E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ka zëra që thonë se Enver Hoxha nuk ka vdekur ende”

Nga Dhurata Hamzai

“Vdekja e Enver Hoxhës”... Kaq. Pa koment. E ka titulluar thjesht romanin e tij më të ri autori Pëllumb Kulla, e megjithatë ky titull bëhet sërish provokues. Është një roman që vjen nëpërmjet një grotesku donkishotesk e simbolik dhe shkakton një humor të zi brenda imagjinatës tonë gjatë leximit.

Libri sapo ka dalë në dritën e botimit nga shtëpia botuese “Arbëria” dhe mbrëmë në mjediset e Shtëpisë së Ushtrisë, në Tiranë, në praninë e miqve të autorit, artistëve, kineastëve dhe medies u zhvillua ceremonia e promovimit të këtij libri. Megjithëse në kulturën tonë promovuese shumë gjëra lënë për të dëshiruar më tepër, ajo që doli në dritë ishte dëshira e gjithkujt për të qenë protagonist në promovimin e librit të Pëllumb Kullës, madje në të gjitha format e mirëkuptimit ose keqkuptimit të këtij libri, por edhe të titullit të tij asnjanës “Vdekja e Enver Hoxhës”. Mbrëmë aty gëlonte dëshira për protagonizëm, për t’u shprehur me kujtime, me praninë e tyre në kohën e halleve të autorit të këtij libri, etj, për të folur sidoqoftë nëse Enver Hoxha ka vdekur, a nëse do të ishte mirë të ishte gjallë, apo të mos kishte lindur fare..! Në të vërtetë kjo ishte pjesa më konfuze e promovimit, sepse shumë artistë u kujtuan se edhe i kanë shërbyer diktaturës, për të cilën u qeshet sot, ose u vjen për të qarë sot, “asaj” pa dëshirën e tyre, por sidoqoftë, i kanë shërbyer me art dhe kjo nuk mund të anashkalohej pas provokimit që bëri ky roman. Kjo çështje delikate që kërkon një kohë të gjatë debatesh e diskutimesh, për pak e humbi dhe orientimin e këtij promovimi. Dukej sikur nga kineastët dhe artistët bashkëkohës të Pëllumb Kullës mezi ç’pritej një shfajësim se pse e bënë artin në atë mënyrë dhe një makth, po a jemi vërtetë artistë. Madje kineasti Pirro Milkani theksoi dy-tri herë se “diktaturat kanë mundësuar lindjen e artistëve të mëdhenj”, përmendi dhe emra, por kjo thënie e tij e përsëritur nuk kishte lidhje me romanin e Pëllumb Kullës, kishte me artistët në përgjithësi, kishte me rënien e Kinostudios.

Ndoshta e kanë pasur një arsye që të provokoheshin kaq thjesht nga një libër, apo më tepër nga personaliteti i fortë i Pëllumb Kullës. Me sa duket duhej të prisnin të vdiste Enver Hoxha që këtë arsye ta thoshin, ose që ta thoshin hapur-hapur duhej të shkruante Pëllumb Kulla një vepër të tillë me titull “Vdekja e Enver Hoxhës”.

Duke i kërkuar ndjesë lexuesit për një paraqitje përkor të ngjashme me çeljen konfuze të promovimit, ajo që duhet thënë e është për të ardhur keq është se mungon në thelb kultura promovuese, kjo në çdo manifest, por për fat të keq ndihej më kokëfortë se kurrë kjo mungesë kulture promovimesh, që të bëjnë të ikësh me vrap, por ja qëndron aty për hir të autorit dhe veprës.

Folësit, nga njerëz kompetentë që duhet të spikasin vlerat e një vepre letrare, kthehen në ata që shprehin befas emocionet- jo idetë, kujtimet e interpretuara- jo ato në funksion të ngjarjes, duke menduar se kjo e bën më të ngrohtë një promovim në praninë e medias, e të personaliteteve të artit e kulturës, të cilët lënë çdo punë për të qenë aty.

