Topi telefonon Cervenkovskin: Faleminderit për heqjen e vizave
Kreu i shtetit, Topi, i telefonoi dje në mëngjes Presidentit maqedonas Cervenkovski për të shprehur vlerësimin ndaj vendimit të heqjes së vizave me Shqipërinë. Sipas kreut të shtetit shqiptar, ky është një hap cilësor në marrëdhëniet midis dy vendeve fqinje. Presidenti Topi përshëndeti vendimin e Kuvendit të Maqedonisë, i cili ratifikoi marrëveshjen për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Për këtë arsye, kreu i shtetit Topi i telefonoi homologut Cervenkovski për vendimin e marrë si shprehje e vullnetit të ndërsjellë për të intensifikuar tërësinë e raporteve dypalëshe. Ai e siguroi Presidentin maqedonas se Shqipëria është e palëkundur në parimet e politikes së saj rajonale dhe ato të integrimit euroatlantik, si e vetmja rrugë për integrimin e shpejtë të vendeve tona dhe të gjithë rajonit. Topi shprehu besimin e tij të plotë se aplikimi i kësaj marrëveshjeje do të japë produkte të konsiderueshme pozitive për shtetasit e të dy vendeve tona.
Presidenti i Republikës e konsideron këtë marrëveshje si reformën më të thellë në sistemin e lëvizjes së lirë të njerëzve, kapitaleve dhe të mirave materiale midis vendeve tona, si fryt i përpjekjeve tona integruese dhe si pjesë e rëndësishme e Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Lëvizja e lirë, sipas Presidentit Topi, “është guri i provës së lirisë, së demokracisë... hapi i njohjes së ndërsjellë të popujve të Ballkanit Perëndimor, si dhe themeli i shëndoshë për ndërtimin e një rajoni të begatë dhe të zhvilluar për të gjithë popujt e tij”.