E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pagat, rritje para zgjedhjeve

Këshilltari ekonomik i Kryeministrit, Petraq Milo, zbulon për "Shqip" mënyrën sesi do të përdoret buxheti i shtetit për vitin 2009, prej 5 miliardë dollarësh. Nga kjo shumë, 160 milionë dollarë ose 15.7 miliardë lekë konsiderohen nga qeveria shqiptare si fond rezervë në rast se Shqipëria në 2009-ën preket nga kriza ekonomike. Këshilltari i Kryeministrit Berisha tregon edhe mënyrën sesi do të rriten pagat e buxhetorëve dhe pensionet më 1 maj të 2009-ës, pak muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Shpërndarja e buxhetit, rritja ekonomike, rritja e ndjeshme e çmimeve në diferencë me katër vjet më parë janë disa nga çështjet të cilave këshilltari Petraq Milo u ka dhënë përgjigje gjatë intervistës.

Kriza globale ekonomike ka pushtuar vendet më të zhvilluara të botës. Fatmirësisht Shqipëria nuk është prekur nga kjo krizë. Por sa i përgatitur është vendi ynë për ta përballuar këtë dhe a është parashikuar ndonjë fond rezervë?

Sigurisht. Çështjen e krizës do ta ndajë në tri aspekte. Në aspektin e parë do të thosha vetë buxheti, rritja ekonomike dhe rekomandimet që kanë dhënë forume të ndryshme ndërkombëtare në lidhje me përgjigjen ndaj krizës. Në pjesën e parë për buxhetin, vetë politika e buxhetit të katër viteve dhe vazhdimësia e saj në politikat fiskale është një përgjigje adekuate ndaj krizës, në kuptimin në radhë të parë të uljes së deficitit, gjë që krijon hapësira të mëdha për marrjen e kredive në sektorin privat. Në radhë të dytë, uljen e barrës fiskale që ka qenë një nga rekomandimet e grupeve si G-20 etj., që qeveritë duhet të ndërmarrin politika në mbështetje të biznesit. Në 2009-ën këto politika do të vazhdojnë me uljen e kontributeve të sigurimeve shoqërore. Njëkohësisht kredia buxhetore ka qenë kredi e mbështetjes së investimeve publike. Bashkërendimi i politikës fiskale me politikën ka prodhuar një situatë të qëndrueshme makroekonomike në këto katër vite. Në pikëpamjen teknike, është e rëndësishme marrja parasysh e efekteve të mundshme si në të ardhurat dhe shpenzimet, gjë që në të ardhurat është karakterizuar nga një vlerësim optimal dhe në shpenzimet janë parashikuar elemente të kontigjencës.

A ka ndonjë shifër sesa rezerva ka Shqipëria për të përballuar këtë krizë në rast se preket Shqipëria?

Sigurisht që ka një shifër. Fondi rezervë është në shifrën rreth 15.7 miliardë lekë. Ky është dukshëm më i lartë sesa viti 2008-të. Politikat në përgjigje të krizës janë politika të cilat do të kërkonin mbështetjen e rritjes së prodhimit vendas. Unë e theksova se shpërndarja e investimeve publike në mbështetje të infrastrukturës, energjisë, bujqësisë, si dhe sektorëve të tjerë kanë krijuar dhe do të vazhdojnë të krijojnë një mbështetje për një rritje të prodhimeve vendase. Në 9-mujorin e 2008-ës kemi një rritje të eksporteve 43%. Kemi një rritje të konsiderueshme të eksporteve bujqësore. Ky është një tregues i drejtpërdrejtë i mbështetjes së rritjes së prodhimit vendas.

Zoti Milo, në ç‘mënyrë është parashikuar rritja ekonomike në buxhetin e 2009-ës dhe në ç‘formë politika financiare do të shkojë në favor të biznesit?

Normalisht që buxheti i shtetit bëhet një instrument i fuqishëm i shpërndarjes së fondeve publike. Është mënyra me të cilën qeveria bën rishpërndarjen e fondeve publike. Kur flasim për buxhetin e 2009-ës, ajo që është e veçuar në këtë buxhet është ecuria progresive në rritje në katër vitet e qeverisjes nga 2005-2009. Nga pikëpamja sesi e ka mbështetur ky buxhet rritjen ekonomike, në radhë të parë doja të veçoja se të ardhurat fiskale në buxhetin e katër viteve janë shumëfishuar dhe nëse do krahasonim dy periudhat katërvjeçare, kemi një rritje në masën 83% të të ardhurave tatimore. Kjo rritje e të ardhurave është bërë në një situatë në të cilën barra fiskale

