E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode: Rama me shpurën e emisarëve përbaltin me imazhin e krizës- ekonomia është e stabilizuar dhe në rritje

Ministri i Financave Ridvan Bode reagoi sot përmes një deklarate për shtyp, ku hodhi poshtë pretendimet e pabaza dhe të qëllimta të Partisë Socialiste mbi situatën ekonomike në vend. Bode u shpreh se ekonomia është në rritje të ndjeshme progresive, ndërsa premtoi rritje të pagave dhe pensioneve që nga 1 korriku i vitit 2010
Ministri i Financave nënvizoi se ekonomia shqiptare përballoi me sukses efektet financiare të krizës globale dhe tani po gëzon një shëndoshje që llogaritet tek një rritje prej 3% deri në fund të viti 2009. Bode iu referua edhe shpërblimeve të fundvitit që qeveria ka miratuar në mesditë, duke shtuar se në një kohë kur vendet e BE prej muajsh të tërë kanë prerë rrogat dhe pensionet ose i kanë ulur ndjeshëm ato, Shqipëria ka luksin e një stimuli të ndjeshëm për të gjitha kategoritë e buxhetorëve dhe pensionistëve. 

Deklarata e plotë e ministrit të Financave Ridvan Bode:

Jam sot para jush për të sqaruar opinionin publik rreth të vërtetave për zhvillimin ekonomik të vendit gjatë vitit 2009, si dhe për të denoncuar shpifjet dhe mallkimet e përbaltjet që opozita joinstitucionale vijon t’i bëjë ekonomisë së vendit për të krijuar imazhin e paqenë të një krize ekonomike, si dhe për të krijuar pasiguri dhe destabilitet edhe në komunitetin e biznesit. Për gjatë gjithë vitit 2009 Rama dhe emisarët e tij të dështuar u përpoqën të krijojnë në opinionin publik ndjesinë e një krize të thellë në ekonominë shqiptare. Ata u përpoqën që ta destabilizojnë sistemin financiar duke ngritur parullat e falimentimit të sistemit bankar dhe të pasigurisë së depozitave. Pasi dështuan në përpjekjet e tyre gjithë vjetore me rastin e Vitit të Ri, edhe një herë Rama dhe shpura e tij shfaqen para shqiptarëve me modelin e Gogolit. E vërteta e zhvillimeve ekonomike në Shqipëri, tashmë është e njohur dhe e bërë publike, jo vetëm nga qeveria por edhe nga institucionet ndërkombëtare financiare që kanë asistuar dhe asistojnë në Shqipëri. Janë disa raporte të njëpasnjëshme të emetuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, nga Banka Botërore dhe Agjencitë e saj, nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, nga Komisioni Evropian, të cilat sanksionojnë se ekonomia shqiptare ishte ndër të paktat ekonomi evropiane që qëndroi jashtë vorbullës së krizës më të thellë ekonomike që ka njohur bota që nga vitet ’30. Të gjitha këto raporte konfirmojnë një rritje ekonomike për ekonominë shqiptare gjatë vitit 2009, e vlerësuar me nuanca nga variantet më pesimiste drejt atyre më optimiste që shkojnë nga 2-5% rritje për gjatë vitit 2009. Rritja ekonomike e vendit është shoqëruar edhe me një stabilitet monetar. Tregu monetar, sistemi bankar tashmë është tërësisht i stabilizuar. Niveli i inflacionit është i moderuar brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë të vendosur në dhjetorin e vitit 2009 me që përbën dhe angazhimin publik të Bankës dhe të qeverisë, për t’i afruar këtij limiti dhe që është nën 3%, ose mbi bazën mesatare vjetore është nën 2.5%. me një zhvlerësim të lehtë të monedhës vendase që vjen për shkak të fuqizimit të monedhës evropiane dhe mbajtjes në të njëjtin kurs këmbimi në raport me monedhat e tjera të mëdha botërore dhe së fundi rikthimi i qetësisë dhe stabilitetit bankar në sistemin e depozitave të tyre dëshmojnë se i pari sistem që u prek nga presioni i krizës globale asaj financiare ishte sistemi bankar dhe e para pjesë e ekonomisë, e cila u rikthye tërësisht në normalitet ishin përsëri bankat. Bota provoi krizën më të thellë qysh nga vitet ’30. vendet e rajonit dhe të gjitha të tjerat janë me një rënie të dukshme ekonomike. Sipas Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në rajonin tonë Shqipëria do të jetë e vetmja me një rritje ekonomike pozitive dhe në rangun e të gjithë kontinentit evropian Shqipëria dhe Polonia janë dy vende që mbeten me një rritje pozitive