E Diel, 1 Nëntor 2026

Mospagesa e ujit, tani në polici

23/03/2010 Marrëveshja

Policia e shtetit do të mbështesë Drejtorinë e Ujësjellës-Kanalizimeve në arkëtimin e faturave apo ndërprerjen e furnizimit me ujë të pijshëm të konsumatorëve të lidhur në mënyrë të kundërligjshme në rrjet dhe konsumatorëve debitorë të ujit. Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, dhe Drejtori i përgjithshëm i Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, Sahit Dollapi, firmosën marrëveshjen e bashkëpunimit mes dy institucioneve. Marrëveshja përcakton se “Punonjësit e policisë, gjatë kryerjes së detyrës për mbështetjen e punonjësve të ujësjellësit shoqërojnë dhe mbrojnë ata nga çdo veprim i dhunshëm e i kundërligjshëm, që mund të vijë nga konsumatorët e kundërligjshëm të ujit”. Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, tha se policia e shtetit është e vendosur të mbështesë ujësjellësin e Tiranës në kryerjen e të gjitha detyrave të saj. Drejtori i Ujësjellësit të Tiranës, Sahit Dollapi, u shpreh se “Kjo marrëveshje është një lajm i mirë për 1 milion banorët e Tiranës, që furnizohen me ujë të pijshëm nga ky ujësjellës, sepse kjo marrëveshje na mundëson mbështetjen e policisë në ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme në rrjet”. Marrëveshja është në funksion të realizimit të objektivit të qeverisë për furnizimin sa më të mirë të qytetarëve të Tiranës me ujë të pijshëm. Përveç kësaj marrëveshjeje, Shqipëria i është bashkuar dje apelit botëror “Ujë të pastër për një botë të shëndetshme”. Shoqata e Ujësjellës Kanalizime të Shqipërisë në Bashkëpunim me Ujësjellës Kanalizime Tiranë organizuan një aktivitet sensibilizues në Sheshin Skënderbej. Gjatë këtij aktiviteti u shpërndanë fletëpalosje për qytetarët me karakter sensibilizues. Në këtë ditë, përgjegjësia kryesore e qeverive në botë është mbrojtja e burimeve ujore nga ndotja që i kërcënon sot. Cilësia e burimeve ujore është gjithnjë e më tepër e kërcënuar nga njerëzimi. Aktiviteti njerëzor gjatë këtyre 50 viteve të fundit është përgjegjës për ndotjen e pa precedent në historinë e njerëzimit të këtyre burimeve ujore. Ndonëse sasia e burimeve në vendin tonë është e mjaftueshme për nevojat tona, cilësia e tyre mund të jetë një problem për shkak të ndotjes ndër vite që iu është bërë këtyre burimeve. Ndotja e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore ka ardhur si pasojë e shkarkimeve në to të ujërave të ndotura urbane, industriale dhe ujërave nga aktiviteti bujqësor.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›