E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkarjet serioze nga e vërteta historike e themelimit të PKSH (II)

Nga Dr. Vasfi Baruti

(Vijon nga numri i djeshëm)

Nuk është e vërtetë, se Miladini nga fillimi e deri në fund të referatit flet vetëm për mësimet e marksizëm- leninizmit, rreth rolit të Partisë Komuniste dhe të parimeve të saj organizative. Miladini, në fillim, në një faqe e pak flet për situatën politike në botë pas sulmit të Gjermanisë kundër Bashkimit Sovjetik, tek-tuk citon ndonjë parim të marksizëm-leninizmit dhe tërësisht (deri faqe 5) flet për gjendjen e lëvizjes komuniste në Shqipëri, sëmundjet e grupeve komuniste, detyrat për shkrirjen e tyre, zhvillimin e diskutimeve dhe “shënime teknike” për zgjedhjen e organeve të partisë. Profesori e vlerëson Miladinin si përfaqësues “korrekt” e “i paanshëm” i Kominternit, por në dy faqet e fundit të raportit, Miladini nxjerr brirë diktatori stalinist të thekur: “duhet të likujdohen e të përjashtohen pa mëshirë”,“duhet të shtypen energjikisht”, vijon me “këshilla”: “të pritet çdo diskutim i kotë e çdo filozofim”,“diskutimi të jetë i përpiktë, i qartë, i shpejtë”,“nuk duhet të hyjmë në nënpyetje”, “të zgjidhet kryesija e dy sekretarë”, “më në fund do zgjidhet Komiteti Qendruer”,“duhet të dorëzoni teknikën dhe financën”, “Ju përmend dhe ju baj thirrje shokëve të mos bahen grindje personale etj. Shokë ju uroj suksese në punë.” Miladini, aspak me referimet për parimet e marksizëm-leninizmit, por me raport kryesor e të vetëm për shkrirjen e grupeve e themelimin e partisë.

Pikë e “fortë” se Miladini ishte i dërguar i Kominternit dhe “raportues” në Komintern për themelimin e partisë është raporti i Kuesturës fashiste: “Mbledhja themeluese u pajis edhe me një fletore tjetër, e cila përmbante në gjuhën sllavisht relacione [të Miladinit] për Kominternin mbi themelimin e PKSH.” Në dokumentin (aktpadia e Kuesturës fashiste) që i referohet autori, shkruhet qartë: “Pako nr. 2. Përmban disa fletore dhe shënime të shkruara me dorë në gjuhën sllave, të cilat kumtojnë marrëdhënie e referime për lëvizjen organizative dhe veprimtarinë komuniste në Shqipëri. Trajtohen në mënyrë të dukshme çaste të relacioneve dërguar PKJ nga emisarët e dërguar nga Kominterni për riorganizmin dhe drejtimin e PKSH. [Gjetur në një magazinë në rrugën “Ceno Sharra”, nr. 83]” Faksimile 4. Që do të thotë se relacionet (raportet) Miladini ia dërgonte PKJ e jo Kominternit.

Pikë e “fortë” edhe “argumenti”: “Nuk qe Kominterni që iu drejtua komunistëve shqiptarë, por e kundërta.”, ishin komunistët shqiptarë që iu drejtuan Kominternit për ndihmë për themelimin e partisë. Autori jep faktet: për këtë qëllim Koço Tashko shkonte në Itali për të kërkuar ndihmën e PKI për të krijuar lidhje me Kominternin dhe atë që nuk kishte mundur ta bënte Tashko e bënte Grupi Komunist i Shkodrës, i cili iu drejtua për ndihmë PKJ nëpërmjet Fadil Hoxhës. Por, ka argumente të tjera që vijnë në të kundërt me profesorin.

Panajot Plaku, i cili kishte mundësi për t’u njohur me dokumente të arkivave jugosllave, në librin “Dhuna kundër revolucionit në Shqipëri” zbulon të vërtetën historike rreth pyetjes: Miladini e Mugosha ishin të dërguarit e Kominternit apo të dërguarit e PKJ: “Me qenë se mbetën pa rezultat të gjitha përpjekjet e komunistëve shqiptarë për formimin e PKSH, në fillim të vitit 1939 Kominterni mori qëndrim që të ndihmojë formimin e PKSH nëpërmjet komunistëve italianë [Partisë komuniste]. Meqenëse Italia kishte pushtuar Shqipërinë, u vendos që PKJ të ndihmojë procesin e formimit të PKSH. Kah gjysma e vitit 1939, KQ i PKJ mori vendim për t’i ndihmuar komunistët shqiptarë. Sekretari i Komitetit Krahinor të PKJ për Kosovë e Metohi, Miladin Popoviçi, mori prej Titos direktivë... për t`i ndihmuar komunistët shqiptarë. Miladini mori këto direktiva në Zagreb, ku atëherë ishte Tito. Atij i shkoi për dore të vërë lidhje me Grupin Komunist të Shkodrës, kështu që përfaqësuesit e tij, Fadil Hoxha dhe Emin Duraku, erdhën në vitin 1939 në Komitetin Krahinor të PKJ për Kosovë e Metohi, ku morën një sasi të caktuar materiali. ...më pas Miladini u kap dhe u internua në Shqipëri...Komiteti Krahinor i PKJ për Kosovë e Metohi vendosi të dërgojë në Shqipëri për të ndihmuar në formimin e Partisë anëtarin e vet Dushan Mugosha...Ndërmjet përfaqësuesve të këtyre grupeve (K. Tashko etj) dhe përfaqësuesve të PKJ u mbajtën disa takime.” Dhe është me rëndësi të vihet në dukje se Panajot Plaku në librin e tij as PKJ e as Miladinit e Dushanit asnjëherë nuk iu njihte meritën si themeluesit e partisë së tij, për të cilën shkruan me dashuri.

