E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Pensionistët, s’ka shpërblim për Vitin e Ri

TIRANE-Ministri i Financave, Ridvan Bode në një intervistë të dhënë dy ditë më parë për gazetarin, Arian Çani në emisionin “Zonë e Lirë” ka konfirmuar se qeveria nuk do të japë shpërblime për pensionistët me rastin e festave të Vitit të Ri. Ndërkohë burime zyrtare nga kjo ministri konfirmuan dje për “Gazeta Shqiptare” një lajm të mirë për buxhetorët, të cilët pritet të përfitojnë një shpërblim me rastin e festave në vlerën 10 mijë lekë.
Cila do të jetë dhurata e qeverisë për “Vitin e Ri” për pensionistët? Do të jetë një gjel i plotë, do të jetë një gjysëm-gjel apo do të jetë një gjel-sheqerkë për t’u lëpirë?
Do të jetë një gjel që do ta blejnë vetë qytetarët por do të jetë një treg i qetë dhe një treg jo me çmime të rritura nën presionin e kërkesës së konsumatorit, pra do të jetë një treg i stabilizuar.
Pra një gjel i plotë por me lekët e vetë qytetarëve?
Po. Me lekët e qytetarëve më shumë se gjel…
Cila është situata aktuale e bankave në Shqipëri? A janë të sigurta kursimet e shqiptarëve në banka?
E vërteta është që ne kemi një sistem bankar të mirë, të sigurtë për qytetarët. Ajo që ne kemi bërë kujdes përgjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë që të kemi një sistem financiar solid dhe të fortë. Dhe sistemi ynë bankar është i tillë. Muajin e kaluar ka qenë një mision i Bankës Botërore në të gjithë rajonin tonë, i cili arriti në konkluzionin se sistemi bankar shqiptar është më solidi dhe më i sigurti në rajon.
Sa është përqindja e kredive të këqia?
Është 18 për qind sipas raportit më të fundit që ka bërë misioni i Bankës Botërore.
A është me të vërtetë buxheti i shtetit për vitin 2012, një buxhet konservator?
Pritshmëritë e zhvillimeve rajonale sidomos të Eurozonës nuk janë pozitive. Kriza që ka përfshirë Eurozonën është më e thella dhe më e gjata. Ne kemi programuar një buxhet që do vazhdojë të rritet në krahasim me vitin 2011, me një rritje në masën 4.3 për qind.
Ju keni parashikuar 4.3 për qind rritje ekonomike të Shqipërisë për vitin 2012. Por a keni menduar që kjo rritje mund të mos shkojë më shumë se sa 2, pa thënë se mund të jemi 0 apo larg qoftë të jetë edhe minus 2..
Të gjitha janë të mundshme nëse nisemi nga zhvillimet dramatike që mund të ndodhin në Eurozonë. Në programimin tonë ne jemi treguar konservativë. Por a ka Shqipëria burime për të rritur ekonominë në masën 4.3 për qind? Unë them që po, ne i disponojmë këto burime.
Cilat janë?
Niveli i dipozitave që kemi aktualisht. Ekonomia e eksporteve që vijon edhe për muajin që sapo e mbyllëm, nëntorin, me një rritje prej 38 për qind.
Nëse Eurozona ikën gjithmonë keq e më keq, a do të thotë kjo se Shqipëria do të shkojë në zero?
Sigurisht që zhvillimet në Eurozonë, dominojnë…
Më thoni skenarin më katastrofë që të jemi të përgatitur…
Skenari më katastrofë mendoj që mund të jetë përsëri një rritje por jo kjo rritje që kemi programuar.
Sa pra?
Mund të shkojë mbi 2 për qind. Nën 2 për qind nuk mund të bjerë asnjëherë. Nuk ka ndodhur kurrë që Shqipëria të bjerë nën 2 për qind, madje edhe në vitet më të vështira. NE kemi burimet tona potenciale. Ka një efekt psikologjik që po ndodh në të gjithë Europën por trendi është përsëri pozitiv.
A do rritet borxhi publik?
Borxhi nuk do të rritet, pasi edhe në vitin 2011 të njëjtën gjë bëmë. Pra përcaktuam një nivel në fillim të vitit dhe thamë do ta kemi kaq borxhin dhe me gjithë ndryshimin që i bëmë buxhetit në korrik nivelin e borxhit nuk e prekëm por ulëm vëllimin e shpenzimeve
Po pangat dhe pensionet?
Ne kemi programuar që ato do të rriten. Do vazhdojmë me politikën e rritjes së pagave dhe pensioneve. Konkretisht kemi programuar që rritja e pagave e pensioneve do jetë nga 4-12 për qind sipas kategorive.
Meqë jemi në prag festash a do ta sakrifikoni portofolin e ministrit të brendshëm, Bujar Nishani për të ndihmuar policët me ndonjë shpërblim meqënëse do të jenë në shërbim më 31 dhjetor.
Jo në fakt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›