E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenderët, si abuzon administrata

Institucionet shtetërore nuk dinë të zhvillojnë tendera, kanë mungesë të theksuar në zbatimin e ligjit e mbi të gjitha vonojnë qëllimisht procedurat për të favorizuar subjektet klienteliste. Po ashtu, institucionet shtetërore nuk respektojnë afatet për vlerësimin e ankesave, si dhe nuk vendosin fondin limit në procedurat e prokurimit publik, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit miliona lekë dëme. Avokati i Prokurimit Publik (AvP) ka derdhur në Raportin Vjetor 2007 një lumë kritikash ndaj administratës shtetërore, duke e cilësuar si të paaftë në kryerjen si duhet të procedurave të prokurimit publik. Madje për këtë, Avp-ja ka fajësuar edhe Agjencinë e Prokurimit Publik (APP), si indiferente në trajtimin e këtyre problematikave, ndërsa në raste kur janë vërejtur shkelje, nuk ka marrë në konsideratë rekomandimet e Avokatit të Prokurimeve. Raporti është depozituar dje në zyrat e Kuvendit dhe pritet të diskutohet në komisionin parlamentar për ekonominë dhe financat. I përmbledhur në 30 faqe, ky është raporti i parë i AvP-së, i krijuar në muajin tetor 2007, për qëllim të asistencës ndaj subjekteve private në rast të shkeljeve të procedurave në tender. Ky institucion i vjen në ndihmë jo vetëm privatit, por edhe enteve publike, për rastet kur këta të fundit konstatojnë shkelje të procedurave si nga biznesi, ashtu dhe nga APP.

Raporti

Administrata shtetërore anulon qëllimisht procedurat e prokurimit, duke vijuar abuzivisht me kontratat e mëparshme. Sipas AvP-së, nga ankesat e subjekteve private janë konstatuar fenomene të cilat kanë dëmtuar rëndë konkurrencën e operatorëve ekonomikë dhe buxhetin e shtetit, pasi ofertat kanë rezultuar më të lira se kontrata e mëparshme. Në plot raste, autoritetet kontraktore e anulojnë tenderin pa dhënë argumente bindëse, duke shmangur plotësisht konkurrencën. Rastet janë konstatuar më së shumti në KESH, Spitalin Ushtarak, rajonet hekurudhore etj. Probleme hasen dhe në zbatimin e kritereve ligjore për hartimin e dokumenteve të tenderit, ku disa raste bëhen ndryshime të kërkesave të përgjithshme për kualifikim. Lidhur me rastin, Avp ka kërkuar nga APP anulimin e tenderit, por kjo e fundit është treguar tolerante. "Kemi pasur ankesa lidhur me kriteret e veçanta për kualifikim, në të cilat vendosen kërkesa që mund të favorizojnë subjekte të caktuara dhe krijojnë premisa për shmangien e konkurrencës së ndershme". Rasti tipik sipas AvP-së, i përket Postës Shqiptare dhe QKR-së.

Ankesat

Gjatë aktivitetit dymujor të AvP-së (nëntor-dhjetor 2007) janë depozituar 28 ankesa nga bizneset private, duke kontestuar vendimet e autoriteteve kontraktore dhe APP-së. Nga këto ankesa, 10 janë marrë në konsideratë nga AvP-ja, me nisjen e hetimit, ndërsa për 18 rastet e tjera nuk kanë nisur hetimet, pasi pretendimet e tyre nuk qëndrojnë. Po ashtu, gjatë vitit 2007, APP ka përjashtuar nga e drejta për të marrë pjesë në tendera subjekte të ndryshme, ku sipas AvP-së, "jo për të gjithë është vendimi i duhur".

METE, zvarritje me tenderët e HEC-ve

Ndër ministritë më të kritikuara nga Avokati i Prokurimeve është ajo e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Sipas AvP-së, gjatë vitit 2007, kjo ministri ka zvarritur dhe anuluar pa arsye procedurat për dhënie me koncesion të ndërtimit të hidrocentraleve. Subjektet janë ankuar për zvarritje me periudha të gjata kohore, fenomen negativ ky sipas AvP-së, që ul besimin e operatorëve ekonomikë, të cilët angazhojnë ekspertë dhe harxhojnë shumë kohë e fonde për realizimin e projekteve koncesionare. Sipas AvP-së, ministria po sjell pasoja negative për ekonominë e vendit, duke ngritur dyshime për transparencë në konkurrim.