Në Kosmet Koço Tashko shkonte për të kërkuar ndihmë për themelimin e partisë dhe në kujtimet e tij (1958), kur ishte në K.Q shkruan: “Në shtator 1941, në Komitetin Qarkuer për Kosovë e Metohi të PKJ kisha vajtur për të kërkuar ndërmjetësimin e Partisë Jugosllave për likujdimin (shkrirjen) e grupeve në Shqipëri. ...Për në Komitetin Qëndruer Provizor i propozova shokut Miladin elementë krejt të rinj nga të tre grupet... Me pak fjalë, tërë përgjegjësinë ua dorëzova këtyre dy shokëve (sado që s’kisha asnjë ide të së kaluarës së tyre), vetëm duke u bazuar në rekomandimet e K.q. [Komitetit qarkor] për Kosovë e Metohi të PKJ.” [AQSH] Ishte Tashko që bënte propozimet për në Komitetin Qendror Provizor e që miratoheshin nga Miladini dhe përbërja e KQ Provizor caktohej në PKJ për Kosovë e Metohi (Kosmet) dhe tërë përgjegjësinë e zgjedhjes së anëtarësisë së Qendrorit Tashko ia dorëzonte dyshes Miladin-Dushani.

Në letrën prej 22 faqesh që Miladini ia dërgonte Tashkos (në polemikë me kritikat e akuzat e tij që i dërgonte Kominternit në vjeshtë ’42) shkruan: “Unë të kam folë vetëm për Konferencën e Partisë, me të cilën I.K [Internacionale Komuniste] duhet të caktojë delegatin ose ta emnojë. E ky mund të... emnohet prej partisë së vendit, pra prej asaj partie që bën konferencën. Vetëm kështu kam thënë: “Që I.K mund të të emnojë edhe ty” të deleguar në mbledhjen themeluese. Këtë e citon edhe prof. por censuron fjalinë e fundit: “Që I.K mund të të emnojë edhe ty.” Nëse vërtet Miladini ishte i deleguari i Kominternit, ishte rasti më i mirë që t’i thoshte Tashkos se ai vetë ishte i dërguari i Kominternit. Megjithatë, Tashko punën e reporterit të Kominternit bëri, sepse i dërgoi atij (vjeshtë ’42) një raport të gjatë për themelimin e partisë, plot me akuza të rënda e të drejta kundër Miladinit.

Prof. Frashëri mbron fort pikëpamjen se PKSH u formua nga komunistët shqiptarë dhe në një kuptim ka të drejtë, se faktori objektiv numër një që çoi në themelimin e partisë ishte lëvizja komuniste shqiptare, ishin grupet komuniste, qarkullonin ide e pikëpamje komuniste, ekzistonte dëshira e përpjekja për shkrirjen e grupeve e themelimin e Partisë Komuniste, që nuk u bë e mundur, se grupet komuniste ishin në grindje e deri në armiqësi midis tyre. Roli vendimtar i Miladinit e Dushanit në arritjen e marrëveshjes mes grupeve për themelimin e partisë, prania e tyre në mbledhjen themeluese e drejtimi i saj prej tyre, mbajtja e raportit të vetëm nga Miladini dhe përcaktimi nga ata i bazave politike e organizative të partisë, të gjitha këto përbëjnë faktorin subjektiv numër një për themelimin e partisë dhe në këtë kuptim themi se Partia Komuniste u formua nga Miladini e Mugosha. Bernd Fischer në librin “Shqipëria gjatë luftës 1939-1945”: “Është e qartë se jugosllavët [Miladini e Dushani] ishin ata që përcaktuan modelin që duhet të ndiqnin shqiptarët, përfshi edhe përdorimin e parullës jugosllave “Vdekje e Fashizmit, Liri e popullit”, si dhe yllin e kuq në kapelë.” Miladin-Mugosha e zbatuan modelin jugosllav në praktikën shqiptare. Në librin Kur lindi Partia Enveri shkruan, se në vjeshtë ‘41 “Dushani solli me vete aprovimin e udhëheqjes së PKJ që Miladini dhe Dushani të qëndronin për një periudhë kohe në Shqipëri, sipas propozimit tonë.” dhe sërish del fakti se binomi i Titos ishte i dërguari i PKJ dhe jo i Kominternit. Miladini de facto deri në fund (vjeshtë ’44) mbeti kryetari i partisë, siç doli edhe në Plenumin e Dytë të Beratit (nëntor ’44), kurse Dushani “ishte” për problemet ushtarake, i cili u largua nga vendi ynë në maj `44 (shkoi në Kosovë, ku qëndroi deri më 1970).

