Bode: Prioritet i Qeverise, ulja e borxhit
Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se po të bëhen krahasimet me ekonomitë e vendeve në rajon nuk është koha për të thënë se efektet e krizës globale në ekonominë shqiptare ishin minimale. Gjatë seminarit mbi situatën aktuale ekonomike në Shqipëri, e organizuar nga FMN, kreu i Financave tha se ekonomia shqiptare i rezistoi goditjeve të krizës dhe se vendi ynë ka stabilitet makroekonomik. “Nuk është koha për të krahasuar se ne në tre vite kemi rritur borxhin publik veç 5 % kur eurozona e ka rritur 22 %, të cilat dëshmojnë atë që thamë më parë produktin e një stabiliteti e qëndrueshmërie makroekonomike afatgjatë që ka pasur Shqipëria”, vlerësoi Bode. Sipas tij, “është koha për të marrë masat e nevojshme dhe se prioritet i Qeverisë është ulja e borxhit”. Ai tha se “është koha që mbi këtë bazë të marrim masat e nevojshme për të tentuar për të synuar një ekuilibër të ri makroekonomik me parametra më të përshtatshëm”. “Është koha që ekonomia shqiptare të mund të përfitojë nga zhvillimet ekonomike globale për të mundësuar një ripozicionim më të mirë në kuadër të ekonomisë rajonale dhe asaj globale, përmes ndërmarrjes politike emergjente energjike të ristabilizimit makroekonomik të vendit”, deklaroi ministri i Financave.