Rama: Shqiptarët kërkojnë drejtësi
Kreu i socialistëve, Edi Rama, deklaroi dje se shqiptarët që votuan më 3 korrik 2005 për një qeveri duarsh të pastra, e shohin më qartë se asnjëherë që vota e tyre ka shkuar dëm. Sipas tij, është dita kur shqiptarët që votuan më 3 korrik 2005 për një qeveri kundër korrupsionit e kuptojnë më qartë se asnjëherë që qeveria është njehsuar me korrupsionin. "Është dita kur shqiptarët që votuan më 3 korrik 2005 për t‘i dhënë Sali Berishës shansin që t‘i udhëheqë jashtë tunelit të korrupsionit, e ndjejnë më qartë se asnjëherë se dalja nga ky tunel është e pamundur me Sali Berishën në krye të qeverisë", tha Rama. Ai insistoi se shqiptarët kanë nevojë më shumë se asnjëherë për të kthyer faqen e zezë të keqqeverisjes së 17 vjetëve tranzicion, që me Sali Berishën e dytë kanë shënuar kulmin e shpërdorimit të votës e të besimit të tyre. "Kërkojnë me zë më të lartë, drejtësi për 26 viktimat e pafajshme të Gërdecit e për qindra familjet e dëmtuara nga vullkani i korrupsionit shtetëror që shpërtheu në Gërdec; drejtësi për qindra miliona euro të grabitura nga fondet e rrugës Durrës-Kukës, të cilat kjo qeveri, që ditën betohet për popullin e natën pasurohet për vete, do t‘ia lërë borxh në kurriz familjeve shqiptare dhe fëmijëve të tyre", u shpreh Rama. Kreu i socialistëve konstatoi se duhet drejtësi për abuzimin marramendës të një grushti pushtetarësh, me një sekser serb që ka kthyer në sekser të tijin Kryeministrin e Shqipërisë dhe brenda tre vjetësh ka bërë në Shqipërinë tonë 50 milionë euro pa pasur asnjë aktivitet tjetër përveç bashkëpunimit korruptiv me qeverinë dhe pa paguar asnjë qindarkë taksa. Sot, unë u them të gjithë shqiptarëve, socialistëve e demokratëve pa dallim, qytetarëve e qytetareve të këtij vendi të marrë peng nga një grusht politikanësh, theksoi Rama, se është koha për t‘i dhënë jetë një bashkimi të ri burrash e grash që duan një Shqipëri të drejtë e të barabartë me të gjithë. "Ora e kthesës po afron, vetëm të bashkuar si shqiptarë e shqiptare, qytetarë e qytetare, pastaj edhe si socialistë e demokratë, që duan një atdhe të denjë për fëmijët e tyre, ne mund ta bëjmë realitet kthesën e madhe", vlerësoi Rama.