E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet rriten 4-7 %, pagat indeksohen

Pavarësisht debateve për linjën që do të mbahej në lidhje me mbajtjen në nivelet aktuale të borxhit publik dhe deficitit, pagat dhe pensionet do të rriten. Qeveria, edhe me buxhet nën presion, ka vendosur të rrisë pensionet si të fshatit, ashtu edhe të qytetit e gjithashtu pagat e administratës. Burime nga Financat deklaruan se buxheti suplementar ka vënë në dispozicion në total për rritje pagash dhe pensionesh 2.6 mld lekë, prej të cilave 1,6 mld do të shkojnë për rritjen e pensioneve dhe 1 mld për rritjen e rrogave. Po sipas Financave, rritja e pensioneve në përqindje do të jetë për pensionet e fshatit 7% dhe ato të qytetit 4%. Ndërsa rritja e pagave do të jetë në nivelin e indeksimit të çmimeve. Ndërsa duke iu referuar buxhetit të fillimvitit 2011, shpenzimet e personelit u rritën, bazuar në një politikë konstante në numrin e punonjësve buxhetorë për vitin 2010 e në vazhdim, si dhe në një politikë të kujdesshme të rritjes së pagave. Përllogaritja e tavaneve për paga dhe sigurime shoqërore në vitin 2011 u mbështet në numrin organik të punonjësve, të miratuar me VKM në fuqi. Politika e rritjes së pagave po vazhdon pavarësisht buxhetit nën presion dhe konsiston në një politikë të kujdesshme indeksimi dhe rritje selektive për sektorët prioritarë. Ka qenë kryeministri Berisha në mbledhjen e qeverisë që ka deklaruar vendimin për rritjen e rrogave dhe pensioneve. Ai ka argumentuar rritjen e pagave dhe pensioneve me rritjen pozitive të ekonomisë së vendit që këtë vit pritet të jetë në nivelin e 5%. Sipas tij, rritja e pagave dhe pensioneve bëhet për shkak të modelit të suksesshëm ekonomik që ka pasur mazhoranca që ai drejton.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›