E Diel, 1 Nëntor 2026

Kjo nuk është demokraci!

Nga Inida Gjata ZHAKU

II.

Megjithëse kjo nuk është demokraci, me bindje të thellë them se është liri!

Ajo çfarë shqiptarët ëndërronin qe liria. Më pas vinte demokracia.

Në rast se do të rikthejmë në mendje fillimvitet ’90, do ta kemi më lehtë të kuptojmë se çfarë e prodhon ngërçin e zhvillimit të Shqipërisë.

Harbimi në liri ka degjeneruar në një anarki antidemokratike!

Liria e dhunës qe liria e parë që i dhuruan vetes bashkëkombësit e mi!

Një shfrim i vrullshëm prej njerëzish të robëruar e nënshtruar breza të tërë, që befas kuptuan, pas 50 vjetësh shtypje, mpirje dhe depersonalizim, se Bashkimi bën Fuqinë. E se Populli është vërtet Sovran i Kombit!

Dhe si kafshë që dalin prej Kafazit, ashtu iu hakërryen të gjithë shqiptarët, Shqipërisë. Duke marrë ç’të mundnin, e duke shkatërruar ç’t’u dilte përpara, meqë qe produkt i diktaturës.

Në fillim qe e vështirë për të gjithë t’i besonin jetëgjatësisë së lirisë, pasi ankthi se shumë shpejt dikush edhe mund t’i vinte në rresht përsëri sipas së njëjtës metodë shtypëse, i shtyu drejt babëzisë. Drejt padurimit për t’i gjetur fundin lirisë. Dhe liria e të ushtruarit dhunë qe kapërcimi i nivelit të parë të lirisë nga shqiptarët e Shqipërisë.

E që ky nivel të kapërcehej, u desh të shkatërrohej e gjithë Shqipëria. Ndërkohë që sot shumë prej Shqipërisë është ndrequr, ose në ndreqje e sipër.

Befas, shqiptarët e gjetën veten në një rrumpallë të pashoqe! Një shtet pa rregulla. Një shtet pa ligje. Një shtet pa rend. Me emigrantë. Me refugjatë. Me të papunë. Me të paqartë. Me të droguar e me të pafe’!

Me hajdutë pronash. Me hajdutë xhepash. Me hajdutë shtëpish e kasetofonash. Me grabitës bankash. Supermarketesh. Fëmijësh. Burrash e grash! Shqipëria, befas u pushtua nga Përdhunues. Nga Masakrues. Secili për vete. Gjithkush i Kujtdo!

Kjo situatë largoi jo vetëm njerëzit më intelektualë, të qetë, të ndershëm e të drejtë, por infektoi edhe të gjitha institucionet shtetërore. Ndërkohë që sot, shumë prej të larguarve rikthehen duke ndjerë se me shumë punë prej më të diturve e të qytetëruarve ky vend do të mund të vihet në brazdë.

1997! Paratë e Shqiptarëve, shteti i bëri Zjarr!

Ky qe niveli i dytë i Lirisë, i kapërcyer me shumë HUMBJE nga shqiptarët!

Liria e Marrëzisë!

Kapërcimi i këtij niveli i bëri shqiptarët më dinakë!

Befas, disa shqisa u ndezën e nisën të funksiononin.

Të gjithë kuptuan se biznesi më fitimprurës ishte KORRUPSIONI!

Ndërkohë, fuqia për të ndërtuar vazhdonte të ishte krejtësisht minimale në raport me përmasat ekstraekstralarxh të shkatërrimit. Por, meqë ndodheshim në një fazë të tretë të kuptimit të lirisë, fazë e cila u krijoi siguri të gjithëve se liria për të bërë ç’të duash në çdo lloj mënyre të mundshme do të zgjaste përjetësisht, aftësia për të përfituar edhe më shumë prej rrumpallës që prodhonin miliona qeveri më vete brenda kufijve të Shqipërisë, u përsos edhe më shumë. Të gjithë Korruptoheshin e Korruptonin. Duele të heshtur me shantazhe nën mëngë! Ndërkohë që sot, KORRUPSIONI është i ndëshkueshëm!

Dhe kështu, u kapërcyen edhe të tjera nivele të lirisë. Një pas një, duke shpërndarë kudo këdo. Një përzierje vlerash dhe antivlerash. Një injeksion antikorpi. Virus kundër një Virusi. Derisa iu dorëzuam duarve të Botës. Të pafuqishëm e të rraskapitur!

Ajo nga çfarë vuajnë sot shqiptarët është liria. Ndërkohë që ajo çfarë nuk u mësua dot kurrë në këtë vend, është demokracia.

Me gjithë arritjet e kësaj mazhorance, (e cila, nëse nuk do të vuante prej protagonizmit të kryeministrit, do të kish patur më shumë “duk”), të cilat kanë rezultuar në disa prej reformave si të suksesshme, fryma antidemokratike e të udhëhequrit ndihet si te “Qeveria e TIJ”, ashtu edhe tek “Opozita e Tij”!

Këto ditë paralajmërohet një grevë urie e disa prej deputetëve të parlamentit, një pjesë e të cilëve janë kryetarë partish (mesatarisht të vogla).

NATO dhe BE rekomandojnë reformim të Kodit Zgjedhor! Nëse do të kish ndodhur siç ka ndodhur me këto punët e tjera, ku Shqipëria ka patur suksese e ku janë ndjekur me përpikmëri shembujt e udhëzimet e BOTËS, edhe ky do të mund të kish qenë një ndër ato raste ku Shqipëria do të shkëlqente e do të jepte shembullin e një vendi demokratik në zhvillim.

Por, ky Kod Zgjedhor, i cili projektohet nga dy “AUTOKRAT˔ e hartohet nga disa “AVOKAT˔, i shërben në mënyrë ekskluzive vetëm 2 individëve! Kryetarit të një mazhorance të privatizuar dhe kryetarit të një opozite të debilizuar! Kjo nuk është demokraci!

Pjesa e tretë e këtij shkrimi vazhdon nesër, në numrin e ardhshëm të gazetës “TemA”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›