Shtyhet gjyqi për Klubin "Partizani"

Gjykata e Tiranës, ka shtyrë sot gjyqin për ish presidentin e Klubit “Partizani”, Albert Xhani. Trupi gjykues ka vendosur shtyrjen e gjyqit, pas kërkesës së avokatëve të tij. Gjyqi i radhës është shtyrë për t`u mbajtur në datën 14 shtator në orën 10:30.
Ndërkohë që në gjykatë vijonte gjyqi, tifozët e “Partizanit”, kanë protestuar para ambienteve të saj, duke kërkuar zgjidhjen e çështjes për klubin sportiv. Në protestën e tyre, tifozët kanë kërkuar edhe largimin e presidentit Albert Xhani.
Vendimi që do të merret nga Gjykata, në 14 shtator do të përcaktojë se kujt do t’i shkojë stema e Klubit të “Partizanit”, nëse kjo stemë do t’i mbetet Xhanit, apo do t’i shkojë Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërkohë problemet e fundit që ka pasur në klubin “Partizani”, bëri që kjo skuadër të bjerë nga kategoria e I-rë, në kategorinë e II-të.