Lutje kryeministrit për padi penale
Fatos Lubonja ka një teori që e shtjellon herëpashere në shkrimet e tij se liria e medias në Shqipëri dhe fakti që ende nuk është vrarë ndonjë gazetar, buron nga fakti që këtu askush nuk i gjykon shkrimet e tyre. Mosveprimi i drejtësisë, sipas Lubonjës, është një fat dhe fatkeqësi për gazetarinë shqiptare. Ky përfundim i kthjellët i tij u ilustrua dje nga një dalje e dëshpëruar publike e kryeministrit Berisha. Ai u përpoq dje të paraqiste si standard të lirisë së medias faktin që ai dhe qeveria e tij nuk hapin padi penale ndaj gazetarëve. Duke iu referuar me një lloj pendese për progres-raportin e BE, ai u përpoq ta theksonte si vlerë atë që BE e quan si kritikë dhe të metë të shtetit tonë ligjor. Në të vërtetë, standardi ‘Berisha’ i mos-hapjes së padive ndaj medias është një përkeqësim i standardeve të lirisë së shtypit. Askush nga ne gazetarët, asnjë organizatë e tyre, madje asnjë individ nuk e ka kërkuar këtë standard. Përkundër kësaj ne kemi kërkuar reagim politik dhe ligjor nga qeveria për shkrimet tona, për skandalet që kemi botuar dhe për ato që kryeministri i quan shpifje. Por, në vend të reagimeve zyrtare dhe ligjore, na kanë ardhur kërcënime dhe gjeste të turpshme primitive. Mua, për shembull, Sali Berisha nuk më ka bërë padi penale, por më ka dërguar policinë e ndërtimit të më prishë shtëpinë e prindërve në Golem. E ka fotografuar e stërfotografuar, ka bërë presion mbi ofiqarët e policisë së ndërtimit dhe në fund, i dëshpëruar, se është brenda rregullave, ka vazhduar gjurmimet deri në vendlindjen time në Tepelenë mos kam ndonjë biznes apo pallat. Ka dërguar policinë elektrike dhe ka vënë gjoba. Ka dërguar policë tatimore dhe gjithë llojet e policive që ka. Ky është reagim burracaku. Reagimi që unë kërkoj prej tij është reagimi ligjor dhe këtë po ia kërkoj publikisht.
Por, për të qenë më konkret në këtë histori, unë do t’i lutesha kryeministrit Berisha, t’i jepte leje djalit të tij ose ish-ministrit, Aldo Bumçi, të më padisnin mua në gjykatë për faksin e dërguar në datën 13 mars 2007, nga zyra e Aldo Bumçit drejt një faksi në Ministri të Mbrojtjes me shënimin për Shkëlzen Berishën. Do t’i lutesha të hetohej, nëse faksi është dërguar apo jo, pasi ministri Bumçi tha që është falsifikim. Do t’i lutesha të hetohej, nëse mbi faks ka shkruar dikush nga zyra e Aldo Bumçit, pasi Bumçi tha është falsifikim. Do t’i lutesha të hetonin, nëse është protokolluar ky faks në Ministri të Mbrojtjes, pasi Bumçi tha se është falsifikim. Kjo le të bëhet në një proces, ku unë të jem i pandehuri dhe djali i kryeministrit dhe ish-ministri të jenë akuzuesit. E siguroj se nuk do ta quaj kurrë prishje të standardeve të lirisë së shtypit. Por, nëse vërtetohet që ai faks është dërguar nga zyra e Aldo Bumçit, ai mashtrues ordiner i pacipë që është bërë si papagall duke përsëritur gënjeshtra në çdo ekran duhet të dalë nga politika. Nuk dua të kërkoj dënim për të, nuk dua ta lëndoj, t’i kërkoj pará apo penalitete, pasi e ka dënuar Zoti në atë pozitë mjerane që e ka vënë, por të na ikë sysh si një mashtrues që përpiqet të mbulojë një skandal të pashembullt në historinë e këtij shteti. Ne nuk kemi falsifikuar asgjë, as kokën e faksit, as orën, as numrin e protokollit dhe as shënimin sipër saj. Aldo Bumçi ka paturpësinë të thotë që është i falsifikuar. Do t’i lutesha të na çonte në gjykatë dhe prokuroria të hetonte për këtë. Kjo do të vendoste standarde, për të cilat vitin tjetër në progres-raport do të kishim lavdërime.
