E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi Elektoral, të enjten në Kuvend

Kodi Elektoral, i kthyer nga Presidenti Bamir Topi në Kuvend, do të kalojë këtë të enjte në sallën e Parlamentit. Komisioni i Ligjeve do të mblidhet sot në një mbledhje urgjente për të vendosur mbi pikat e propozuara nga Presidenti Topi për ndryshim në Kodin Elektoral. Problematika e nenit 9 i Kodit Elektoral, për të cilin Presidenti i Republikës, Bamir Topi, e ka kthyer atë mbrapsht në Parlament, do të marrë sot përgjigje në Komisionin e Ligjeve dhe të enjten do të jetë gati për në Kuvend. Burime të sigurta të Partisë Demokratike konfirmojnë se pjesa e dekretimit të datës së zgjedhjeve do të zgjidhet me një dispozitë kalimtare, e cila do të votohet në Komisionin e Ligjeve. Kjo, do të shmangë edhe përplasjen e ligjit elektoral me Kushtetutën për datën e caktimit të zgjedhjeve vetëm për votimet parlamentare të vitit 2009. Partia Demokratike i cilëson arsyet e kthimit të kodit nga ana e Presidentit si një çështje teknike, e cila do të marrë përgjigje sot në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve.

Konsensusi i PD-PS do të sjellë edhe një dispozitë kalimtare për afatin e zgjedhjeve, në mënyrë që ligji zgjedhor të mos ketë përplasje me afatet kushtetuese, ashtu siç ka këshilluar edhe kreu i shtetit. Saktësimi i afateve në Kodin e ri Zgjedhor për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme, është e vetmja çështje që do të rimerret në shqyrtim nga ana e Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore. Kjo ishte dhe pika e kritikuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, për të cilin ai nuk e dekretoi këtë ligj, të miratuar në Parlament, më 18 nëntor, me një konsensus të gjerë prej 112 votash. Rregullorja e Kuvendit e parashikon qartë që komisioni përgjegjës e shqyrton dekretin vetëm për çështjet e paraqitura nga Presidenti i Republikës. Kjo procedurë në njëfarë mënyre nuk lejon të merren parasysh pretendimet e ngritura së fundi nga parti të vogla parlamentare, të cilat shprehen për rishikim të Kodit Zgjedhor edhe në pika të tjera të tij. Në këtë rast, pasi Kuvendi të miratojë Kodin e ri Elektoral, ai nuk shkon më sërish për dekretim te Presidenti i Republikës.

Gjykata administrative

Komisioni i Ligjeve, megjithëse dje ka anashkaluar nga rendi i ditës çështjen e Kodit Elektoral, mbledhja e sotme do t‘i japë këtij të fundit përgjigjen definitive. Në mbledhjen e djeshme, megjithëse Partia Socialiste kishte premtuar se nuk do të votonte asnjë projektligj për reformën në drejtësi, duket se është gjetur sërish pika e bashkëpunimit. Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa, deklaroi se partia e tij mund të japë votat për të miratuar projektligjin e qeverisë për gjykatën administrative që po diskutohet në komision. Nga ana tjetër, në Komisionin e Ligjeve, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, e ka konsideruar draftin në fjalë një risi në favor të punonjësve të administratës, që janë në konflikt me shtetin. Sipas tij, projektligji i Ministrisë së Drejtësisë synon thjeshtëzimin e gjykimeve dhe ekzekutimit të vendimeve të punonjësve të administratës dhe shtetit, duke ngritur dhe gjykatën administrative.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›