E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush ishte ‘plaku i urtë’ Sabri Godo?

TIRANE-Sabri Godo, konsiderohet si një nga figurat dhe personazhet më të rëndësishëm të politikës shqiptare në 20 vitet e fundit. Ai u nda nga jeta të shtunën në moshën 82-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë në mushkëri.

Sabri Godo ishte një ndër politikanët më të njohur në Shqipëri, shkrimtar dhe skenarist. I lindur në Delvinë më 8 gusht 1929, dhe pasi kreu shkollën fillore në vendlindje, Godo e vazhdoi të mesmen në Tiranë, të cilën e la në gjysmë në vitin e tretë, pasi mori pjesë në luftën antifashiste, nga 15 korriku i vitit 1943 deri në maj 1945, kur u kthye nga Jugosllavia.

Godo u largua nga Shqipëria së bashku me nënën e tij pasi përndiqej politikisht. Ka patur një veprimtari të ngjeshur në publicistike, veçanërisht në revistën "Hosteni", ku ka botuar mbi tri mijë faqe fejtone e shkrime kritike me pseudonime.

Në janar të vitit 1991 Sabri Godo themeloi Partinë Republikane të Shqipërisë të cilen ai e drejtoi për shtatë vite me radhë. Aktualisht ishte kryetar i Asamblesë Kombëtare të kësaj partie. Ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura, ku ka ushtruar detyrën e kryetarit të Komisionit të Çështjeve Sociale dhe të atij të Politikës së Jashtme,si dhe ka dhënë gjithashtu një kontribut të madh për sa i përket hartimit të Kushtetutës së Shqipërisë.
Ndër veprat e tij artistike përmenden romanet dhe tregimet e tilla si: "Plaku i Butkës", Roman historik (1966); Ali Pashë Tepelena, roman 1970, Zëra nga burime të nxehta, tregime (1972); "Intendenti", tregim (1973); "Skënderbeu (1975), "Prova e zjarrit", roman (1977); "Kohët që shkojnë, kohët që vijnë", reportazhe (1985); "Ujërat e qeta", roman, (1988); "Koha e njeriut", roman (1990), "Udhëtari", roman (2009) dhe skenarë “Dritat e qytezës”, (1983).

Ndonëse jo me një angazhim politik të drejtpërdrejtë, prej shumë vitesh, z. Godo ishte aktiv në të gjitha momentet kritike apo debatet për shumë situata që kalonte vendi.

Para viteve '90 Sabri Godo ishte i njohur përmes disa veprave si shkrimtar, ku romanet historikë, "Skënderbeu" dhe "Ali Pashë Tepelena", janë ndër më të rëndësishmet. Ndërsa, me përmbysjen e regjimit komunist, gjatë historisë 20 vjeçare të pluralizimit, ai do të ishte një nga figurat më me peshë në vend. Themelues i Partisë Republikane në vitin 1991 dhe dy herë deputet i parlamentit shqiptar, z. Godo është ndër hartuesit e Kushtetutës së vendit.

Ai do të tërhiqej nga drejtimi i republikanëve, duke ruajtur pozicionin e Presidentit të Nderit të Asamblesë së Partisë Republikane, ndërkohë që angazhimi i tij publik do të mbetej i fortë.

Në shumë çështje të debatuara apo situata kritike mendimi i tij do të kërkohej për të rivendosur ekuilibrat dhe për të ofruar zgjidhjet e matura, duke përftuar kështu me te drejte dhe vlerësimin “Plaku i urtë”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›