E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Buxheti shtesë, 150 milionë euro

Ministria e Financave po planifikon që në buxhetin suplementar të gjashtëmujorit të dytë 2008 të akordojë shumën prej rreth 150 milionë eurosh. Kjo do të japë mundësi për të mbështetur popullatën me rritje të rrogës dhe pensioneve, për të përballuar pasojat që vijnë nga rritja e çmimeve të ushqimeve. Deklarata erdhi nga ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë debatit televiziv në "Top Channel" ("Top Story"), ku diskutohej për rritjen e çmimeve ushqimore në tregjet botërore dhe ato vendas. Ministri, ndër të tjera, tha se po punohet për të bërë një politikë të rritjes së pagave dhe pensioneve, pa ndikuar në inflacion. Në total të ardhurat tatimore për periudhën janar-prill 2008 u realizuar në masën 111.8%, ose rreth 40 milionë dollarë mbi planin. Për muajin prill 2008 kemi një tejkalim prej rreth 6 milionë dollarësh, ose në masën 107.2%. Krahasuar me vitin 2007 për këtë periudhë janë arkëtuar më shumë rreth 93 milionë dollarë, ose në masën 124%. Rritje ka pasur dhe te kontributet e sigurimeve shoqërore me 24%, ose arkëtim në masën e rreth 30 milionë dollarëve. Sipas DPT-së, kjo rritje ka ardhur si pasojë e minimizimit të informalitetit të tregut të punës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›