Cili është rezolucioni i vërtetë i themelimit të partisë?

Argumenti i Prof. Frashërit: “Seanca e fundit e Mbledhjes Kushtetuese të PKSH u zhvillua më 14 nëntor, pas një pushimi dyditor [12-13 nëntor], me qëllim që pjesëmarrësit të kishin kohë të shqyrtonin Rezolucionin e Mbledhjes Kushtetuese, i cili u shpërnda në formë projekti që më 11 nëntor... Dokument i mirëfilltë i ditëve të themelimit të PKSH është Rezolucioni i miratuar nga mbledhja historike, më 14 nëntor `41. Nga krahasimi që i kemi bërë me tekstin origjinal, të shaptilografuar në ditët e themelimit të Partisë, varianti i botuar më 1960 është pikë për pikë njësoj me origjinalin.” Në Dokumente Kryesore të PKSH (1960) saktësohet qartë, siç e cituam më parë, se Partia Komuniste formohej më 4 nëntor, prandaj ai “pushimi dyditor [12-13 nëntor]” dhe “seanca e fundit e Mbledhjes Kushtetuese e 14 nëntorit” janë inekzistente; dhe “Rezolucioni i Mbledhjes Kushtetuese” as u shkrua, as u shpërnda në formë projekti, as u diskutua e as u miratua nga mbledhja historike më 14 nëntor. Ai që quhet Rezolucion i themelimit të partisë, botuar për herë të parë më 1960 në Dokumente Kryesore (I) ku shkruhet se është miratuar në mbledhjen themeluese, siç del nga përmbajtja e tij ka fakte e ngjarje që i përkasin një kohe më të vonë nga themelimi i partisë, por edhe Enveri në librin Kur lindi Partia shkruan, se ai (Enveri) dhe Qemal Stafa e shkruan Rezolucionin i cili “mbaroi nga fundi i nëntorit dhe u diskutua e miratua.”, madje e fut dhe në veprën 1, botimi i tretë (1983). Në vitin 1958, Tashko në kujtimet e veta pa menduar mirë se çka mund të pësonte (më 1960) shkruante: “Rezolucioni i asaj konference u shkrua prej meje dhe prej Qemalit (duke patur afër shokun Alim [Miladin] që të na ndihmojë të vijmë në marrëveshje.)” [AQSH] Gjithashtu, Rezolucioni i botuar nuk është as pikë për pikë njësoj me origjinalin, siç konstaton profesori, sepse “origjinali” i botuar ka një trepikësh, ku është futur gërshëra dhe është hequr fjalia: “na ka dërguem si xhandarë për të shuem në gjak lëvizjet nacional çlirimtare të popujve fqinjë.” [faqet 6-7].

Është e vërtetë se në mbledhjen themeluese të partisë është miratuar Rezolucioni, por ai i shkruar nga Miladini dhe Mugosha dhe i lexuar prej tyre në mbledhje. Argumenti vjen nga Vladimir Dedjer (biografi i Titos) në librin e tij “Marrëdhëniet jugosllave-shqiptare 1939-1948”, i botuar më 1949 në serbokroatisht, ku citon: “Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha theksuan rëndësinë historike që ka krijimi i PK të Shqipërisë dhe paraqitën bazat organizative, mbi të cilat do të krijohej partia. Konferenca u pajtua me fjalimet e tyre dhe në rezolutën e saj u përcaktuan detyrat e drejtpërdrejta:

“Një, të zgjidhen anëtarët e celulave dhe të krijohen celulat e reja. Sistemi i celulave duhet të bëhet sa më parë, sepse këto celula do të jenë baza organizative e organizatave partiake.