Pra, me këtë rast ishte momenti për të kuptuar se duhet vënë dorë mbi libra të mirë si romani i Pëllumb Kullës dhe hequr dorë nga promovimet që grumbullojnë shumë njerëz për vlerat e një libri dhe të një autori dhe i largojnë sërish këta njerëz për mungesën e nivelit të kumtesave, ose rënien e tyre në nivelin e batutave intime dhe tepër emocionale. Edhe një mënyrë e tillë promovimi mundet të jetë e suksesshme, pse jo, arti s’do korniza, por kjo bëhet në bazë të një regjie të ideuar më parë, në bazë të një skenari që ka për aktivitetin, që dy orët e të pranishmëve të mos humbasin kot. E megjithëse kaq spontan ky organizim dhe për këtë nuk ka faj autori, gjatë seancës promovuese duke e merituar plotësisht Pëllumb Kulla mori mjaft falenderime dhe komplimente, dhe të gjitha këto krijuan një situatë të atillë për librin dhe autorin sa ndihej një dëshirë e miqve dhe të ftuarve për të qenë në një farë mënyre bashkëudhëtarë me autorin. Ky në të vërtetë është suksesi i Pëllumb Kullës, por jo i oratorëve sepse në fund të fjalimit përshëndetës, as kineasti Pirro Milkani nuk harroi të fliste për veten: “A jemi gati që unë ta bëj film me librin e tij”, tha ai. “Do ta bëj!”. Pavarësisht sinqeritetit të bashkëkohësve të autorit që t’i afroheshin lirisë së mendimit dhe të të shprehurit, e cila siç u tha nuk i ka munguar as në kohën e diktaturës, promovimi i këtij libri duhet të kishte një organizim më të mirë.

Pëllumb Kulla me romanin që duket se ka një titull asnjanës “Vdekja e Enver Hoxhës”, i kuptuar apo i keqkuptuar ishte i rrethuar nga lexuesit e tij që kërkonin e kërkonin autografe pa fund, sa me zor mundeshe t’i shkëpusje një intervistë ku ai gjithmonë ka një përgjigje të këndshme. Romani “Vdekja e Enver Hoxhës”, falë një stili të çuditshëm e tejet origjinal të Pëllumb Kullës që në pamje të parë duket e stilizuar me situata humoristike, por në të vërtetë mbart një retorikë të pasur që mbështjell shumëkuptimësitë e tilla si; Enver Hoxha ka vdekur e nuk është më, kujtime nga koha kur vdiste Enver Hoxha, dhe koha kur tashmë Enver Hoxha ka vdekur.

Promovimi ishte moderuar në formën e një takimi miqësor, ku do të shmangeshin fjalimet dhe anatemat për diktaturën apo Enver Hoxhën. Kjo ishte ide e mirë, por nuk funksionoi si duhet gjatë seancës. Nuk ishte kuptuar nga të gjithë. Ky promovim do të ishte veçanërisht një takim me shkrimtarin, me stilin e tij dhe këtë roman, që do t’i lejohet që më vonë, ose vite më vonë të flasë më mirë vetë. “Ky libër tregon për historinë, por nuk është histori”, thotë autori Pëllumb Kulla. Ai ka pohuar se libri është një sprovë mbi një nga temat e saj qendrore morale. Pirro Milkani i drejtohet autorit “I dashur ballist, Pëllumb Kulla”, duke nënkuptuar se kjo ka qenë një nofkë shumë miqësore në kohën kur ata kanë punuar në Kinostudio. Ai duke kundërvënë retorikën e ballistit, që të linte të nënkuptosh një lloj persekutimi biografik që i është bërë Pëllumb Kullës, nuk harroi të bënte një lloj autokritike për mënyrën se si punohej në diktaturë, madje ishte kjo pjesë e fjalës së Milkanit që nuk i përshtatej promovimit të librit. Megjithatë Milkani citoi se në këtë libër ka një humor të zi dhe vlerësoi sinqeritetin shprehës të autorit që të kujton kohën kur të gjithë artistët punonin të indoktrinuar. Erion Kristo theksoi se titulli i veprës të krijon në përshtypje të parë një mosdëshirë për ta lexuar librin, sepse edhe pse nuk ngrenë sot më hymne për Enver Hoxhën, sipas tij “çdo gjë që shkruhet për të duket sikur çon ujë në mullirin e Enver Hoxhës”, por Kristo u shpreh se pasi e ka lexuar veprën, duke iu referuar stilit ka menduar se “vërtetë kjo është një vepër, që jo neve, por brezave që vijnë do t’u rrëfejë historinë tonë të vërtetë”. Ndërsa shkrimtari Teodor Laço çmoi disa nga cilësitë krijuese të Pëllumb Kullës, dhe ndër të tjera tha se: “Pëllumb Kulla është po aq personazh, më tepër se personazhet e veprave, personazh i jetës së vet”. Regjisori Mihal Luarasi, vlerësoi ndër të tjerët cilësinë e veprës, mënyrën dhe stilin e krijimtarisë. Ai tha se romani “Vdekja e Enver Hoxhës” e ç’mitizon diktaturën, nëse e lexon dhe rilexon nëpërmjet stilit të veçantë të Pëllumb Kullës këtë roman, kupton se ky roman nuk është humoristik, por tragjik. Është një roman që flet për tjetërsimin e njeriut. Njerëzit ishin mësuar aq shumë të shtireshin nga frika e diktaturës sa dhe në vdekjen e Enver Hoxhës nuk harruan të shtireshin duke qarë, pasi në thellësi kujtonin dhimbjet dhe të vdekurit e tyre”. Ndër të tjera Luarasi u shpreh për të tjera vlera krijuese, që të bëjnë ta lexosh këtë libër jo si histori, por si letërsi, ku mbi të gjitha vuri theksin mbi stilin e autorit, që duket i thjeshtë, me nota humori por me nëntekst të fuqishëm të lëvizjeve dhe veprimeve në vepër.

