E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Gara për PD-në e Tiranës, e hapur

Nxehet gara dhe shtohen rivalët për kreun e PD-së, Tiranë. Sekretari i përgjithshëm i selisë blu, Ridvan Bode, sqaron se i ka kthyer përgjigje për garën të gjithë deputetëve apo kandidatëve që e shikojnë veten në garë për kreun e PD-së së kryeqytetit. Megjithëse është Kryeministri Sali Berisha ai që do të merret drejtpërdrejtë me garën në Tiranë dhe Durrës, strukturat e PD-së janë vënë në lëvizje për zëvendësuesin e Sokol Olldashit në Tiranë. Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, pohoi se ka marrë letrën e kandidatit demokrat për Tiranën, Besnik Mustafaj, që parashtron kërkesat e tij për kandidim. Bode sqaron se i ka kthyer përgjigje në bazë të rregullores dhe statutit që përcakton partia, çdo kandidati. Bode thekson se "më kanë ardhur shumë letra, e-maile etj., i kam kthyer të gjithëve përgjigje, nuk shoh asnjë argument se përse letra e zotit Mustafaj të vlerësohet ndryshe". Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike nuk preferoi t‘i japë emrat e njerëzve që kanë aplikuar për PD-në e Tiranës, por tha se mes tyre ka edhe emra të pa bërë ende publikë. Deri tani, në garë janë Besnik Mustafaj, Edi Paloka dhe Gjergji Bojaxhi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›