E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Kriza, ulen parashikimet për të ardhurat dhe rritjen

SHKRUAN: Blerina Hoxha 26-10-2011 14:04

Ministri i Financave, Ridvan Bode ka pranuar pjesërisht ndikimet e krizës së vendeve fqinje Greqi dhe Itali në ekonominë shqiptare, duke garantuar se nuk do të ketë implikacione të drejtpërdrejta. Për t’i paraprirë kësaj situate, Bode tha se qeveria ka hartuar për vitin e ardhshëm një buxhet më realist. Ministri ka lënë të kuptohet se parashikimet për rritjen ekonomike dhe të të ardhurave do të jenë në nivele modeste. Ai tha se po merren masa, por pa dhënë sqarime në detaje në një komunikim që pati me median gjatë certifikimit të ekspertëve kontabël. "Ne kemi marrë të gjitha masat që ekonomia shqiptare të preket sa më pak ose të mos preket nga zhvillimet në rajon. Kjo do të thotë që nuk do të ketë implikacione të drejtpërdrejta të zhvillimeve të ekonomive fqinje me ekonominë shqiptare", - tha Bode. Qeveria i parapriu krizës përmes masave që mori duke shtrënguar buxhetin. "Rikthyem vendin në deficitin më të ulët. Përgjatë periudhës së krizës ne ulëm borxhin publik. Me një deficit vjetor prej 3 për qind dhe me një rënie prej 0.7 për qind vitin e kaluar të borxhit tonë publik, sigurisht që tregon koshiencën dhe kujdesin e qeverisë për të mbajtur stabilitetin makro-ekonomik të vendit dhe për ta mbajtur ekonominë shqiptare jashtë vorbullës së krizës", - tha Bode. Ai shtoi gjithashtu se bankat janë të sigurta dhe të mbikëqyrura fort. "Bankat që veprojnë në tregun tonë mbikëqyren nga Banka e Shqipërisë, si autoriteti mbikëqyrës dhe që janë në gjendje të mirë financiare, të kapitalizuara mirë", - tha Bode. Ndërkohë që ministri ka shtuar se janë marrë masat antikrizë, duke pohuar se janë rishikuar treguesit e buxhetit, në fakt vetëm sa ka pohuar se vendi tashmë po vuan pasojat e krizës, të cilat këtë vit u shfaqen në të gjitha format, duke e shtrirë efektin nga ekonomitë familjare deri tek buxheti, të ardhurat e të cilit ranë dukshëm këtë vit. Por pavarësisht të gjitha këtyre zhvillimeve, ekonomia shqiptare pritet të performojë pozitivisht edhe vitin që vjen. Mirëpo e detyruar nga situata që po kalon ekonomia këtë vit dhe ajo që pritet të pasojë gjatë vitit që vjen, Ministria e Financave i ka bërë parashikimet për vitin që vjen duke u bazuar në një rritje ekonomike të vendit në nivelin rreth 3 për qind. Në raportin e fundit FMN paralajmëroi se kriza e eurozonës mund të ketë pasoja të rënda në ekonominë shqiptare, duke i kërkuar të marrë masa urgjente për të ulur borxhin e lartë publik dhe disiplinimin e financave të vendit. Për herë të parë në një dokument zyrtar të detajuar, ku skanohet ekonomia shqiptare, FMN-ja thotë se kriza e eurozonës mund të ketë pasoja të rrezikshme për vendin. “Shqipëria ka lidhje të forta me Greqinë dhe Italinë, jo vetëm tregtare, por edhe në tregun e punës dhe sistemin bankar. Këto dy të fundit mund të rezultojnë në pasoja substanciale, ku rreziku më i madh është ai i infektimit të sistemit bankar”, - thotë raporti. Borxhi i pashlyer në banka, nga 3 për qind e totalit përpara krizës është gjashtëfishuar duke arritur në gati 18 për qind. Fondi thotë se shkaku kryesor i përkeqësimit të kredisë është dobësia e institucioneve dhe sistemit gjyqësor në vend, që pengojnë ekzekutimin e garancive. Zgjidhja e kësaj çështjeje duhet të jetë sipas FMN-së një nga prioritetet kyçe afatshkurtra të Shqipërisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›