E Diel, 1 Nëntor 2026

Godo: Katër pikat e forta të Anilës sime



“Shpresoj tek mbështetja e Kryeministrit”

Anila Godo, ish-studente e doktor Berishës

Politikani me një karrierë të gjatë në politikën e djathtë, Sabri Godo, beson se Presidenti Topi nuk do hezitojë për firmën mbi emrin e së bijës, Anilës. Ish-studente e Kryeministrit aktual, Sali Berisha, znj.Godo shkon drejt Ministrisë së Shëndetësisë me një përvojë të gjatë në këtë fushë, prej afro 30 vitesh. Sabri Godo tregon për “standard” katër pikat e forta të së bijës: aftësinë profesionale, komunikimin me njerëzit, karakterin e fortë dhe ndjenjën humane ndaj atyre që kërkojnë ndihmë. Ndaj dhe i ati beson se të gjitha këto do të bëjnë të mundur që Anila të ketë sukses në krye të shëndetësisë shqiptare. “Unë çmoj tek Anila aftësitë profesionale, komunikimin, karakterin e fortë dhe humanizmin. Besoj se të gjitha bashkë do ia bëjnë më të lehtë punën si ministre dhe unë shpresoj se kështu do të jetë”, - thekson z.Godo. Por politikani i vjetër i PR-së, Sabri Godo, nuk heziton të kërkojë dhe mbështetjen e Kryeministrit Berisha, ish-pedagogut të Fakultetit të Mjekësisë, për një punë sa më funksionale të së bijës. Kjo edhe pse z.Godo vë në dukje aftësinë e Anilës për të riorganizuar gjithçka, konkretisht punën në Ministrinë e Shëndetësisë. “Mendoj se Anila po të ndihmohet nga kolegët e saj, por edhe nga z.Berisha, mund të kuptohen shumë mirë me njëri-tjetrin. Them që po të ketë mbështetje, do të arrijë të bëjë disa ndryshime, që të fillojë të dalë kjo ministri nga kjo gjendje kritike që është aktualisht. Besoj se do t’ia dalë shumë mirë në krye të këtij institucioni”, - shprehet Sabri Godo. Anila Godo, vajza e politikanit të njohur të së djathtës, Sabri Godo, vjen nga shoqëria civile si një njohëse e mirë e problemeve të shëndetësisë, me një përvojë të gjatë pune prej afro 30 vitesh. Ajo ka lindur në vitin 1952 dhe në vitin 1980 Anila Godo është diplomuar pranë Universitetit të Tiranës, në Fakultetin e Mjekësisë dhe që prej atij viti ka ushtruar profesionin e mjekes në departamentin e Pediatrisë, në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", në Tiranë. Që nga viti 1990 dhe deri më sot është pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë dhe nga viti 2003-2007 zv.dekane e Fakultetit të Mjekësisë. Nga vitet 1997-2002 është shefe e departamentit të Pediatrisë. Aktualisht, është shefe e pavijonit të Onko-hematologjisë pediatrike. Që nga viti 2007 ushtron një mandat 7-vjeçar si anëtare e KALSH-së. Në vitin 1997 ka marrë titullin "Doktor i shkencave", ndërsa në vitin 2001 titullin akademik "Profesor i asociuar". Ka një aktivitet të pasur shkencor dhe ka kryer një seri specializimesh jashtë vendit. Znj. Godo është anëtare e Partisë Republikane që prej vitit të parë të krijimit të saj. Madje, mbrëmë ajo mori pjesë në mbledhjen e kësaj kryesie, e cila u mblodh për të marrë në analizë zgjedhjet që po zhvillohen nëpër asambletë e PR-së në rrethe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›