Bode: Ligji për minatorët, me kosto të lartë dhe për qëllime elektorale
Me votën e mazhorancës kundër dhe atë të opozitës pro, Kuvendi rrëzoi dje propozimin e një grupi deputetësh të opozitës për statusin e minatorit. Me 57 vota kundër, 42 pro, merr fund edhe debati i opozitës, e cila për një kohë të gjatë është ankuar se kjo nismë ligjore nuk përfshihej në axhendën e Kuvendit.
Ministri i Financave Bode sqaroi votën kundër të mazhorancës ndaj nismës së opozitës. Sipas tij, projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 8685, datë 9. 11. 2000 “Për trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë, të ndryshuar”, ka një kosto të lartë të papërballueshme. Një tjetër arsye sipas Bodes, është se ky projektligj ka më shumë qëllime elektorale. Nga ana tjetër, opozita kërkoi që ndryshimi për këtë projektligj të përfshijë kërkesat e bëra prej kohësh nga minatorët, të cilët kërkojnë të trajtohen me statusin përkatës dhe të përfitojnë rritjen e pensioneve. Ndërkohë ministri i Financave, Ridvan Bode, tha se dhënia e statusit duhet të ndjekë një logjikë, të këtë një përvojë dhe të ndjekë modelet e vendeve me qeverisje të mirë, në mënyrë që të ndërtojmë një shoqëri të drejtë dhe jo një shoqëri të deformuar, thjesht për motive elektorale dhe qëllime politike. "Dhënia e këtij statusi është 3 miliardë lekë dhe kostoja e këtij projektligji është e papërballueshme nga buxheti i shtetit dhe për më tepër, kjo është skemë shteruese, pasi përfituesit kalojnë çdo vit në skemën e pensionit të pleqërisë”, - tha Bode. Ndërkohë që opozita deklaroi se “për shkak të shkallës së lartë të vështirësisë së punës në miniera, si dhe për shkak të sëmundjeve profesionale, jetëgjatësia e minatorëve është shumë më e ulët se jetëgjatësia mesatare e popullsisë. Për këtë shkak edhe vitet e përfitimit të pensionit nga kjo kategori punëmarrësish është shumë më e ulët se pjesa tjetër e pensionistëve që kanë punuar në sektorë të tjerë të ekonomisë”.
Detaj
3 miliardë lekë është kostoja e këtij projektligji që u cilësua nga Bode si e papërballueshme nga buxheti i shtetit