Dy, me qëllim që të forcohen radhët e partisë me anëtarë të rinj, luftëtarë të vendosur, punëtorë dhe fshatarë, të cilët duhet të rekrutohen në mjediset e varfëra qytetare dhe fshatare. Njëkohësisht me këtë punë, duhet të eleminohen sektarët dhe ata që janë të huaj për partinë dhe të mobilizohen punëtorët dhe fshatarët e ndershëm. Celulat duhet të lindin nga lëvizja punëtore prej nga do të dalin udhëheqësit e vërtetë të partisë. Duhet të punohet me të gjitha energjitë për ngritjen ideologjike dhe edukimin politik të kuadrove, duke mësuar teorinë marksiste-leniniste, sidomos me anë të kurseve duke mësuar historinë e P.K. (b) të B.S., e cila është shtylla kryesore për forcimin e një partie komuniste të fortë dhe ilegale. Me anë të kurseve do të ngrihen njerëzit.

Tre, duhet të zhvillojmë dashurinë për B.R.S.S., duke popullarizuar arritjet e popujve sovjetikë, si dhe për rolin e B.R.S.S si pararoja e luftës çlirimtare kundër fashizmit.

Katër, me anë të aksioneve (sabotimeve, demonstratave, grevave, etj.) duhet që të përgatitet populli politikisht dhe ushtarakisht për kryengritjen e armatosur, duke përfshirë në këtë luftë të gjitha forcat patriotike dhe antifashiste. Në asnjë rrethanë nuk lejohet që të harrohet rreziku që vjen nga ndikimi i nacionalizmit.

Pesë, të demaskohet qeveria e tradhtarit Mustafa Kruja, manovrat e saj, me qëllim që të pengojë krijimin e frontit nacionalçlirimtar, si dhe përpjekjet e saj për të paraqitur luftën nacionalçlirimtare si luftë në interes të popujve fqinjë, të Jugosllavisë dhe Greqisë, si luftë të rrezikshme për Shqipërinë, duke patur si qëllim të fundit dobësimin e luftës kundër fashizmit. Të luftohen orvajtjet e fashizmit për të përçarë popullin shqiptar mbi baza fetare, të luftohet me të gjitha mjetet politike, me qëllim që të zhduken antagonizmat fetare të popullit shqiptar.

Gjashtë, të zhvillohet dashuria për të gjithë popujt ballkanikë dhe bashkëpunimi luftarak midis tyre, sidomos me popujt serb, grek, malazias dhe maqedon, të cilët po luftojnë heroikisht për çlirimin e tyre kombëtar.

Shtatë, të luftohet për të drejtat jetësore të popullit shqiptar, për të drejtat e punëtorëve, fshatarëve dhe të inteligjencies, si dhe për gjeneratat e reja.

Tetë, vetëm duke i kryer të gjitha këto detyra Partia mund të ushtrojë ndikimin e saj mbi masat popullore dhe të pengojë armiqtë që të largojnë luftën popullore nga rruga e drejtë, nga rruga e luftës kundër fashizmit.” [Rezoluta e grupeve kryesore komunistë të Shqipërisë, e miratuar në konferencën për formimin e PK të Shqipërisë, që u krijua në ilegalitet në Tiranë më 8 nëntor 1941]

Rezoluta/rezolucioni që e citon të plotë Dedjeri, më 1960 botohej për herë të parë në Dokumente Kryesore e PKSH, me ndryshimin se tetë pikat e Djedierit nuk janë në bllok, por të shpërndara; dhe nga teksti i tij ka një redaktim të fjalës nacionalizmit: “Në asnjë rrethanë nuk lejohet që të harrohet rreziku që vjen nga ndikimi i nacionalizmit.” (pika katër); në botimin shqip: “E me gjithë këto nuk duhet të harrojmë rrezikun e influencës së nazizmit.” Ndryshimi kuptimor: fjala nacionalizmit zëvendësohet me fjalën nazizmit. Në ndërdijen e Miladinit e Dushanit “rreziku që vjen nga nacionalizmi” ka domethënie të pastër rrezikun e nacionalizmit shqiptar për tokat shqiptare jashtë kufijve politike të Shqipërisë. Nuk mund të gjendet as edhe një koment apo refleksion në dokumente partie e studime të tjera që të hidhet poshtë a t’i bëhet kritikë Djedierit, megjithëse më 1982, në librin “Titistët” Enveri shkruan: “Vetë propaganda antishqiptare e titistëve, të paktën gjer tani, asnjëherë s'ka fabrikuar ndonjë "dokument" që të "vërtetojë" të kundërtën.” dhe hesht për Rezolucionin e botuar nga Dedjeri, që më 1949, i depozituar në Bibliotekën Kombëtare, dhe as mund të mendohet se nuk ishte dhe në atë të KQ.

THIRRJE E KONFERENCES SE GRUPEVE

Dokumenti “Thirrje (rezolucion) e Konferencës së Grupeve (komuniste)” është i vetmi dokument arkivor i mbledhjes themeluese të PKSH. Në origjinalin e tij, fjala e parë është Rezolucion, por i prishur nga dora e vetë Enverit, me stilografin me bojë jeshile të fortë; dhe s’është vështirë të gjesh autorin e Rezolucionit, por ai shkruhet me dorën e Enverit: Miladin (Popoviç). Ndryshimi nga Rezolucion në Thirrje ka një arsye të vetme: ta shtyjë disa ditë para në kohë, sikur të ishte një thirrje që iu bëhej grupeve komuniste para mbledhjes së tyre. Është fare lehtë e kuptueshme se raporti mbahet para delegatëve të grupeve për themelimin e partisë, në natën e 4 nëntorit 1941.