II

Intervista

Pëllumb Kulla: Ju bëjnë personazhet që kam peshkuar për të qeshur, jo unë..!

Dhurata Hamzai: U vu re gjatë promovimit të këtij romani se pothuajse të gjithë folësit i kishe ngacmuar më tepër në koshiencën e tyre, në kujtimet e tyre. Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte detajimi estetik që i bëri Mihal Luarasi librit tuaj, ndryshe nga folësit e tjerë, që libri juaj nuk ishte një libër humoristik, por një libër tragjik?

Pëllumb Kulla: -Unë do të theksoj një gjë që e kam thënë këto ditë e fundit shpesh. Unë nuk shkruaj humor, mua më cilësojnë shkrimtar humorist, por sinqerisht më vjen keq që asnjeri nuk po e thekson, që unë jam një nga njerëzit më seriozë në gjykimin e ngjarjeve. Mënyra dhe përshkrimi i stilit tim që krijon imazhet e portreteve, të situatave, rrethanave është si ajo rrjeta e një peshkatari të zgjedhur që i bëjnë të tjerët për të qeshur, i bëjnë pikërisht ata personazhe që unë kam peshkuar për të qeshur, jo unë. Unë vetëm sa i peshkoj dhe me to sillem shumë seriozisht. Skam pasur asnjë rast në të gjitha ngjarjet, situatat që kanë të bëjnë me vdekjen e Enver Hoxhës që të kem qeshur, nuk kam pasur ndërmend të bëjë njeri për të qeshur. Më ka ardhur njëherë Gëzim Kame, më ka thënë njëherë Gëzim Kamja se “unë kam dalë në ballkon dhe kam qeshur me të madhe për të”. Unë sinqerisht po them, nuk kam pasur ndërmend të bëjë njeri për të qeshur. Nuk kam shkruar asgjë me qeshje. Nuk kam shkruar asnjëherë tregime me qeshje dhe nuk kam shkruar asnjëherë poshtë tregimeve të mia-tregim humoristik, kurrë. Unë nuk kam qeshur as kur kam shkruar komedi. Unë nuk kam qeshur me asgjë. Le të qeshin sa të duan, sepse është qeshura shëndet dhe kam thënë me kohë dhe me vite se njerëzit që i bëjnë njerëzit për të qeshur do ishin mirë t’i marrin në Ministrinë e Shëndetësisë.

Dhurata Hamzai: Ju keni konfirmuar tashmë me stilin dhe problematikat tuaja në këtë vepër se do sillni dhe vepra të tjera që do jenë...?

Pëllumb Kulla: -Që do të jenë disa të një karakteri të dhimbshëm, por që brenda kanë komizëm sa të duash. Një nga librat e mi mund të jetë “Reportazhe nga bota e pleqërisë”, sepse një njeri që fillon e plaket harron, nuk njeh njerëzit, ai fillon e bëhet komik shpesh, sepse hiqet sikur nuk ka harruar, dhe vjen vërdallë, hutohet, por pavarësisht këtyre të metave ai është njeri po aq i ngrohtë dhe unë ende sa pa u plakur po nxitoj ta bëj këtë libër. Po u plaka kam frikë se s’do kem fuqi ta shkruaj.

