Bode: Mbikëqyrja e mirë ruajti sistemin bankar shqiptar nga efektet e krizës globale Ministri i Financave, Ridvan Bode

Ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë fjalës së mbajtur sot në takimin me temë “Financat e Përgjegjshme”, të organizuar mbi sistemin bankar nga Banka e Shqipërisë dhe Banka Evropiane për Evropën Juglindore, tha se ekonomia shqiptare ka nevojë për kreditim. Sipas tij, është koha për të nxjerrë mësimet nga kriza më e thellë ekonomike që ka njohur bota në 50 vitet e fundit, krizë e cila në fakt mbërriti nga sistemi monetar dhe u përhap në ekonominë reale të vendit. “Ekonomia shqiptare ka nevojë për kreditim dhe kreditimi duhet të bëhen mbi rregulla të shëndetshme, pasi ka pjesë të kredive që nuk janë të shëndetshme. Ndaj theksoj se kreditë duhet të analizohen mirë”, theksoi Bode. Sipas tij, mbikëqyrja e mirë ruajti sistemin bankar shqiptar nga efektet e krizës globale, duke mbajtur të paprekur prej saj ekonominë shqiptare. Ai theksoi se ky ka qenë çelësi i suksesit që ekonomia shqiptare të mos përjetojë të njëjtin fat si ekonomitë e tjera.