Në këtë format të plotë dokumenti botohet për herë të parë dhe përmbajtja e tij jep një tablo të qartë të asaj çka është diskutuar e vendosur atë natë, që gati për tetë dekada është mbuluar me mister. Në faqen e parë, dokumenti flet për situatën politike, e cila fjalë për fjalë është shkruar edhe në të ashtuquajturin Rezolucion i mbledhjes së grupeve komuniste e që zë 26 faqe të ‘Dokumente Kryesore I’ (1960).

Në dy vijime të gazetës “TemA”, datë 25 dhe 26 korrik, është debatuar me Profesor Kristo Frashërin edhe për vlerësimin që i bën “Referatit” të Miladinit: Referati është për parimet e marksizëm-leninizmit; dhe referati tregon qartë, se Miladin Popoviçi është i dërguar i Kominternit në mbledhjen themeluese të partisë dhe se Miladini është korrekt dhe i paanshëm në misionin e tij. Dhe për ta parë vetë lexuesi se nuk është as referat për marksizëm- leninizmin, por raport për gjendjen e grupeve dhe lëvizjes komuniste dhe po ashtu, nuk është as i dërguar i Kominternit, por i dërguar i PKJ së Titos, siç është argumentuar më parë dhe as i kulturuar, korrekt e i paanshëm, por një bolshevik stalinist i thekur, intolerant, kërcënues deri në hakmarrje.

Është shumë interesante se Miladini në raportin e tij merr nën mbrojtje të hapët dhe të fortë Koço Tashkon, Zef Malën e Anastas Lulon, ndaj të cilëve bëhej goditja më e madhe në luftën mes grupeve. Dhe të paralizosh delegatët për kritika kundër Koçollarëve, Zefistëve e Lulistëve, siç i quan Miladini, do të thotë të mos ketë asnjë shenjë debati, por që për këtë debat të zjarrtë shkruan aq shumë Enveri në librin “Kur lindi Partia”.

Miladini me tone udhëzuese jep dhe këshilla e porosi për mënyrën e diskutimit, shkrirjen e grupeve dhe themelimin e Partisë. Në faqen e fundit origjinali ka një pesëpikësh, që do të thotë se diç i mungon raportit që duhet t’i jenë hequr në atë çka mbeti në AQSH. Lexuesi, studiuesit, historianët kanë shumë çka mund të nxjerrin nga ky dokument i rëndësishëm. Tek e fundit, pas këtij raporti, veprës “Kur lindi Partia” i mbeten vetëm dy kapakët.

Thirrje e Konferencës së Grupeve

“Shokë,

Situata e re e krijueme në gjendjen e përbotëshme mbas plasjes së luftës në mes Gjermanisë dhe U.R.S.S.-it i ngarkon detyra të reja të gjitha lëvizjeve revolucjonare. U ngarkon luftën, e cila simbas fjalës së shokut STALIN, do të shkojë deri në fund deri në fitoren e socializmit mbi imperializmin dhe fashizmin.

Ordhit e tërbueme dhe të dehuna të Hitlerit shtazërisht kanë sulmuem tokën e Bashkimit Sovjetik dhe deri diku kanë depërtuem në U.R.S.S. tue kujtuem se Bashkimi Sovjetik asht si vendet e tjera kapitaliste të Evropës. Ato ordhi po shkatrrojnë po plaçktitn dhe po vrasin njerës në vëndet që kanë zaptuem. Njerës të cilët për 20 vjet kanë ndërtuem socializmin, toka e lulëzueme e të cilëvet ka hecë drejt përparimit; puntorë dhe kolkozjanë që kanë jetuem në begati dhe lumtuni, tue ndërtuem një botë të re pa shfrytzim të njeriut prej njeriut. Ato ordhi e kanë trazuem kullën e Kështjellës së paqës e tash në fushat pjellore Sovjetike, tufani i tërbuem i luftës po shkatrron çdo gja. I gjith Bashkimi Sovjetik asht ngritë në kambë si një njeri, për mbrojtjen e tokës së tijë Sovjetike. Ushtrija e Kuqe po i jep grushte bvdekjeje Ushtris gjermane. Katër miljon të elitës të gjakpirsve të Hitlerit janë hudhë jasht luftës. Nuk ka dyshim se ajo ushtri e armatosun me të gjitha mjetet që ka shti në dorë ndër tokat e robnueme të Europës, do të dërmohet në ndeshjen me ledhet e fuqishme të botës së socializmit. Kët siguri në fitore, U.R.S.S. na e ka thanë me kënaqësi ndër meetingje, ndër manifestime, më 22 Qershor ditën kur hordhit e Hitlerit i kanë ramë tokës Sovjetike dhe kanë depërtuem në te. Kët ngjarje shoku Stalin ja ka ba të dijtum të gjithë botës dhe popullit të vet, tue thanë se anmiku asht i fortë dhe na duhet të mobilizojmë të gjitha fuqitë t’ona për me e dërmuem. Lufta do të jetë e gjatë dhe e përgjakëshme. Prandaj duhet t’a kuptojmë gjendjen. Kurse ne kemi mundë me i dalë në krye ndërhymjes kundër-revolucjonare të 1918-ës aq ma tepër dhe ma me siguri sot do t’a mposhtim armikun.

