E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Kriza globale shkurtoi buxhetin

SHKRUAN: Sabina Veizaj 06-07-2011 12:13

Ministri i Financave, Ridvan Bode, çbunkerizoi dje draftin e buxhetit të rishikuar të mesvitit 2011 në komisionin kuvendor të Ekonomisë dhe Financave. Pasi drafti i buxhetit suplementar si asnjëherë tjetër është mbajtur këtë vit në hije të mediave dhe si rrjedhojë publikut, Bode bëri një paraqitje të zërave të përgjithshëm, duke mos detajuar shkurtimet konkrete që i janë bërë përkatësisht institucioneve. Ministri Bode deklaroi dje në fjalën e tij në Komision, gjatë prezantimit të draftit të buxhetit të rishikuar, se ky buxhet suplementar duhet të rishqyrtohet dhe për këtë do të duhen 18.3 miliardë lekë ulje e shpenzimeve administrative. “Viti 2011 po vijon përsëri me një trend pozitiv në rritjen ekonomike dhe sikurse në dy vitet e shkuara, kur presioni i krizës globale ka qenë i dukshëm dhe kur zhvillimet në rajon dhe më gjerë kanë qenë tërësisht të padëshirueshme dhe negative, edhe në këtë vit pritet që Shqipëria të jetë në krye të rritjes ekonomike, por sigurisht jo në nivelet e shpresuara në programimin e fundvitit të kaluar. Mendohet që rritja ekonomike të shkojë në 5% të PBB-së nga rreth 4% që ishte në vitin 2010.”- tha ministri Bode gjatë fjalës së tij në komisionin kuvendor të Ekonomisë dhe Financave. Ai tha se, “Sigurisht që ecuria e të ardhurave flet për një diferencë në krahasim me atë që ne kishim programuar, rreth 4.4 për qind më pak ose 14 mld lekë, për shkak të një ngadalësimi të kërkesës së brendshme konsumatore, për shkak se ndodhemi në një fazë të investimeve private në përmasa më të mëdha, për shkak të ristrukturimit të kapitalit në ekonominë shqiptare, sidomos në tregun e telekomunikacioneve, por normat e interesit janë të stabilizuara megjithë ngadalësimin e pranuar të rritjes ekonomike për shkak të situatës në eurozonë” Ai argumentoi se zhvillimet përgjatë kësaj periudhe kanë vërtetuar një devijim nga programi në drejtim të realizimit të të ardhurave dhe kjo për motive që lidhen me ritmin e rritjes së ekonomisë, por njëkohësisht dhe për efekte të tjera zhvillimi në ekonominë reale dhe në sistemin financiar, të cilat kanë në thelbin e tyre përpjekjet për të riadoptuar strategjitë e bizneseve, për të ristrukturuar në mënyrë të brendshme secila prej kompanive, por edhe gjithë tregu, ekonomia reale dhe ajo monetare në tërësi. “Vëllimi i makinerive dhe pajisjeve është 37 për qind më i lartë si gjashtëmujor, krahasuar me të njëjtin gjashtëmujor të vitit të kaluar, çka do të thotë se kompanitë janë në fazë investimesh. Vëllimi i kredisë për bizneset private është mbi 11 për qind dhe ka tendencë të akselerohet në muajt e fundit”, tha Bode. Sipas ministrit Bode, ekonomia shqiptare vijon të performojë në terma pozitivë dhe vijon me rritjen më të lartë ekonomike në të gjithë kontinentin europian dhe kjo garantohet për vitin 2011. Ndërsa pritet që drafti i buxhetit të rishikuar të votohet të enjten në seancën plenare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›