Bode: Ka rënë zhvillimi ekonomik, borxhi publik shkoi në 58.7%
Washington- Ministri i Ekonomisë, Ridvan Bode, ka deklaruar në një intervistë për Zërin e Amerikës se ritmet e rritjes ekonomike janë ulur ndjeshëm, dhe gjithashtu borxhi publik është i lartë.
Sipas Bodes, shkak i uljes së ritmeve të zhvillimit është bërë kriza në eurozonë dhe ulja e kreditimit në banka.
Presioni i krizës globale dhe zgjatja e saj kanë një impakt të padiskutueshëm në ekonomitë e vendeve periferike, ku përfshihet edhe Shqipëria. Bankat perëndimore operojnë në të gjithë hapësirën e vendeve të Europës Lindore. Me uljen e nivelit të kreditimit të këtyre bankave, në përpjekje për të rregulluar raportet e tyre të kërkuara nga Banka Qendore, sigurisht që po ndikon edhe në ekonominë e vendit tonë- tha Bode.
Më tej ai u shpreh se duhet të merren masa për uljen e borxhit publik, pasi është më i larti në rajon.
Jemi të përqëndruar në miradministrimin e borxhit publik, jo vetëm kostos, por edhe për ta zvogëluar. Për ekonominë shqiptare por edhe më gjerë, tani sfida është e dyfishtë, për të stabilizuar treguesit makroekonomikë dhe njëkohësisht të ndërtohet një axhendë e zhvillimit ekonomik. Në Shqipëri nuk kemi një rritje të kostos së borxhit ka ngelur në nivelin 58.7 % që është relativisht i lartë në raport me vendet e rajonit- deklaroi ai.
I pyetur mbi vonesat e tenderit për interkonjeksionin ai u shpreh se janë bërë përpjekje të fitojë një kompani me kosto më të lartë dhe për këtë ai i ka dërguar një shkresë Bankës gjermane KFW, që të marrë në konsideratë rregullin që kostoja më e ulët të ketë preferencë.