Gënjeshtrat e Hitlerit për të justifikue sulmin kundër Bashkimit Shovjetik janë të qarta, nuk ast nevoja të shpjegohemi mbi “qëllimet e tij” në sulmin kundër Bashkimit Sovjetik, sepse këto janë gënjeshtrat ma të mëdhatë që ka mundë të spifë zyra e propagandës së Nacional-Socializmit. Këto gënjeshtra i kanë pamë haptas popujt e Anglis Amerkës dhe prandaj janë bashkuem me politikën dhe luftën e drejtë të Bashkimit Sovjetik. Nuk due të futem në shpjegimin në mes socializmit dhe kapitalizmit dhe të kundërshtimeve në mes të ndonjë vendi kapitalist për shkak të “Sferave të interesës dhe të sferave të influencës në ndamnjen e botës e tj.” Vetëm do të theksoj se çdo e pa pritme ast e mundun në këto rrethana. Asht e mundëshme ajo që ka thanë Lenini qysh më 1918 e që Hercoli e ka përsëritë më 1932: “Në qoftë se na imponojnë interesat e U.R.S.S. ose të proletarjatit botnor, at-herë Unioni Sovjetik mund të bajë lidhje ushtarake kundër ndonjë fuqije kapitaliste e cila e kërcnon dhe e sulmon Socializmin.” Këto fjalë profetike tash po realizohen. Vendet demokratike e kanë pamë se lufta kundra Unionit Sovjetik asht lufta për shkatrrimin e qytetnimit, përparimit dhe kulturës. Këtë e ka theksuel edhe Chorchilli në fjalimin e tij: “Kam mejtuem ma tepër se 20 vjet se anmiku kryesuer i njerzimit asht komunizmi, por sot jam krejtësisht i bindun se anmiku kryesuer nuk asht ma komunizmi (siç kam mejtue përpara) por fashizmi.”

Popujt e robnuem të Europës po i japin anmikut grushte të randa me sabotime, me greva dhe veprime të armatosuna. Evropa asht transformuem në një vullkan të gjallë në kët luftë çlirimtare në krye të së cilës gjenden Partitë Komuniste të vendeve përkatëse. Po të këtillë luftë të fuqishme po bajnë popujt e gjermanisë dhe Italisë për Po të këtillë luftë të fuqishme po bajnë popujt e gjermanisë dhe Italisë për çlirimin e vet nga rbnija e Hitlerit dhe Mussolinit. Tash ma në të gjitha vendet asht krijuem një front prej të gjith demokratëvet përparimdashës ,në luftë kundër errsinës, përdhunisë e robnisë-kundër anmikut të betuem të njerzimit –fashizmit.

Shokë,

Edhe toka juej asht e robnueme. Ajo asht ndër të parat vende të Europës që asht goditë nga fati i keq .Porse populli Shqiptar ,ka bamë një mprojtje energjike kundra presjoneve fashiste.

Tash ka tinglluem ora e luftës së haptë kundër zaptuesit të popullit t’uej. Kë këtu u ngarkohen ketyra të mëdha. Përpara të gjithave ju ngarkohet lufta për formimin e një Partije unike monolithike, një partije Bolshevike e cila do t’a udhëheqë në rrugë të drejtë popullin e vetë të mjeruem në luftën për çlirimin e tij kombëtar “kundër zaptuesit fashist”.

