Shpifi për Vokshin, gjykata gjobë deputetit Gaçi
Tiranë Një ditë pas dënimit të deputetit Sajmir Tahiri, Gjykata e Tiranës ka dënuar dje sërish një deputet të Partisë Socialiste, i akuzuar për shpifje dhe shkaktim dëmi nga deputetja Albana Vokshi. Gjykata ka shpallur fajtor deputetin Artan Gaçi, i cili sipas vendimit të gjykatës, duhet t’i paguajë si dëmshpërblim për akuzat, që nga gjykata janë cilësuar shpifje, 20 milionë lekë të vjetra deputetes Albana Vokshi. Vendimi është dhënë nga gjyqtari Fatri Islamaj, pas një procesi që ka zgjatur 12 seanca gjyqësore, duke arritur në përfundimin se deklaratat publike të deputetit Gaçi janë shpifje. Gaçi kishte deklaruar se “bashkëshortit të ish-këshilltares së Kryeministrit i janë kaluar kontrata për blerje nafte nga nëntoka shqiptare për 25- vjet”. Sipas tij, “3 zonat naftëmbajtëse që i janë falur Albana Vokshit, kanë qenë prodhuese të naftës prej vitesh”. Po ashtu, paditësja Vokshi ka depozituar në gjykatë të gjitha deklaratat publike të bëra nga deputeti Gaçi pas debatit publik për korrupsion me lejet e ndërtimit nga ish-kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama. Vendimi i djeshëm i gjykatës vjen pas dy vendimeve të ngjashme, të dhëna nga gjyqtarë të ndryshëm. Më herët gjykata ka dënuar me 10 milionë lekë gjobë deputetin Eduart Shalsi, i cili u akuzua nga Albana Vokshi për shkaktim dëmi moral dhe cenim personaliteti nëpërmjet deklaratave publike të pavërteta. Ndërsa ditën e djeshme gjyqtari Asim Vokshi dënoi me 33 milionë lekë gjobë deputetin Sajmir Tahiri, i cili ishte paditur nga deputetja Vokshi për të njëjtat arsye.