E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Përgjysmuam taksat e makinave, Kodheli: Po fitoni 2 herë më shumë

TIRANE - Pas diskutimeve për më shumë se 3 orë, maxhoranca miratoi me votat e saj aktin normativ për “varrezat e makinave, ndërsa opozita votoi kundër. Akti normativ u miratua me 71 vota pro dhe 60 vota kundër. Kuvendi shtyu për herë të dytë votimin e pr/ligjit për Gj.Administrative, e cila kërkon 84 vota. Ministri i Financave Ridvan Bode në interpelanë me deputeten Kodheli: Taksat e makinave janë përgjysmuar.

BODE: PËRGJYSMUAM TAKSAT E MAKINAVE, KODHELI: PO FITONI 2 HERË MË SHUMË
Ora 15:40- Interpelanca e parë e kërkuar nga deputetja e PS-së Mimi Kodheli për ministrin e Financave Ridvan Bode nisi rreth orës 15:00.
Bode iu përgjigj pyetjeve në lidhje me taksat e reja të makinave, që deputetja Kodheli Ngriti. Sipas tij është bërë vetëm një rimodelim i taksave të makinave, për të thjeshtuar procedurat dhe për të ulur barrën fiskale sic tha ai.
“Vendosëm të hiqnim 3 taksa, i zëvendësuam me dy. Ndryshimet u bënë për të thjeshtuar procedurat. Sqaroj se me këto taksa synojmë uljen e barrës fiskale”, tha ai.

Bode tha se me ndryshimin e taksave makinat paguajnë gjysmën e taksave të mëparshme.
“Taksat e makinave do paguhen në varësi të përdorimit të makinave. Cdi qytetar sot paguan gjysmën e taksave që paguante me përpara”, tha Bode ndërsa shtoi se mjetet bujqësore nuk paguajnë fare taksa.

Deputetja Kodheli kundërshtoi fjalën e ministrit duke i thënë se vetëm me një taksë, atë të qarkullimit qeveria e tij do vjelë nga xhepat e shqiptarëve 2 herë më shumë të ardhura se më parë.
“Makinat do paguajnë taksën e re të qarkullimit e cila rrit barrën fiskale, pasi vetëm me të ju do merrni 2 herë më shumë të ardhura. Nga taksa e automjetit ju merrnit 32 milion dollarë, ndërsa tani vetëm nga ajo e qarkullimit do merrni 72 mln. Shqiptarët do paguajnë 90 lekë shtetit për cdo litër nafte, pra më shumë se gjysmën e cmimit të naftës do ta paguajnë si taksë tek shteti”, tha ajo.

PATOZI - OPOZITES: PO PENGONI VOTIMIN E LIGJEVE
Ora 14:36- Në kundërpërgjigje kryetari i grupit parlamentar Astrit Patozi akuzoi opozitën se po vazhdon të pengojë votimin e ligjeve. “Pakti i Edi Ramës është si pseudokauza e kutisë për të mos ardhur në parlament”- tha Patozi nga foltorja e Kuvendit duke përsëritur thirrjen ndaj opozitës “për të mos bërë pazar me integrimin vendit” .

RUCI: NUK MRIATOJME LIGJET PA PERMBUSHUR PAKTIN E OPOZITES
Ora 14: 30- Kryetari i Grupit Parlamentar socialist Gramoz Ruci deklaron se opozita nuk do të votojë asnjë ligj që kërkon 3/5 pa u përmbushur më parë pakti i propozuar nga kryesocialisti Edi Rama.
“Nëse qeveria e dëshiron votën tonë duhet të plotësojë propozimet tona sepse ne nuk kërkojmë asgjë që nuk përputhet me standartet europine. Nuk është detyrimi i opozitës ti votë ligjet vetëm se thotë kryeministri” nënvizoi Ruçi, nga foltorja e Kuvendit.
Sipas tij “Votën për ligjet që kërkojnë 3/5 do ta japim kur çka ofrohet, të përputhet sipas rekomandimeve të BE-së. “Që kjo të ndodhë nuk është e pamundur. Ne nuk kërkojmë asgjë që nuk përputhen me standardet e BE”- vazhdoi Ruci. Më pas paraqiti edhe një herë 10 pikat e propozuara nga opozita duke shtuar se PS-ja është e gatshme të nisë dialogun duke filluar që nga komunikimi parlamentar.