Nuk kam ndërmed të flas mbi zhcillimin historik të lëvizjes Komuniste të Shqipnisë duhet të konstatohet veç ,nji gja, e kjo asht se ka pasë njerës me vullnet dhe dëshirë të mirë, por që nuk kanë dijtë të punojnë; një pjesë që asht radhitun në liberal-oportunizëm, e kanë prumë punën në atë shkallë që lëvizja të zhvillohej në luftë grupesh të ndryshme fraksjonesh. Grindavecija ka qenë aq e ashpër sa që e ka zhvilluem pa dashtë urrejtjen që në përgjithësi asht edhe nji ngjarje po thuej e zakonëshme në të tilla raste. Janë bamë gabime organizimi dhe shmangëje të ndryshme. Tue dashtë paqen ndër radhët asht shkuem në kompromize social-demokrate. Janë bamë shumë sakrifica për “paqen mbrenda Partisë”. Nuk ashtë hecë drejtë udhës bindëse dhe të drejtë bollshevike dhe nuk janë pastruem të gjith elementat e damshëm, dhe nga ana tjetër asht shkuem shumë lehtë në vijën e grupimit. Të gjitha këto janë zhcilluem në sajë të qëndrimit jo komunist të njenës anë dhe të tjetrës.

Palët me rastin e parashtirmit të punës së tyne e kanënënvizuem punën legale kjo s’mund të përjashtohet por kjo ashtë dashtë lidhë me një punë ma të fortë ilegale. Kjo asht vetëm një dukje e luftës.

Asht shpërndamë nga ndonjëherë ndonjë proklamatë me përmbajtje dhe parrulla revolucjonare e kjo asht bamë me qëllim që me vumë në dijeni nji rreth të ngushtë dhe ka depërtuem pak në popull, e për të mundë eventualisht me i paraqitë si pun=, por nji punë e lidhun ngushtë me masat me vështirsi mund të shifet (me përjashtim deri diku në, Korçë). Janë dukë disa teori të vogla por të gjitha këto kanë le nga fakti i mos njoftjes së thellë i Marxizmë-Leninizmit. Të gjitha këto theori të vogla janë të hueja për partitë proletare. Por kjo nuk do të thotë se nuk ka pasë kurrfarë suksesi dhe verpimi. Asht marrë nji qëndrim në çdo moment politik, gjithashtu asht ba mjaft në përkthimin dhe botimin e leteratyrës.

Sot përpara shokëve të Shqipnisë qëndrojnë detyra të mëdha dhe ndofta ma të mëdha se detyrat e nji partije tjetër të Europës: Formimi i një partije të vetme unike, mobilizimi i turmave në luftën kundra anlikut, kundër fashizmit, krijimi i lidhjeve me masat puntore dhe fshatare, lidhja me lëvizjen çlirimtare të Kombit e cila asht e fortë ndër masat sidomos mbas robnimit kolonial nga imperializmi Italjan. Prandaj lufta e jonë çlirimtare duhet të jetë e lidhun ngushtësisht me atë të popujve të tjerë të robnuem, e për ma tepër me luftën e Bashkimit Sovjetik, pararojë e lavdishme e çlirimit të popujvet të shtypun. Për të mundë me i bamë të gjitha këto; duhet: të likuidohen të gjitha luftat e deri tashme të grupevet, të fraksjonevet, tue përjashtuem të gjitha dobësitë që pengojnë lëvizjen revolucjonare. Të likujdohen felisteizmat e llafet teorike të kota, kufizimi i punës, politikanllëket, liberalizmi dhe paraqitjet oportuniste.

Shokë,

Të gjitha këto të meta duhet t’i hjekim nji herë e mirë, dhe duhet të ruemi prej tyne. Të gjith elementat, pa dallim grupi, të cillët do të vazhdojnë në frymën e përparshme, duhet të përjashtohen pa mëshirë, pse për të tillë elementa nuk ka vënd në lëvizjen puntore revolucjonare.

Duhet të likuidohen, organizatat e deri tashme, “puna organizative” e deri tashme, të riorganizohen bazat e lëvizjes puntore revolucjonare, në baza të Partisë Komuniste, në baza të reja revolucjonare, në kohën e edukimit dhe pregatitjes së turmave për luftën e ardhëshme (tashma e fillueme), sepse kjo asht e vetmja rrugë për përgatitjen e turmave në luftën revolucjonare. D.m.th. me e futë sistematikisht bolshevizmin në organizatat e Partisë. Sjellja e drejtë kundrejt shokëvet, zgjedhja e shokëve të mirë, të vendosun dhe plot inisjativë në vend të atyne që nuk duen të punojnë. Jo simbas meritave të dikurshme, por simbas rezultatit të punës së tyne. Në këtë mënyrë me zgjedh nji kuadër udhëheqës të shëndoshë. Po sa të kemi nji kuadë rudhëheqës të mirë do të kemi nji Parti të fortë. Do të kemi përfitime prej eksperiencës dhe gabimeve të kalueme, e ne komunistët duhet t’i pranojmë gabimet. Në bazë të këtyne gabimeve naltsohen dhe mësohen kuadrot. Në këtë mënyrë ka mundësi të edukohen, të naltësohen udhheqsit e vërtetë të Partisë. (Stalin).

