Topalli në Itali me ftesë të Finit
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, niset sot për një vizitë në Itali, ku do të marrë pjesë në konferencën me temë "Parlamentet në procesin e Asociim-Stabilizimit dhe integrimit evropian dhe mesdhetar", me ftesë të Presidentit të Dhomës së Deputetëve të Italisë, Xhanfranko Fini. Zyra e shtypit pranë Kuvendit, bëri të ditur përmes një njoftimi se “Kryetarja Topalli pritet të mbajë dhe një referat për sa i përket çështjes së procesit të Asociim-Stabilizimit dhe integrimit evropian dhe mesdhetar". Konferenca do të mbahet sot në “Pallatin Monteçitorio", (Parlamenti), në Romë, me pjesëmarrjen e kryetarëve të parlamenteve dhe përfaqësues të legjislativit nga Bosnje-Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Ajo mbështetet nga Ministria e Jashtme e Italisë dhe Instituti i Marrëdhënieve mes Italisë dhe vendeve të Afrikës, Amerikës Latine dhe Lindjes së Mesme. Gjatë vizitës në Itali, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, do të ketë takime edhe me përfaqësues të lartë të ekzekutivit italian.