Ndoka: Nuk ikim nga koalicioni, presim reflektim
“Ndryshimet në qeveri, nën shantazhin e Gërdecit”
PDK-ja, e paqartë për votat ndaj qeverisë së re
Pavarësisht përjashtimit nga qeveria, PDK-ja shpreson tek Kryeministri Sali Berisha për një vendim të dytë, i cili të mund të rikthejë në ekzekutiv demokristianët. Kryesia e PDK-së pret që Kryeministri dhe kryetari i PD-së, z.Sali Berisha, të reflektojë me gjakftohtësi dhe të rishikojnë marrëdhëniet e tij me PDK-në, e cila aktualisht, sipas kryetarit Nard Ndoka, përbën një nga partitë kryesore të mazhorancës së djathtë. Sipas tij, qëndrimi përjashtues dhe mosvlerësimi i kontributeve të PDK-së në qeverisjen e vendit, në realizimin e reformave dhe në zgjidhjen e krizave politike, dëmton frymën e bashkëpunimit midis dy partive si dhe qeverisjen e kësaj mazhorance. Në kushte të tilla, PDK-ja nuk do të ikë nga koalicioni i djathtë. Ky është vendimi i djeshëm i kryesisë së PDK-së, e cila theksoi faktin se PDK-ja do të vazhdojë të luajë rolin aktiv në jetën politike si parti e qendrës së djathtë. Njëherësh, ajo do të mbështetë të gjitha reformat që ndikojnë në përmbushjen e standardeve për anëtarësimin e plotë të vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Por, demokristianët janë ende të pavendosur për qëndrimin që do mbajnë në Kuvend, në momentin që do votohet qeveria e re. Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, i saposhkarkuar nga posti i ministrit të Shëndetësisë, akuzoi dje se ndryshimet u bën nën shantazhin e Gërdecit. Ai akuzoi Kryeministrin Berisha se me largimin e tij, po krijon qeverinë e parë në botë që nuk ka një përfaqësues të komunitetit katolik. Kryesia e PDK-së shprehu gjithashtu shqetësimin për largimin nga qeveria të të vetmit ministër që vinte nga shtresa e ish-të persekutuarve, ndërkohë që mbahen në qeverisje përfaqësues politikë të partive të ekstremit të majtë, ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, apo pinjollë të persekutorëve të njohur e të denoncuar publikisht. Sipas z.Ndoka, PDK-ja përfaqëson një forcë politike që është persekutuar historikisht me egërsinë më të madhe, deri në zhdukje fizike të përfaqësuesve të saj në vitet e diktaturës. “Për fat të keq, edhe pothuajse dy dekada pas shpalljes së pluralizmit politik, eksponentët e diktaturës dhe segmentet e mbijetuara të saj vazhdojnë të njëjtën luftë ndaj PDK-së, ndërkohë që pengojnë dënimin e krimeve të komunizmit dhe hapjen e dosjeve për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit, të cilët gjatë kësaj periudhe kanë qenë shumë aktivë kundër PDK-së”, - deklaroi kryetari i PDK-së. Kryesia e kësaj partie nënvizoi edhe faktin se kur Shqipëria kërkon të integrohet në Evropë dhe të bëhet pjesë e qytetërimit dhe e kulturës së saj, është i vetmi vend, përveç Turqisë, që qeveriset nga një qeveri e cila nuk ka në përbërjen e vet asnjë ministër të besimit katolik. Në mbledhjen e djeshme kryesia e PDK-së analizoi situatën e re të krijuar pas ndryshimeve të fundit në qeveri, të propozuara nga Kryeministri. Kryesia e PDK-së shprehu shqetësimin e saj të thellë për qëndrimin e njëanshëm dhe në kundërshtim më marrëveshjen e nënshkruar midis Partisë Demokristiane të përfaqësuar nga kryetari i saj, z. Nard Ndoka dhe kryetari i PD-së, Z. Sali Berisha. Anëtarësia demokristiane gjykon se ndryshimet e fundit sjellin në qeveri shkaktarët e tragjedisë së rëndë të Gërdecit, ndërkohë lënë jashtë qeverisjes ata që shëruan plagët e shkaktuara nga kjo tragjedi e rëndë e cila pritet të zbardhet nga drejtësia, duke vënë para përgjegjësisë ligjore fajtorët. Kryesia e PDK-së, në mbledhjen e djeshme, vlerësoi kontributin e zotit Ndoka në krye të Ministrisë së Shëndetësisë si dhe reformat e ndërmarra prej tij për reformimin dhe modernizimin e sistemit shëndetësor.