E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Rama dezinformon opinionin

Buxheti, replikon ministri i Financave

Akuza për shpifje dhe deformim të së vërtetës prek edhe diskutimin rreth ndryshimeve në buxhetin e shtetit. Shqetësimeve dhe interpretimit opozitar të ligjit të miratuar në parim dy ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë, ministri i Financave, Ridvan Bode, i ka dhënë dje një përgjigje të posaçme. Duke iu referuar deklarimeve të kreut të PS-së Edi Rama, rreth shkurtimeve në buxhet apo edhe masave të marra nga qeveria, numri një i financave shqiptare ka konkluduar se ato janë vetëm dezinformime. “Z. Rama shtrembëron të vërtetën kur thotë se buxheti i shtetit i vitit 2010 është pakësuar me 25%, në një kohë kur nga të gjithë dje u konstatua se shkurtimet shkonin jo më shumë se 9.5% e programit fillestar… Vijon t’i bjerë fyellit në vrimën e tij, se ekonomia shqiptare është në krizë, ndërkohë që jo më larg se një javë më parë, nga FMN-ja u deklarua se është një rritje më e madhe nga sa ne e kishim shpresuar. Viti 2008 ka pasur një rritje me 15%, ndërkohë që qeverisja e partisë së Ramës ka realizuar një rritje ekonomike që nuk i ka kaluar asnjëherë 10% krahasuar me këtë vit”, tha ndër të tjera Bode, duke rikonfirmuar optimizmin qeveritar për situatën ekonomike. Sipas tij, pika e vetme ku nuk është verifikuar ecje përpara janë “të ardhurat nga pushteti vendor”, një aludim hapur ky për drejtimin opozitar të bashkive më të mëdha, por edhe një sfidë që e afron klimën e fushatës elektorale.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›