VARREZAT E MAKINAVE, PS: AKTI NORMATIV ANTIKUSHTETUES, PD: MBRON MJEDISIN
Ora 12: 30-Kuvendi vazhdon diskutimin e aktit normativ "Për heqjen e mjeteve motorike, të rimorkiove si dhe të pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit që ndodhen pranë rrugëve kombëtare".
Sipas opozitës ky akt normativ është në kundërshtim me Kushtetutën pasi nuk i përgjigjet tre elementeve nevoja, urgjenca dhe marrja e masave të domosdoshme.

Sipas socialistit Blendi Klosi me akti normativ po përgatitet një aferë korruptive, po kërkohet të ngrihet një industri e cila do bazohet mbi korrupsionin qeveritar. “Nuk janë vetëm varrezat e makinave që ndodhin rrugët që dëmtojnë mjedisin. Cfarë po bën qeveria për të hequr guroret, bizneset që janë buzë rrugëve, për të rregulluar akset rrugore, pikat kryesore ku kemi pikat turistike.
“Në Durrës, te Kthesa e Plepave, vetëm plepa nuk ka. Mund të ketë çfarë do lloj mbetje urbane, mund të shiten cdo gjë, por nuk ka plepa. Te Ura e Dajlanit, edhe atje zona e mbingarkuar.Pastrojini. Përgjatë autostradës Tepelenë- Gjirokastër e ndërtuar nga qeveria greke nuk ka një pikë ndotjeje, nuk ka një pikë karburanti, Të marrim autostradën Tiranë-Durës, e ndërtuar nga qeveria shqiptare, ka 60 pika karburanti”- tha Klosi duke akuzuar maxhorancën se ka “zero kontroll mbi realitetin e rrugëve.”
Sipas deputetit socialist me aktin normativ kërkohet “të ngrihet një industri monopol. Tia heqim biznesin këtyre pakiace dhe tia kalojmë grosistëve. Akti normativ e dëshmon këtë, Do marrin skrapin do e shesin te grosistët”

Deputeti socialist Armand Subashi thotë se akti “bie ndesh me Kushtetutën” si dhe me konfiskimin e këtyre mjeteve nga ministria, sic është parashikuar në akt, cënohet e drejta pronësisë. “Nuk mund të konfiskohet pa iu nënshtruar një procesi gjyqësor”.- tha Subashi.
Sipas deputetit socialist akti “Nuk do zgjidhë problemet mjedisore pasi nuk do mbyllen varrezat por do zhvendosen më tej, më afër zonave të banuara”, gjithashtu “nxjerr në pah korrupsionin e radhës, dhe nuk zgjidh problemin përfundimisht”.