Dhurata Hamzai: Me sa kuptova nga rrëfimi juaj, pjesa më e madhe e librave nëse nuk janë shkruar me qëllim për të bërë diçka komike qenkan shpërthimi i mllefit tuaj, shenjë e rebelizmit, atëherë a ka qenë domosdoshmëri për t’u shprehur?

Pëllumb Kulla:-Pa dyshim të shkruash, të shprehesh, të punosh me aktorët me dramat me letrat është një kënaqësi e jashtëzakonshme, lodhja nuk duket kurrë. Dhe ku ka më mirë që nëse ke një stil të shprehuri t’ua thuash shumë vetëve aq sa t’u pëlqej ajo që t’i thua. Ndoshta e vetmja gjë e mirë që kam bërë në jetë është zgjedhja e këtij profesioni.

Dhurata Hamzai: Sot cili ishte një nga përcaktimet profesionalisht më të gabuara për veprën tuaj?

Pëllumb Kulla: -Ju ma kërkoni mua këtë gjë. Jo nuk do të merrem me këtë gjë, sepse do të fyeja njerëzit që nga dëshira për të vënë në dukje veprën time, për të folur për të, mundet të kenë thënë dhe gjëra jo shumë të rregullta, por nuk ka rëndësi fare kjo.

Dhurata Hamzai: Po komenti më i bukur që iu bë veprës suaj?

Pëllumb Kulla: Të gjitha komentet ishin shumë të bukura. Të bukura mbeten për mua edhe keqkuptimet në leximin e librit, edhe ato kanë një rëndësi të veçantë në momentin e promovimit. Ky vlerësim sot për mua ishte i madh dhe i ngrohtë dhe për mua nuk ka rëndësi më tepër asgjë.

Dhurata Hamzai: Ju e quani normale që në një promovim librin tuaj të mos ta kenë lexuar fare, ose mos të kenë lexuar si duhet dhe të flasin për të?

Pëllumb Kulla: -Po lëre këtë tani, s’ka rëndësi kjo sot për mua. Mjafton vetëm titulli i librit për të shkaktuar diskutime, ngaqë ka përherë e më shumë zëra që thonë se Enver Hoxha nuk ka vdekur ende..!

Dhurata Hamzai: Në gjithë librin tuaj ka një tejpashmëri të situatave, ngjarjeve, personazheve dhe inkoshiencës individuale, çfarë ju bën kaq të tejpashëm, mos vallë qëndrimi pranë dhe më i dhimbshëm i ngjarjeve të së kaluarës, apo i qëndrimeve politike mbi ju sa herë që ndryshonin edhe ngjarjet politike të vendit?

Pëllumb Kulla: -Ah, nëse flet për ngjarjet, personazhet dhe situatat unë jam vërtetë serioz, mbaj përgjegjësi për vërtetësinë e tyre. Unë jam edhe i interesuar për politikën, shumë. Për vërtetësinë e ngjarjeve unë vë dorën në zjarr, ndryshe nga të tjerët, unë e vë edhe sikur ai të jetë i ndezur.

Dhurata Hamzai: Duke ju ndarë ju nga personazhi i librit dhe nga shkrimtari tek vdekja e Enver Hoxhës, çfarë ishte për ju si individ si Pëllumb Kulla, vdekja e Enver Hoxhës.

Pëllumb Kulla:-Unë më shumë bashkohem me veprën “Vdekja e Enver Hoxhës”. Jam dakord me shumë nga folësit që e gjykojnë atë si veprën time më të mirë dhe mendoj se vërtetë vdekja e Enver Hoxhës është vepra e më e mirë.

Dhurata Hamzai: Sa realiste janë personazhet?

Pëllumb Kulla: Personazhet janë të gjithë realistë, por sigurisht me pseudonime letrare me përjashtim të sovranit dhe gruas së tij. Kam përdorur vetëm dy emra të vërtetë; atë të sovranit dhe gruas së tij. Emrave të sundimtarëve nuk ke si t’u shmangesh. Është një lloj haraçi që ata u paguajnë krijuesve, kur rrinë aq gjatë në krye të vendit.

Dhurata Hamzai: Po emrin e gruas tuaj, Zhuljetës pse nuk e keni ndryshuar?

Pëllumb Kulla: (Qesh) Jo ajo është personazh, por kur e le kompjuterin hapur vjen ajo dhe sheh se sa i dashuruar është ai personazhi me gruan e tij, dhe fut duart dhe thotë se kësaj gruas do t’ia vë emrin Zhuljeta. S’kam ç’i bëj, nganjëherë ajo më vendos censurë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›