është përgjysmuar, nga 2005-a për tatimet për biznesin e vogël, duke vazhduar më tej në uljen për tatimin mbi të ardhurat personale dhe kontributin e sigurimeve shoqërore, dhe duke vazhduar në vitin 2008 në uljen e tatimit mbi korporatën pra 10% dhe në përfundim të katërvjeçarit uljen e mëtejshme të kontributit të sigurimeve shoqërore në një maj të 2009-ës në 15% për punëdhënësit. Në këtë aspekt kemi dy efekte të menjëhershme. Kemi rritjen e të ardhurave në kontekstin e një politike fiskale më të ulët në rajon dhe që ka lehtësuar bizneset dhe njëkohësisht dhe krijimin e mundësive që me këto të ardhura të investohet më shumë për investimet publike dhe në uljen e deficitit buxhetor. Po të analizojmë të ardhurat në vetvete, të gjitha këto kanë një rritje që shkon nga nivelet 80-90% në funksion të llojeve të tatimeve që ka treguar se lufta ndaj informalitetit ka qenë shumë e vlefshme. Kombinimi i dy politikave, pra me politikën e uljes së taksave dhe forcimit të administrimit fiskal ka dhënë efektin e saj në rritjen e të ardhurave. Është hequr pjesa e evazionit për arsye se konsumi i individit nuk ka ndryshuar. Njëkohësisht rritja e të ardhurave ka sjellë rritjen e investimeve, të cilat janë mbështetje direkte të rritjes ekonomike për faktin se në 2009-ën arrijmë në një mesatare që ka shkuar nga 7% deri në 9% të prodhimit të përgjithshëm bruto të tre viteve të njëpasnjëshme. Në vitin 2007-të investimet publike në përqindje të produktit bruto janë 6%, në vitin 2008 rreth 9%. Këto ritme kaq të larta që janë dukshëm më të larta se vendet e rajonit janë mbështetësit kryesorë të rritjes ekonomike. Rritja e të ardhurave çon në uljen e deficitit buxhetor. Fakti që qeveria do të marrë më pak borxh në tregun e parave, tregon se kjo shpreh mundësinë e lejimit të biznesit privat që të marrë sa më shumë kredi në tregun financiar. Politika e buxhetit shkon në favor të mbështetjes së biznesit.

Ju folët për rritjen e të ardhurave dhe rritjen e çmimeve. Në fakt ka një lloj paqartësie: çmimet kanë qenë shumë herë më të ulëta katër vjet më përpara, dhe mendohet se ka një rritje më të madhe të çmimeve sesa të rrogave. Ǒmendoni për këtë?

Pa folur për efektin e rritjes së çmimeve, për të ardhurat do të thosha që të gjitha aludimet që bëhen për të ardhurat e krahasuara në katër vite janë një element propagandistik. Sado që të jetë efekti i çmimeve, efekt i cili është 3-4% në vit, që në totalin e katër viteve të akumuluara shkon në 16%, por kjo absolutisht është shumë larg rritjes së krahasuar të dy periudhave 2001-2004 dhe 2005-2009 për rreth 90% më të larta. Për pjesën e shpenzime do të theksoja se këto katër vitet e fundit është bërë një politikë që shërben në rritjen e pagave kryesisht të shtesave më të ulëta. Me dyfishimin e pagave për sektorët e arsimit dhe shëndetësisë, si dhe rritjen prioritare të pagave të ulëta në 2009-ën, jo vetëm që mbulon këtë indeksim, por kemi një rritje reale të pagave mbi masën 80-90%. Dyfishimi i pagave është një rritje reale e tyre.

Ndalemi pak te kategoria e pagave. Si do bëhet rritja e tyre dhe çfarë është parashikuar?

