Kodheli: Të ulen borxhi dhe taksat
Qeveria duhet të ulë borxhin publik nga 60 për qind në nivelin 40 për qind”, - tha dje përfaqësuesja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli. "Ne në përgjithësi dëgjojmë përfaqësuesit e qeverisë, të cilët dalin dhe thonë se e kemi borxhin poshtë 60 përqindëshit. Një vend si Shqipëria duhet ta ketë borxhin në nivelin 40 për qind. Mesatarja e vendeve në zhvillim e ka 47 për qind", - tha Kodheli. Nënkryetarja socialiste në komisionin e Ekonomisë argumenton se është pikërisht buxheti, ai që po e kërcënon sistemin bankar. "Qeveria ka borxhe të mëdha ndaj biznesit për punët e papaguara. Qeveria ka borxhe të mëdha ndaj rimbursimit të TVSH-së, gjë që do të thotë që problemet e mëdha, borxhet e mëdha që qeveria sot ka me biznesin, i ka transferuar në një sistem tjetër, i cili është sistemi bankar", - tha Kodheli. Situata duhet të përballet sa më shpejt që të jetë e mundur nga qeveria shqiptare, nga banka e Shqipërisë dhe nga të gjitha institucionet që janë përgjegjëse për situatën financiare në Shqipëri, e cila nuk është ajo që paraqitet nëpërmjet qeverisë, nëpërmjet Bankës së Shqipërisë apo nëpërmjet institucioneve si INSTAT-i”, - tha Kodheli. Ajo risolli në vëmendje ndaj qeverisë një kërkesë të opozitës për uljen e TVSH-së për ilaçet dhe ushqimet. Sipas Kodhelit, skema e re do të sillte pagesa taksash në bazë të konsumit. “Në kushtet e krizës së rëndë ekonomike e të rënies katastrofike të fuqisë blerëse të çdo familjeje që rron me pagën e punës a me ndihmë ekonomike, jo me korrupsion, heqja e TVSH-së mbi bukën, qumështin, vezët dhe ilaçet, si dhe përgjysmimi i TVSH-së mbi produktet e tjera ushqimore bazë janë e vetmja rrugë sot për lehtësimin e barrës mujore të jetesës së shqiptarëve”, - tha Kodheli. Shqipëria është një nga vendet me taksat më të larta mbi ushqimet. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është i fiksuar në nivelin 20 për qind, kur në vendet e BE-së, për ushqimet TVSH-ja shkon nga 0-10 për qind. Opozita thotë se kjo është e papranueshme. "Pesha specifike që zënë sot taksat konsumatore, TVSH dhe akciza, në çmimin e produkteve ushqimore bazë, është 28%", - tha Kodheli. Vitin e kaluar qeveria mblodhi 175 milionë dollarë Tatim mbi Vlerën e Shtuar vetëm nga ushqimet në import, faturë që paguhet e gjitha nga qytetarët në çmimin e produkteve. Mirëpo, propozimi i PS-së shkon në linjë të kundërt me rekomandimet e FMN-së, i cili kërkoi rritjen e taksave.