Po ashtu, do t’i lutesha kryeministrit Berisha, të më padiste në gjyq, për të vërtetuar nëse Damir Fazlliçi ka marrë ose jo ndonjë qindarkë nga paratë publike. Ne kemi botuar dokumente se firma “Rudnap” në Kroaci, ka si pronare firmën “Altaria Research” në Qipro, për të cilën Damir Fazlliç ka thënë në TV “Klan” se është firmë e tij. Atëherë unë i kam thënë zotit Berisha se ai i ka dhënë Damir Fazlliçit në vitin 2007 rreth 33 milionë euro nga paratë publike. Për dijeni, 6 nga 7 këto tendera janë bërë me mbledhje ofertash dhe me e-mail-e që vijnë nga pesë minuta me vonesë, pasi shqyrtohen ofertat. Unë do t’i lutesha zotit Berisha të më padiste për këtë, por, nëse del se miku i tij mashtron publikisht, atëherë të kërkojë ndjesë së paku për një mashtrues serbo- boshnjak që na ka futur në oborrin e pushtetit të Shqipërisë. Nuk dua dënim të tij, se e ka dënuar Zoti, pasi ëndrrën e tij për të luftuar korrupsionin ia kanë shkatërruar fëmijët e tij.
Fuqia e medias dhe e shkrimeve tona varet nga reagimi i qeverisë dhe drejtësisë. Çështja “Fazlliç” u bë një çështje e opinionit publik jo vetëm pse shkroi media, por se lëvizi për hetim prokuroria. Nëse ajo s’do ta kishte bërë këtë, çështja “Fazlliç” do të ishte kaluar pa rënë në sy. Zoti Berisha e ka të drejtën ligjore që të padisë gazetarët, pasi nuk ka bërë ndonjë ndryshim ligjor, thjesht ka vendosur një rregull të brendshëm politik. Gazetarët shqiptarë, por sidomos ata gazetarë që kanë zbuluar skandalet e kryeministrit dhe familjes së tij, kanë nevojë të ballafaqohen me drejtësinë. Ajo që ne kërkojmë është që drejtësia të bëhet pjesë e hetimeve të skandaleve që ne përflasim. Media nuk është as prokurori dhe as gjykatë. Ajo operon përmes fakteve publike dhe rrallëherë përmes fakteve më zyrtare. Para se një gazetar të çohet në gjykatë, duhet të vihet në lëvizje prokuroria të hetojë rastin dhe të gjykojë mbi thellësinë e implikimit të një zyrtari. Pas kësaj është normale të vijnë ndëshkimet dhe për gazetarët. Por një gazetar paksa i pasaktë me një kryeministër që fsheh krimet me gjakftohtësi janë një diferencë e madhe.
Gazetarët shqiptarë nuk kanë nevojë për mbrojtjen politike të Sali Berishës nga pronarët e shtypit. E kuptoj inatin e tij me pronarët e mediave, të cilët nuk është se janë për t’u lavdëruar. Por ai nuk e ka me gjithë pronarët. E ka me ata që nuk i kontrollon dot. Nuk e ka p.sh., me pronarin e gazetë “Panorama”, nuk e ka me pronarin e gazetës “55”, nuk e ka me pronarin e gazetës “Koha Jonë”, nuk e ka me pronarin e TV “Klan”-it. Përkundrazi, ata janë përfitues të mëdhenj të miliona dollarëve nga shteti në mënyrë klienteliste. E ka me ata pronarë që nuk i shkojnë pas avazit. Dhe mes tyre nuk është se ka burra të mirë, pasi shumë prej tyre mezi presin të ndërrohet Berisha me Ramën, por problemi i Berishës është se ai ëndërron të jetë ai pronar i tyre. Për këtë arsye ne nuk kemi nevojë që Berisha të na mbrojë duke mos na paditur në gjyq. Le të na padisë. Beteja jonë reale është drejtësia dhe ne duam që ajo të vendoset dhe përmes betejës mediatike. Gabimet e gazetarëve i kushtojnë pak Shqipërisë, kurse gabimet që zbulon media i kushtojnë shumë Shqipërisë. Ne s’do të kishim marrë vesh kurrë kalbëzimin dhe degradimin e familjes politike në pushtet, sikur të mos kishim një shtyp të lirë dhe gazetarë të pavarur nga kryeministri. Askush nuk do të thoshte ndonjë fjalë kundër Delijorgjit, po të ishte për pronarët e medias që janë pro Berishës, pasi ata janë njëkohësisht dhe miqtë e Delijorgjit. Askush nuk do të thoshte asnjë gjë për Damir Fazlliçin dhe kërdinë e tij financiare përmes klientelizmit, nëse s’do të kishim gazetarë dhe media të lira. Askush nuk do të ndriçonte lidhjet e djalit të tij me biznesin e demontimit në Gërdec, nëse s’do kishte media të lirë. Dhe në këtë lumë zbulimesh, nëse Berisha gjen një qime, le ta bëjë tra, por mirë është të na çojë në gjykatë, të na gjykojë një i tretë dhe jo ai. Ëndrra e tij për të qenë dhe pronar mediesh, dhe gjykatës, dhe prokuror, dhe kryeministër, dhe baba i pastër duhet të marrë fund.