Rritja do bëhet në 1 maj. Kjo rritje do të bëhet përpara zgjedhjeve, në mënyrë që të mos influencojë procesin zgjedhor. Ajo do të ketë të njëjtën formulë. Pra do mbështetet sektori i arsimit dhe shëndetësisë për të dyfishuar pagat për mësuesit dhe mjekët. Do të rritet në mënyrë prioritare më shumë sesa vlera e inflacionit, pra nivelet e pagave të ulëta, dhe do të indeksohen pagat e larta. Rritja e pagave do të mbështesë arsimin si një nga elementët kryesorë të rritjes ekonomike. Shkaku i varfërisë sipas shumë studimeve dhe eksperiencave është arsimimi i ulët i qytetarëve. Përkundrazi, arsimi i lartë është një nga parakushtet e nevojshme jo vetëm për emancipimin e shoqërisë, por edhe për të siguruar rritje të larta ekonomike. Në dekadat e fundit vendet që kanë pasur një rritje ekonomike të lartë dhe të konsiderueshme kanë aplikuar dhe norma të larta të investimeve dhe financimit të arsimit. Qeveria në sektorin e arsimit nuk është mbështetur thjesht për të ofruar rritjen e pagave në arsim, por janë një sërë elementesh apo reformash si ligji për arsimin e lartë, reforma e maturës shtetërore, regjistrimi në universitetet, reforma e tekstit alternativ etj. Gjithashtu përmirësimi dhe rritja e investimeve në arsim jo vetëm me rikonstruksionin por dhe me ndërtimin e objekteve të reja kanë sjellë uljen e numrit të nxënësve në klasë dhe përmirësimin e kualiteti të mësimdhënies. Aspekti tjetër social i domosdoshëm është rritja e pensioneve, kryesisht rritja e pensioneve të fshatit në masën 20% gjë që tejkalon dyfishin e pensioneve dhe kategorive të tjera të të ardhurave pensionale në fshat në vitin 2009 krahasuar me vitin 2005, si dhe rritja me 10% e pensioneve në qytet, gjë që e çon mbi 50% rritjen e pensioneve në periudhën katërvjeçare.

Ku është përqendruar më shumë buxheti i 2009-ës?

Investimet publike zënë vendin kryesor në buxhet, sepse ato janë një faktor në zhvillimin ekonomik. Rruga Durrës-Kukës, Rruga e Arbrit, rruga e bregdetit Vlorë-Sarandë, rruga Qafë Plloçë-Korçë, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë jo vetëm ndikojnë në rritjen dhe zhvillimin e kompanive private për të kryer punime, por edhe ndikojnë në transportin dhe lëvizjen e mallrave, uljen e varfërisë, integrimin rajonal, etj. Buxheti është përqendruar edhe në sektorin e bujqësisë, duke ndihmuar fermerët me kredi të zbutura. Në pjesën tjetër të shpenzimeve, kjo politikë e të ardhurave ka ndikuar në uljen e deficitit buxhetor, që në radhë të parë ka efektin në uljen e masës së kredisë që kërkon buxheti i shtetit dhe lënien e hapësirës më të madhe për të marrë kredi sektori privat. Por edhe mund të themi se deficitet e ulëta bëjnë të mundur një faktor të mbajtjes nën kontroll të inflacionit, nivele të cilat në Shqipëri kanë qenë disa herë më të ulëta se vendet e tjera të rajonit apo më gjerë.

Për shpërndarjen e buxhetit, sa për qind do të përdoren për shpenzimet publike, arsimin, shëndetësinë etj? A keni ndonjë të dhënë konkrete për këta sektorë?

Sigurisht që ka. Në pjesën më të madhe, po ta shprehnim shpërndarjen e buxhetit sipas prioriteteve, do të theksoja që

në radhë të parë është sektori i arsimit, shëndetësisë, politikat sociale e politikat ekonomike, si dhe politika të cilat janë në përputhje me hapat e Shqipërisë në integrimin e saj euroatlantik. Po të shikojmë shpenzimet për arsimin do të thosha që ato shkojnë në 4% të prodhimit të përgjithshëm bruto në 2009-ën. Ka një rritje sasiore, por edhe cilësore, gjë që është një zhvillim pozitiv dhe nuk është në përputhje me pretendimet e ndryshme të cilat bëjnë me dije se shpërndarja e fondeve në arsim ka qenë e ulët. Përkundrazi, një tregues i tillë është një tregues shumë pozitiv që në kuadrin e katër viteve kemi një rritje prej 1% të prodhimit të përgjithshëm bruto. Pjesa e dytë e shpenzimeve është për shëndetësinë, shifër kjo që shkon në 3% të prodhimit të përgjithshëm bruto. Kemi shpenzimet që mbështesin rritjen ekonomike në 5.4% të prodhimit të përgjithshëm bruto, shpenzimet për mbrojtjen sociale në 7.7% të prodhimit të brendshëm bruto. Pa harruar edhe shpenzimet në rreth 2% që janë në sistemin e mbrojtjes për t‘iu përgjigjur kërkesave për integrimin euroatlantik.

Kush e zë pjesën më të madhe të buxhetit?

Kuptohet që rrugët kanë mbi 70% të investimeve publike. Në fund të periudhës katërvjeçare Shqipëria do të ketë plotësuar një infrastrukturë rrugore moderne dhe të përshtatshme, që do ketë efekte në të ardhmen dhe mbështetjen në integrimin e rajoneve, uljen e varfërisë dhe rritjen e flukseve brenda vendit dhe më tej.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›