Mangësitë e administratës shtetërore

1 Nuk zbatojnë kriteret ligjore për hartimin e dokumenteve të tenderit

2 Nuk zbatojnë kriteret ligjore për përcaktimin e fondit limit në procedurat e prokurimit

3 Nuk zbatojnë afatet ligjore për trajtimin e ankesave, duke lidhur e vazhduar kontratat

4 Anulojnë qëllimisht procedurat e prokurimit, duke vazhduar në mënyrë abuzive kontratat me subjektet e mëparshme

5 Caktojnë komisione që nuk kanë njohuri të mjaftueshme për zhvillimin e tenderit

Zhduken 1.1 miliardë lekë

Për tre muajt e parë KLSH konstaton dhe 9 milionë euro të vjedhura në 2005-2007

Abuzimeve prej rreth 6.1 miliardë eurosh të konstatuara në raportin vjetor të vitit 2007, Kontrolli i Lartë i Shtetit u ka shtuar dhe 1.1 miliardë të tjera, të cilat janë zbuluar vetëm për tremujorin e parë të vitit 2008. Në buletinin e parë të kontrolleve për këtë vit, KLSH, ka ushtruar 84 kontrolle, ku ka gjetur një dëm efektiv prej 1.11 miliardë lekësh. Sipas KLSH-së, ky dëm efektiv i përket veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhën kohore 2005-2007, përcaktuar për çdo subjekt të kontrolluar, në programet e kontrollit. Për tremujorin I të vitit 2008, Kontrolli i Lartë i Shtetit, nga 32 kontrolle të planifikuara për evadim ka ushtruar dhe ka vijuar me përgatitjen e materialeve për 84 kontrolle, nga të cilat; 36 janë të përfunduar e të evaduar, 27 janë të përfunduar si proces kontrolli në subjekt, por të paevaduar dhe 21 të tjera janë në proces kontrolli.

Abuzimet

Kontrolli i lartë i Shtetit nuk ka bërë publike me detaje se ku dhe në ç‘masë janë konstatuar përkatësisht këto shkelje, por ka informuar vetëm për institucionet që janë kontrolluar. Sipas buletinit të KLSH-së, ky dëm në total është gjetur nga kontrolli i 5 ministrive dhe institucioneve qendrore, 15 institucione të administratës së qeverisjes vendore, 3 njësive me projekte me financime të huaja dhe në 8 drejtori dhe degë të tatim-taksave e të doganave. Po kështu, janë konstatuar dëme edhe në 5 shoqëri me kapital të përbashkët shtetëror. Ky dëm efektiv i përket veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhën kohore 2005-2007 dhe i bashkëngjitet atij të publikuar tashmë në fund të vitit prej 6.5 miliardë lekësh. Kështu, dëmi total i zbuluar nga KLSH, gjatë vitit të kaluar, por edhe për tre muajt e parë të vitit, që e çon dëmin total të shkaktuar nga administrata publike në periudhën prej vitit 2005 deri në vitin 2007 në 7.2 miliardë lekë ose e thënë ndryshe në 60 milionë euro.

Abuzimet vazhdojnë

Raportet e fundit të KLSH-së konfirmojnë faktin se administrata vazhdon të shkaktojë dëme të konsiderueshme duke abuzuar me paratë publike, të cilat në masën e zbuluar janë sa 10% e totalit të investimeve publike për vitin 2006. KLSH thotë se vitet e fundit ka një zbatueshmëri në rritje të masave që ajo rekomandon ndaj abuzuesve, megjithatë kjo nuk ka ndikuar në frenimin e abuzimeve. Përkundrazi. Gjatë vitit të kaluar, KLSH konstatoi një dëm që ishte gati 15 milionë euro më i madh se ai që kishte konstatuar në vitin 2006. Për 2007-ën janë kryer 198 kontrolle, gjatë të cilave janë konstatuar shkelje e parregullsi financiare, për të ardhurat në buxhetin e shtetit dhe për shpenzimet me fondet buxhetore, me dëm efektiv të përgjithshëm në shumën totale prej 6.059.325.000 lekësh, ndërsa për tremujorin e parë të këtij viti 84 kontrolle.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›