Djali vret të atin se e rrihte, 33-vjeçari vret shokun se nuk gatoi drekën
Krimi në familje ka tronditur sërish kryeqytetin dje, teksa një 16-vjeçar ka vrarë të atin, pasi ky i fundit, sipas vetë deklaratës së djalit, e rrihte. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Zallmner të kryeqytetit, ku Elton Lika ka ekzekutuar me armë zjarri babain e vet, Ahmet Likën. Ndërkohë, një tjetër vrasje ka ndodhur në Kavajë, ku Arian Grami dyshohet se ka ekzekutuar shokun e vet, Kastriot Godolen, me të cilin punonte si çoban. Mësohet se krimi ka ndodhur në një stan të fshatit Karpen, ndërsa policia bëri të ditur se motivi i ekzekutimit të 27-vjeçarit Godole ka qenë mosgatimi i drekës nga ana e viktimës.
Krimi në familje
Pak ditë pas vrasjes së mamasë nga një 35-vjeçar, vetëm pse ajo nuk i dha pensionin për të blerë drogë, krimi në familje ka goditur sërish gjatë ditës së djeshme në kryeqytet. Djali 16-vjeçar, Elton Lika, ka vrarë me armë babanë e tij, 53-vjeçarin Ahmet Lika. Burimet policore thanë se 16-vjeçari Lika e ka ekzekutuar me një “Kallashnikov” të atin. Lajmi për ekzekutimin e 53-vjeçarit Ahmet Lika u konfirmua nga burimet zyrtare të Policisë së Tiranës. Sipas tyre, ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Zallmner, kur Elton Lika, 16 vjeç, ka goditur me armë zjarri babain e vet, Ahmet Likën, duke e lënë të vdekur. “Ahmet Lika është gjetur pa jetë, i vrarë me armë zjarri në banesë. Policia ka bërë shoqërimin e anëtarëve të familjes dhe dyshimet janë për një vepër të djalit të viktimës, 16-vjeçarit Elton Lika”, - bënë të ditur burime pranë policisë së kryeqytetit. Dyshimet e tyre se 53-vjeçari Lika është ekzekutuar nga djali i vet janë vërtetuar nga vetë ky i fundit, i cili, pasi është marrë në pyetje nga ana e uniformave blu të policisë, ka pranuar krimin. Gjatë deklaratës së dhënë në polici, 16-vjeçari Elton Lika tha se i ati e rrihte dhe për këtë arsye ishte detyruar që ta vriste atë me një armë zjarri, të tipit “Kallashnikov”. Ndërkohë, policia bëri të ditur se ka nisur hetimet e saj, për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Nga hetimet e para të kryera nga ana e oficerëve të policisë mësohet se ngjarja ka ndodhur gjatë mbrëmjes së të mërkurës, pas një grindjeje brenda familjes Lika, çka ka sjellë më pas edhe vrasjen e 53-vjeçarit Ahmet Lika nga djali i vet. Tashmë, i dyshuari për ekzekutimin e të atit, 16-vjeçari Elton Lika, do të procedohet penalisht për veprën e “Vrasjes me dashje”.
Vrasja e shokut
Një fakt banal, mosgatimi i drekës, i ka kushtuar jetën 27-vjeçarit Kastriot Godole. Ky i fundit është ekzekutuar gjatë mesditës së mërkurë nga ana e shokut të vet, 33-vjeçari Arian Grami, me të cilin punonte prej disa kohësh si çoban në një stan në fshatin Karpen të qytetit të Kavajës. Fillimisht, policia bëri të ditur se 33-vjeçari Grami, lindur dhe banues në fshatin Ndroq të kryeqytetit, kishte bërë denoncimin në polici për vetëvrasjen e 27-vjeçarit Godole. Por, pas hetimeve të policisë, ka rezultuar se ky i fundit është ekzekutuar dhe si autor të dyshuar për këtë vepër uniformat blu të policisë kanë vënë pikërisht shokun e tij, Arian Gramin. Sipas burimeve pranë policisë, ky i fundit akuzohet se ka vrarë me armë zjarri, të llojit pistoletë të llojit “TT”, shokun e tij, me të cilin punonte prej disa kohësh. Mësohet se krimi ka ndodhur në një stan të fshatit Karpen të Kavajës, ku dy të rinjtë jetonin. Të dy ishin çobanë dhe kishin disa kohë që jetonin në stan. Dyshimet e para të policisë janë se Grami e ka vrarë shokun e tij, vetëm pse nuk kishte bërë gati drekën, pasi viktima rrinte në shtëpi e autori dilte me bagëtitë për t’i kullotur. “Arian Grami e ka denoncuar vdekjen e 27-vjeçarit Kastriot Godole si një vetëvrasje, por pas hetimeve të bëra nga Policia e Kavajës, është dokumentuar se ajo ishte një vrasje me 3 plumba”, - bëri të ditur policia e kryeqytetit. Sakaq, në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e krimit, pistoleta e llojit “TT”, me të cilën dyshohet se është ekzekutuar viktima.