BE: Të rivendoset dialogu në Kuvend
Erald Kapri
Bashkimi Evropian respekton grevën e urisë në Shqipëri, por zgjidhjen e vetme të situatës politike e sheh duke ndërprerë grevën, si dhe kërkon rikthimin dialogut të ndërprerë vetëm në Kuvend. Dje zhvilloi punimet Takimi i Dytë i Këshillit të Stabilizim Asociimit, ku krerët më të lartë të BE-së folën edhe për situatën politike. Në një konferencë për shtyp, ku merrte pjesë edhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta, Sekretar i Shtetit Spanjoll për BE, Diego Lopez Garrido si dhe Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, deklaruan se dialogu në Kuvend është rruga e vetme për zgjidhjen e situatës politike. Ndërkaq, institucioni më i lartë i Bashkimit Evropian, Këshilli, lëshoi dje një deklaratë për situatën politike në Shqipëri. "Në shoqëritë demokratike, Parlamenti është vendi për dialogun dhe zgjidhjen e dallimeve. BE i bëri thirrje udhëheqësve politikë shqiptarë që të marrin parasysh pasojat e mundshme të bllokimit politik për rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE", thuhet në deklaratën e Këshillit.
Garrido
Në konferencën për shtyp, Garrido tha se "ne bëmë thirrje për rivendosjen e dialogut të ndërprerë dhe të plotë parlamentar". I pyetur më tej nga mediat për grevën e urisë, ai u përgjigj duke thënë se "më duhet të respektoj të gjitha sjelljet dhe vendimet personale, por mesazhi im për të gjithë njerëzit në Shqipëri dhe për të gjithë aktorët politikë, është që rruga përmes së cilës Shqipëria mund të zgjidhë problemet është në opinionin tim, integrimi në BE dhe perspektiva evropiane është rruga e vetme e zgjidhjes së problemeve. Për këtë arsye, dua të përsëris se demokracia jonë funksionon në një Parlament që funksionon siç duhet, dhe kjo është rruga më e mirë për të treguar pjekuri politike dhe demokratike në Shqipëri sot".
Fule
Komisioneri i Zgjerimit, Stefan Fule përsëriti se procesi i integrimit "është zbehur nga zhvillimet e gjendjes së brendshme politike, mungesa e gjetjes së një zgjidhjeje dhe përkeqësimit të situatës nga greva e urisë". Duke folur më tej për zgjidhjen e situatën politike, Fule e cilësoi grevën e urisë si një fenomen të çuditshëm. "I takon klasës politike dhe Shqipërisë të tregojë pjekuri dhe besoj se të gjitha instrumentet ekzistojnë në mënyrë që Shqipëria ta zgjidhë këtë situatë. Ata e dinë se e kanë mbështetjen dhe durimin tonë, pavarësisht se durimi ynë në lidhje me njerëzit që nisen për në spital nga greva e urisë... ky është një fenomen i çuditshëm", deklaroi Fule.
Meta
Në konferencën për shtyp, numri dy i Qeverisë shqiptare bëri me dije se informoi "Këshillin se koalicioni i shumicës i ka bërë opozitës kontestuese një gamë të gjerë ofertash politike dhe juridike, për të dalë nga ngërçi dhe për të kontribuar në një jetë normale e të pandërprerë". Ai shprehu vullnetin e Qeverisë shqiptare "për gjetjen e një zgjidhjeje konstruktive dhe ftojmë se do të vazhdojmë të ftojmë opozitën për bashkëpunim me shumicën".