Nga ana e deputetit të maxhorancës Tritan Shehu, akti normativ është mjaft i rëndësishëm për mbrojtjen e mjedisit dhe ftoi opozitën ta votojnë.
Deputeti socialist Besnik Baraj kërkoi që akti të mos kalojë në parlament në formën ekzistuese dhe pa u diskutuar me grupet e interesit. “Kërkohet të bëhet monopol.- tha më tej deputeti socialist Besnik Barja.
"Ky ligj duhet të ishte i plotë, të jepte dhe kriteret e zonës ku do vendosen mbetjet e makinave, veçanërisht lidhur me distancat jo vetëm nga rruga nacionale por edhe larg burimeve ujore sipërfaqësore e nëntokësore, larg zonave të mbrojtura etj. Formulime të tilla të ligjeve tregon se ne jemi të sipërfaqshëm, i bëjmë gjerat sa për të kaluar radhën, nuk na intereson thelbi por fasada. E kjo konfirmohet qartë në faktin se ndërsa shqetësohemi me të drejtë për peizazhin e varrezave të makinave, nuk shqetësohemi edhe për aspekte të tjera. Nuk beson njeri se është peizazhi që i shqetëson qeveritarët pasi nuk do të lejohesh deformimi kriminal i peizazheve të kodrave e të maleve të shkaktuara nga aktivitetet e fabrikave të çimentos, që janë pranë rrugëve nacionale e që dallohen jo vetëm kur je pranë por edhe kur je 10000 m lart në ajër. E çfarë është bërë për rehabilitimin e këtyre peizazheve? Përkundrazi, si kuçedra këto aktivitete vazhdojnë të hanë e deformojnë peizazhet e bukura si ato të Krujës etj. Mënyra ku janë vendosur ato është shembulli që do merrte çmim të parë se si mund të ndërtohet keq një aktivitet me impakt mjedisor negativ."- deklaroi Baraj.
Ndërsa deputeti tjetër socialist Gazmir Bizhga tha se në sipërfaqet ku janë aktualisht varrezat e makinave “janë të papërdorshme për shkak të “vajra lubrifikantë që janë derdhur” dhe me zhvendosjen e këtyre varrezave, sipas aktit të ri normativ, vetëm sa do të dëmtojë sipërfaqe të tjera toke.

DISKUTOHET AKTI NORMATIV I VARREZAVE TE MAKINAVE
Ora 11:45 Deputetët e opozitës kërkojnë sqarime mbi aktet e këtij pr/ligji. Sipas maxhorancës këto makina që kanë dalë jashtë përdorimit janë bërë dhe shkak për disa aksidente. Ndërkohë që deputetët socialistë, si Gazmir Bizhga kërkoi të dinte nëse kishin ndonjë relacion se sa është numri i aksidenteve. “Varrezat përbëjnë rrezik për qarkullimin. Ka afron 18 % e aksidenteve që rrjedhin nga prania e varrezave të automjeteve.”- deklaroi zv ministri i Mjedisit, Taulant Bino.
“Me largimin 1 km nga akset kryesore të këtyre varrezave, në bazë të aktit normativ 290 aktivitete të palicencuara do detyrohen të largohen dhe do detyrohen të marrin leje mjedisore”- deklaroi ministri i Transporteve Olldashi

KUVENDI NIS PUNIMET
Ora 11:15-Kuvendi nis punimet me diskutimin e aktit normativ "Për heqjen e mjeteve motorike, të rimorkiove si dhe të pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit që ndodhen pranë rrugëve kombëtare".
Akti i propozuar nga Ministria e Mjedisit synon marrjen e masave të menjëhershme për përballimin e situatës emergjente, të krijuar nga gjendja e rënduar dhe problematike e vendgrumbullimeve të mjeteve motorike, të dala jashtë përdorimit, pranë rrugëve kombëtare, të cilat kanë ndikuar në ndotjen e mjedisit dhe përkeqësimin e sigurisë rrugore në të gjithë territorin.

INTERPELANCA E KRYEMINISTRIT E BODES
Ndërkaq në seancën e sotme është parashikuar edhe interpelancë e kryeministrit Berisha kërkuar nga deputeti socialist Erjon Brace. Interpelanca është përfshirë në pikën e 9-të të rendit të ditës së punimeve të sotme plenare.
Një tjetër interpelancë është ajo e minsitrit të Financave, Ridvan Bode kërkuar nga deputetja e PS Mimi Kodheli. Interpelanca me Boden vjen menjëherë pas nismës ligjore të paraqitur nga opozita për heqjen e tvsh-së së bukës dhe disa ushqimeve bazë.
Edhe në seancën e kaluar kuvendi u detyrua të shtyjë votimin e 6 projektligjeve, pasi opozita deklaroi se nuk do ti votonte pa i kaluar më parë për rishqyrtim në komisione.
(s.g/m.a/Balkanweb) Lidhje te tjera Arvizu: Pakti i PS hap inkurajues për dialogun mes palëve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›