ekstrem. Ai kishte tentuar më parë vetëhelmimin, pikërisht pas refuzimit që i bëri familja e vajzës. Nga burime të pakonfirmuara pohohet se vajza kishte lidhje me një djalë që jetonte në emigracion, i cili duket se ishte dhe shkaku i përgjigjes negative që Greta i bënte Endritit. Megjithatë, familjarët e vajzës kanë qenë të tërhequr në dëshminë e tyre, duke mos ndihmuar shumë policinë në zbardhjen e ngjarjes. Sipas tyre, nuk ka pasur asnjë informacion që vajza ka qenë e shqetësuar dhe kishte presione nga ana e një djali që vinte nga qytet tjetër. Nxënësja e vitit të 4 D njihej si vajzë e urtë, e qetë dhe pa probleme gjatë viteve të shkollës. Emri i saj u shfaq dje papritur, pasi u bë viktimë e fatit tragjik, si pasojë e një krimi që nuk ka pasur më parë paralajmërim.

Ministri Tafaj: Plan për sigurinë në shkolla

Në ambientet e shkollës së mesme "Mahir Domi" kanë mbërritur dje me urgjencë krerët e pushtetit vendor në Elbasan si dhe vetë ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Ngjarja e rëndë i ka detyruar ata të mblidhen për të shqyrtuar rastin dhe masat që do të merren për parandalimin e tyre. Pasi kanë zhvilluar një takim për rreth 30 minuta me dyer të mbyllura në zyrën e drejtorit të shkollës, ata kanë pohuar për mediat se ngjarja është shumë e rëndë dhe këto fenomene duhen parandaluar, para se të ketë viktima. Ministri i Arsimit pohoi se brenda këtij muaji, institucioni që ai drejton do të hartojë një plan në lidhje me sigurinë nëpër shkolla, me qëllim që të mos ketë hyrje në ambiente publike të personave të jashtëm, siç ishte rasti i tragjedisë së djeshme. Ministri Tafaj ngushëlloi familjen e vajzës së vrarë, e cila e mësoi lajmin tragjik nëpërmjet medias. Gjatë ditës së djeshme, të gjithë nxënësit e shkollës, stafi pedagogjik dhe prindërit kanë qenë të shokuar. Nuk dihet ende nëse sot do të ketë mësim normal në këtë shkollë, një ndër më të mëdhatë në Elbasan.

Familja e Gretës s’kishte dijeni për shqetësimet

Babai dhe vëllai i Gretës kanë qenë të parët që mbërritën në ambientet e shkollës, aty ku vajza e motra e tyre kishte studiuar për 4 vite rresht. Policia nuk i ka lejuar të hyjnë në klasën ku ndodhej njeriu i tyre, pa jetë. Ata nuk mundnin të besonin atë që kishte ngjarë. Të shokuar prej vrasjes, familjarë të tjerë të viktimës Bahja, thanë dje se nuk kishin dijeni për shqetësimet që i kishte sjellë më parë 19-vjeçari maturantes. E njëjta gjendje e nderë ishte dhe në lagjen "25 Maji" të qytetit të Vlorës, ku jeton familja e Endrit Llambrajt. Fqinjë të tij thonë se prej 4 muajsh, djali i vetëm i familjes, vinte shpesh në Tiranë, ku studionte e jetonte një prej dy motrave të tij. Për ta, Endriti kishte qenë djalë i urtë e nuk ngatërrohej me njeri. Ai kishte punuar si lavazhier një pjesë të madhe kohe, ndërsa ishte me arsim 8-vjeçar. Fqinjë të familjes Llambraj treguan dje, se fundjavën i riu e kishte kaluar në Vlorë dhe të hënën ishte nisur drejt Tiranës. Gjatë ditës së djeshme, familjarët e djalit kishin udhëtuar për në Elbasan, ku ndodhej trupi i pajetë i Endritit, i cili vrau veten pak minuta pasi kishte lënë të mbuluar në gjak vajzën që donte.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›