E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode: Buxheti 2007 solli rritje ekonomike për vendin

Buxheti faktik 2007 solli rritje ekonomike për vendin, si rrjedhojë e rritjes së të ardhurave nga taksat dhe përmirësimit të investimeve, në tërësi. Sipas ministrit të Financave, buxheti faktik ka marrë aprovimin e KLSH, e cila ka sugjeruar një sërë rekomandimesh të marra përsipër për t‘u zbatuar nga ana e administratës. Problem për Ministrinë e Financave mbeten kallëzimet që bën KLSH në prokurori dhe gjykatë, ku këto të fundit i hedhin poshtë, 95 për qind të rasteve, shkeljet e bëra në zbatimin e buxhetit. "Një gjë është e qartë, as korrupsioni dhe as evazioni nuk luftohen me demagogji dhe aq më keq kur kjo demagogji vjen nga institucione që kanë për detyrë të zbulojnë dhe të japin vlerësime. Është e papranueshme që 95% e aktkontrolleve që vijnë për buxhetin të hidhen poshtë nga organi i drejtësisë dhe këtu në Kuvend ky akt lexohet si i mirëqenë", u shpreh ministri Bode dje në Kuvend.

Shpenzimet

Shpenzimet në total në fund të vitit 2007 janë realizuar në rreth 93.7% ose rreth 29.2% të produktit të brendshëm bruto. Krahasuar me një vit më parë, shpenzimet buxhetore janë rritur 26.8 miliardë lekë ose me 10.4% më shumë. Sa u takon investimeve publike, ministri tha se janë realizuar në nivelin 83.7% të planit. Nga këto, janë realizuar 94.2% e investimeve me financim te brendshëm dhe 52% e investimeve me financim të huaj. "Viti 2007 do të mbahet mend si viti me deficitin më të ulët buxhetor. Totali i investimeve publike arriti në rreth 6%, nga këto 1.4% janë financuar nga privatizimi. Deficiti ishte 3.3% dhe mesatarisht në 3 vitet e qeverisjes aktuale, borxhi publik që e ka ngritur shpeshherë si shqetësim opozita, ka qenë vetëm 3.4% nga 6% që ka qenë borxhi publik në çdo vit të qeverisjes 4-vjeçare të qeverisë së mëparshme", u shpreh kreu i Financave.

Të ardhurat

Në total, të ardhurat në buxhetin e shtetit 2007 arritën rreth 252 miliardë lekë, duke u realizuar në masën 96% ose krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat janë rritur me 22.2 miliardë lekë ose 9.67%. Të ardhurat tatimore për vitin 2007 janë rreth 228.2 miliardë lekë ose 97.2% e planit ose krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ato rezultojnë 22.6 miliardë lekë më shumë. Ndërsa të ardhurat nga doganat dhe tatimet arritën në rreth 176.8 miliardë lekë ose 98.2% e planit dhe në këtë realizim, rolin kryesor e ka luajtur administrata doganore, e cila në mënyrë permanente gjatë vitit, ka tejkaluar objektivat e vendosura në kuadër të buxhetit 2007. Ministria sqaroi se diferenca e parealizuar e të ardhurave u takon njësive vendore, kjo sepse 2007 ka qenë vit zgjedhjesh në pushtetin vendor dhe u krijua një deficit i madh në mbledhjen e të ardhurave.

PS, Malaj: Në vitin 2007, të ardhurat në buxhet ishin vetëm 25.7% e PBB, ndërsa në 2006-ën, të ardhurat totale në buxhet ishin vetëm 25.5% e PBB, pra ritmet e rritjes së të ardhurave janë nën nivelin e viteve të mëparshme. Mosrealizimet në investimet publike janë 13.4 miliardë lekë ose 171 milionë dollarë, në total në ekonomi asnjë lek investim shtesë nga buxheti suplementar.

LSI, Prifti: Shifra e realizimit të të ardhurave, 95% e planit, ose një mosrealizim mbi 11 miliardë lekë, apo mbi 120 milionë USD. Shpenzimet janë realizuar vetëm 93.7%. Shpenzimet korrente janë 80% dhe ato për investime janë 20%. Ku shkuan premtimet për qeveri në dietë nga Berisha? Pse mashtrohen shqiptaret me spote antikorrupsion, se gjoja janë ulur shpenzimet operative.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›