E Shtunë, 31 Tetor 2026

Privatizimet, lista brenda prillit

23/03/2010 Për një muaj ministritë duhet të dorëzojnë objektet që do përfshihen në këtë proces

Në shitje të gjitha aksionet e minorancës. Ministria e Ekonomisë, gati 13 ndërmarrje

Brenda muajit prill të gjitha ministritë duhet të dorëzojnë në Ministrinë e Ekonomisë inventarin e aseteve të tyre. Në kuadër të procesit të privatizimeve po përshpejtohen afatet për të krijuar një database të plotë me pasuritë shtetërore që do të kalojnë në duart e privatëve.

Lista

Të gjitha ministritë janë duke përgatitur listat me asetet e pavëna në eficencë nga institucionet shtetërore, nga të cilat do të dalë edhe lista konkrete me objektet për privatizim. Ministria e parë që e ka dorëzuar këtë listë ka qenë ajo e Mbrojtjes, ku janë të paktën 420 objekte që do të privatizohen. Megjithatë, në pritje të plotësimit të kësaj liste, Ministria e Ekonomisë e ka gati listën me 13 ndërmarrje në varësi të saj që do i nënshtrohen privatizimit 100 për qind. Janë të paktën 100 specialistë që po merren me përgatitjen e listës me objektet shtetërore që do të kalojnë në procesin e privatizimit. Sipas asaj çka është deklaruar më parë, qeveria shqiptare do të heqë dorë nga të gjitha aksionet e mbetura në kompanitë shtetërore, si dhe në ato kompani që tashmë janë në duart e investitorëve privatë. Në përmbushje të kësaj nisme mësohet se brenda këtij muaji fillon puna për privatizimin e aksioneve shtetërore tek Albtelekom, proces i cili do të pasohet edhe me shitjen e aksioneve të mbetura tek ARMO dhe OSSH.

Procedura

Të gjithë investitorët e huaj apo edhe ata shqiptarë që do të futen në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve apo objekteve shtetërore do të mund të marrin informacion nëpërmjet internetit. Duke pasur parasysh se viti 2010 do të jetë viti i privatizimeve, me urdhër të Kryeministrit është ngritur një grup pune, i cili po bën rivlerësimin e të gjitha aseteve që parashikohet të hyjnë në këtë proces. Krahas kësaj pune është vendosur edhe procedura se si do të njihen investitorët me kompanitë dhe objektet që do të futen në privatizim. Kështu, sipas kësaj procedure, të gjitha materialet për këto kompani do të hidhen në faqen e Ministrisë së Ekonomisë, ku do të jenë të hapura për publikun. Për objektet shtetërore përveç të dhënave bazë që kanë të bëjnë me vendndodhjen, çmimin apo sipërfaqen do të ketë edhe disa fotografi që do të mund tu krijojnë personave të interesuar idenë e qartë për këtë ndërtim si dhe vlerën e tij. Për sa i përket ndërmarrjeve shtetërore do të ketë të dhëna më të detajuara që kanë të bëjnë me numrin e punonjësve, bilancin e tyre apo dhe me fitimet që kanë pasur në vite. Ndërkohë mësohet se direktiva është për të privatizuar pothuajse çdo gjë me përjashtim të hidrocentraleve të kasakdës së Drinit që nuk do jenë në proces, shëndetësisë dhe arsimit. Çdo gjë tjetër që është pronë e shtetit shqiptar qoftë në mazhorancë apo miniorancë, ndërmarrje shtetërore, asete dhe prona kudo në vend do të jenë pjesë e procesit. Kjo sipas ministrit do të krijojë mundësinë që shteti dhe qeveria të zvogëlohet dhe të shpenzojë më pak, por gjithashtu do të ketë edhe një kontribut më të madh. "Ne parashikojmë që këtë vit rreth 100 milionë euro do ti shkojnë buxhetit të shtetit nga procesi i privatizimit", ka deklaruar pak kohë më parë ministri Dritan Prifti.

Aksionet

Sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave, të gjitha aksionet e minorancës që ka qeveria në kompanitë private do të kalojnë në duart e privatëve. Këtu përfshihen 24 për qind të aksioneve shtetërore të mbetura në Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, 25 për qind të aksioneve të Albtelekomit, si dhe të 15 për qind të aksioneve në kompaninë ARMO. Ndërkohë një ndër objektivat kryesor për këtë vit do të vazhdojë të mbetet privatizimi i kompanisë së sigurimeve INSIG.

Vlerësimi

Procedurat për vlerësimin e pasurisë shtetërore fillojnë me daljen e urdhrit të ministrit përgjegjës për ekonominë. Vlerësimi i objekteve bëhet nga komisioni i vlerësimit në përputhje me vlerën reale të tregut, në zbatim të legjislacionit në fuqi, duke përdorur metodat e vlerësimit të tregut. Komisioni i vlerësimit mban përgjegjësi ligjore për vlerësimin e bërë dhe për dokumentet e hartuara dhe nënshkruara prej tij (genplane, situacione, aktvlerësime etj).

Pronarët

Të gjithë pronarët e trojeve mbi të cilët janë ndërtuar objektet që do të përfshihen në procesin e privatizimit kanë të drejtën e parablerjes së tyre, por me një procedurë të re. Tani asnjë prej tyre nuk duhet të depozitojë kërkesë për të fituar këtë të drejtë, por do të jenë Drejtoria e Shitjes dhe Administrimit të Pronës Publike që pasi të marrë informacionin se trualli është me pronar, do tu japin këtyre të fundit mundësinë e parablerjes.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›