E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode: Nuk ka rritje ekonomike me dy shifra, është vetëm 6%

Nga Fitim Zekthi

Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha dje se rritja ekonomike gjatë vitit që vjen do të jetë përsëri e lartë dhe e qëndrueshme dhe do të ruajë vlerën e tashme prej 6%. Duke folur për buxhetin e vitit që vjen, ministri rrëzoi deklaratat e tij të mëparshme se ekonomia jonë po përjetonte një rritje prej dy shifrash ose të paktën prej 10%. Këtë gjë e ka thënë edhe kryeministri ynë dhe disa zyrtarë të tjerë të qeverisë. Në fakt, pak kohë më parë përfaqësuesja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë e cilësoi rritjen e ekonomike me dy shifra si një fantazi të pastër. Këtë gjë tashmë e pohon edhe ministri i Financave. Për vitin që vjen Shqipëria do të ketë një buxhet të madh që gjakon të shkojë te 5 miliardë dollarët dhe me një nivel të investimeve publike të lartë prej rreth 900 milionë dollarësh. Në të vërtetë qeveria shqiptare e ka rritur buxhetin nga viti në vit dhe po kështu ka ngjarë edhe me investimet. Ajo që e ka zbehur rolin e buxheteve të mëdha dhe të investimeve të mëdha kanë qenë mosrealizimi i investimeve. Deri në muajin e tashëm buxheti për investime nuk është realizuar as në masën e 50% dhe kjo do të thotë se deri në fund të vitit do të ketë vështirësi të mëdha për ta bërë këtë gjë. Pavarësisht të gjithave, mbledhja e të ardhurave është një arritje, po ashtu edhe rritja e shpenzimeve, ndonëse mënyra me të cilën këto arritje janë bërë realitet, nuk është e duhura. Dje, në Komisionin e Ekonomisë, ministri i Financave tha se buxheti merr në konsideratë zhvillimet dhe ecurinë e ekonomisë shqiptarë në vitet e fundit, por dhe ato në tregun e jashtëm, në kuadrin e disa ndryshimeve që ka patur ekonomia botërore për shkak të krizës së sistemit financiar. Sipas kreut të financave publike, p/buxheti pasqyron të gjitha kapacitetet e qeverisë dhe reflekton të gjitha prioritetet e saj dhe institucioneve të tjera të shtetit. “Ky buxhet synon të konsolidojë më tej stabilitetin makroekonomik të vendit përtej zhvillimeve që ka patur ekonomia botërore, ndërsa ne mbetemi një vend me një stabilitet të qëndrueshëm makroekonomik, për sa i takon rritjes ekonomike, nivelit të inflacionit, kursit të këmbimit, bilanceve të tjera që kanë të bëjnë me tregtinë ndërkombëtare dhe nivelit të papunësisë”, - deklaroi ministri Bode. Ministri Bode tha se të ardhurat në buxhetin e shtetit për vitin 2009 janë parashikuar në 333 miliardë lekë, duke shënuar nivelin më të madh historik, sa dyfishi i të ardhurave në vitin 2004, ndërsa shpenzimet llogariten 383 miliardë lekë rritje në total të tyre. Sipas tij, rritja e nivelit të shpenzimeve për investime erdhi për shkak të programimit më të mirë dhe kapaciteteve të ministrive për investime dhe rritjes së të ardhurave të buxhetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›