E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, ATK-ja “në gjuajtje” të emigrantëve debitorë

14/08/2009  Rreth 10% e debitorëve janë larguar nga vendi. Krijohen kontaktet me të ardhurit

Arkëtohen për këtë muaj 3 milionë lekë, pritet shtim në të ardhmen

KORÇE- Rreth 10% e debitorëve të Agjencisë së Trajtimit të Kredive (ATK) për Qarkun e Korçës janë emigrantë. Për këtë arsye kjo agjenci, duke filluar nga dita e parë e ardhjes së emigrantëve në vendlindje e në vijim, është vënë “në gjuajtje të tyre”, pasi këta të fundit ose nuk kanë qenë të rregullt në shlyerjen e detyrimeve që kanë ndaj kësaj agjencie në lidhje me kreditë që kanë tërhequr nga bankat e nivelit të dytë, ose nuk kanë filluar t’i shlyejnë ato. Mjaft prej tyre, ndërsa ishin larguar nga Korça, nuk kishin lënë pranë kësaj agjencie asnjë lloj adresë, shpeshherë në pamundësi për ta bërë këtë gjë, ose me synimin për t’iu shmangur detyrimeve që kishin me ATK-në. Tashmë duket se ky problem ka hyrë në rrugën e zgjidhjes, pasi punonjës të ATK-së kanë filluar të kontaktojnë me emigrantët e ardhur nga Greqia apo shtete të tjera. Burime pranë kësaj agjencie bëjnë të ditur se përpjekjet për të kontaktuar me ta kanë qenë të mira. Në lidhje me këtë çështje burime pranë ATK-së theksojnë se këto përpjekje kanë sjellë rezultate të kënaqshme, pasi jo vetëm që kanë mundur të kontaktojnë me emigrantët e ardhur, por në të njëjtën kohë edhe të krijojnë një lidhje për të pasur një komunikim të vazhdueshëm dhe të ndërsjellë. Mbi të gjitha emigrantët e ardhur kanë filluar t’u përgjigjen detyrimeve të tyre, duke i shlyer ato. Kjo gjë ka bërë të mundur që tashmë çdo muaj të arkëtohen 2 deri në 3 milionë lekë. Ndërkaq punonjësit e ATK-së u kanë shpjeguar emigrantëve edhe vendimet më të fundit të qeverisë, të cilat ofrojnë favore dhe lehtësi për të gjithë debitorët që paguajnë rregullisht këstet mujore. Veç sa më sipër, emigrantëve u janë shpjeguar edhe sanksionet që ndërmerren kur ata u shmangen detyrimeve. Ndërkohë burimet në fjalë sqaruan gjithashtu se për të gjithë debitorët që synojnë t’u shmangen detyrimeve do të ketë sekuestrim të pasurive të paluajtshme, ashtu siç është vepruar edhe më parë. Të njëjtat burime pohuan se aktualisht kjo agjenci numëron 580 debitorë, të cilët shtrihen në gjithë hapësirën e Qarkut të Korçës, ku që të gjithë janë në proces trajtimi. Ndërkohë burimet saktësojnë se 200 prej tyre tashmë i kanë kaluar zyrës së përmbarimit, e cila do të bëjë sekuestrimin e kolateralit apo të pasurive të paluajtshme. Sipas burimeve pranë ATK-së, askush të mos mendojë se kreditë e tërhequra do të falen

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›