Tek ju, shokë, ka pasë mjaft autokritikë, dhe shpresojmë se nuk do të jetë shprehje kristiane, por tipi i formimit të çeliktë të Bolshevikut, eksperiencë për punën e ardhëshme. Të shpresohet se në të arthmen nuk do të përsëriten ankime të randa. S’ka dhe z’duhet të ketë kurrfarë padurimi në mes të shokëvet “nuk mund të shkoj me filanin por kur të më ngarkohet puna unë punoj”. D.m.th. duhet me i hjekë nga fjalori fjalët Koçollarë, Zefistë, Lulistë (këto fjalë janë të hueja për Partinë e Proletarjatit). Çdo shok të cillit, në çdo rrethanë qoftë, i hyjnë në vesh të tilla shprehje dhe mbiemnime duhet të vejë në dijeni shokët në celulë ose në Komitet. Ata njerës që vazhdojnë me gërmue dhe me zhbiruem, duhet të likujdohen dhe të përjashtohen pa mëshirë.

S’guzohet ma të mos zbatohen direktivat e Komiteteve drejtues. Sa më tepër që raste të tilla do të vërtetohen, duhet të shtypen energjikisht, e kjo asht disiplinë. Prandaj duhet t’i nënështrohi disiplinës së Partisë. Na nuk kemi disiplinë ushtarake. Na kemi sistemin me të cilin mund të shprehen pikpamjet mbi mënyrën e drejtimit të luftës, dhe jo një disiplinë e verbët. Porse një nënështrim disiplinuer të ndërgjegjshëm dhe të vullnetëshëm. Asht e nevojshme disiplina e hekurt në Parti.

Të gjith shokët mbas plasjes së luftës në mes Unionit Sovjetik dhe Gjermanisë, janë të mobilizuem dhe konsiderohen Ushtarë të Ushtrisë së Kuqe d.m.th. nën një disiplinë të rreptë të Partisë. Ne këtu nuk do të ndalohemi në te, e mbi këtë do të bëjë fjalë Komiteti Central e mbi këto do të flitet në tezat.

Po i jap fund me fjalët e shokut Stalin: “Partija asht nji vullnet i vetëm e cilla përjashton çdo mundësi frakcionazhi dhe thyemje t’autoritetit në Parti”.

Disa shënime teknike.

1.- Kur asht mbaruem diskutimi mbi një çështje,kur diskutimi ka rranjën e vet të fortë, duhet të merret vendim mbi atë çështje dhe të pritet çdo bisedim i kotë dhe çdo filozofim. E veçanërisht duhet të thërritet vëmëndja e shokëve që të mos të merren me vogëlsina, ose të kapen intelektualisht mbas fjalvet dhe mos të tjerrin gjatë e gjanë. Nuk duhet të kërkojmë në mënyra filistejsh pse e randa asht e randë dhe e lehta e lehtë, porse të mbrohet dhe të mbarohet dhe të mbarohet çashtja kryesore.

2.- Duhet t’i shikojmë çështjet në vend të vet, siç e ka shpreh mirë nji shok gjatë bashkëfjalimevet “mue më duket nga nji anë e zezë, por kur të tregohet dhe të shifet nga ana tjetrë, ndofta nuk do të jetë aq e zezë.”

3.- Duhet që diskutimi të jetë i përpiktë, i qartë dhe sa më i shpejtë.

4.- Duhet të zgjedhet kryesija dhe dy sekretarë, detyra e të cilve do të jetë të shënojnë çështjet kryesore, gabimet sa dhe siç janë, sukseset në punë dhe si dhe tek asht paraqitë se cili shok në autokritikë dhe në kritikë.

5.- Nuk duhet të hyjmë në nënpyetje, por në qoftë se kush e merr fjalën në çështjet e prekuna, me e lanë të shprehi të gjitha sa ka për të thanë mbi çështjet e prekuna.

Ma në fund të diskutimit do të zgjidhet Komiteti Qëndror, të cilit do t’i dorzohet çdo lidhje e çdo personi, të cilët konsiderohen “anëtarë” qofshin të njanit grup ose të tjetrit. E ma në fund s’ka më lidhje personale por të gjith duhet të drejtohen nëpërmjet lidhjeve të Partisë. Duhet t’i dorzoniteknikën dhe financën si dhe të tjerat..... [janë të origjinalit}

Komitetit Qëndror të Përkohshëm i vehet barra me punuem tezat e Partisë dhe me u dhanë jetë: Një prokllamatë e një Qarkore të nënshkrueme prej Komitetit Qendruer të Partisë Komuniste Shqiptare. komiteti Qëndruer do të zgjedhi njerzit e përszhtatshëm që të mundin të redaktojnë tezat, proklamatat, qarkoret e tj.

Ju përmend dhe ju baj thirrje shokvet që puna të shkojë në vijë të vet dhe lomuniste dhe të mos bahet grindje personae e TJ.

Shokë ju uroj sukses në punë!

FUND

* Ribotim i materialit të publikuar në TemA në korrik të vitit 2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›