ekonomike. Kohët e fundit ka shenja të qarta nga ekonomitë e vendit të rajonit tonë dhe vendeve të tjera të mëdha dëshmojnë për daljen nga kriza ekonomike, çka do të thotë për një presion më të reduktuar edhe mbi ekonominë e vendit tonë për shkak të këtij faktori. Përballë presioneve të krizës ekonomike globale, e cila duhet pranuar se ka përcaktuar jo pak në ritmet e zhvillimit tonë ekonomik për vitin 2009, qeveria ndërmori një sërë masash, duke mbajtur një rol proaktiv për të përdorur stimuj të fuqishëm fiskal dhe për të mbajtur ekonominë e vendit në ritme zhvillimi tërësisht pozitive. Politikat fiskale të qeverisë në raport me krizën kanë qenë të drejtpërdrejta mbi biznesin përmes uljes së taksës së punës me një kartën e saj. Përmes reduktimit dhe heqjes së një sërë tarifave të tjera dhe nga ana tjetër përmes rritjes së rolit aktiv të buxhetit të shtetit ne ekonomi, duke e çuar vëllimin e investimeve publike për vitin 2009 në 10% në nivelin më të lartë në të gjithë rajonin. Politika e zgjedhur për të përshpejtuar investimet publike në infrastrukturë e sidomos në rrugë ka qenë një politikë e përshëndetur edhe nga FMN edhe nga partnerë tanë financiarë dhe nuk ka qenë sikurse dhe deklaron opozita një angazhim i pamenduar për fushatë elektorale.
 Rritja e investimeve publike mbajti lart kërkesën në tregun e brendshëm dhe mundësoi që sektorë të tillë të ekonomisë të mund të kenë një kërkesë më të ngritur dhe një zhvillim më të përshpejtuar. Po ashtu si stimuj fiskalë përballë krizës, ekonomia shqiptare dhe qeveria patën mundësi që të bëjnë një rritje të pagave dhe pensioneve nga 1 maji i këtij viti dhe me një normë rritjeje që ishte e njëjtë me rritjen më të lartë të bërë gjatë vitit 2008. Këto zhvillime, roli aktiv i qeverisë për të nxitur ekonominë krijuan atë ambient që mundësuan një rritje ekonomike në vendin tonë. Vendet e tjera të ndodhura përballë pamundësive të financimit të shpenzimeve të tilla dhe mungesës së projekteve në proces nuk mundën dot të përdornin instrumente aq të fuqishme sa përdori ekonomia shqiptare. Nga ana tjetër qeveria shqiptare nisur nga pritshmëria e presioneve të krizës financiare globale administroi me kujdes të ardhurat nga privatizimet si edhe doli në tregun ndërkombëtar për 200 milion euro, duke injektuar mbi 500 milion euro në ekonominë shqiptare në kompensim të burimeve të tjera të financimit që mund të vinin nga sistemi bankar apo nga reminitancat.
Borxhi publik i vitit 2009 është në përputhje me parametrat që kemi vendosur në fund të vitit 2008 dhe në përputhje të plotë me marrëveshjen që kemi me FMN-në, ndërsa vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë, vendet evropiane gjatë këtij viti u detyruan që të dyfishojnë dhe trefishojnë defiçitin buxhetor dhe ndodhi ajo që në fund të nëntëmujorit borxhi publik i vendeve më të zhvilluara të kapërcejë 100% të BB-së, ekonomia shqiptare, buxheti i shtetit zbatuan me përpikëri objektivat e vendosura qysh në fundin e vitit të kaluar dhe nuk dëshmuan asnjë dobësi, për të kërkuar një rritje të defiçitit apo të borxhit publik gjatë vitit 2009. nëse me FMN-në në dhjetor vendosëm që defiçiti i programuar në 2009 do të ishte 4.2% të jemi të bindur që do të respektohet ky tavan i defiçitit. Nëse ka një rritje të moderuar me një pikë përqindjeje të borxhit publik kjo vjen tërësisht për shkak të ndryshimit të kursit të këmbimit midis monedhës tonë lekut dhe euros, pjesë e të cilit përbëhet borxhi ynë publik.
Qeveria gjatë këtij vitit 2009 ka marrë një sërë masash të tjera për të përgatitur dhe zhvillimet e vitit 2010 në mënyrë që ato të jenë sa më pozitive dhe përballë presioneve të krizës financiare globale dhe ngadalësimit të ritmeve të zhvillimit të ekonomisë shqiptare të mund të marrë në mbrojtje shtresat më të ekspozuara të shoqërisë nga kjo krizë. Ne bëmë rritjen e pagave, duke përshpejtuar rritjen e pagave të ulëta dhe pensioneve të ulëta gjatë vitit 2009 dhe kjo politikë do të vazhdojë edhe për gjatë vitit 2010. Nga 1 korriku të vitit 2010 do të kemi rritje të pagave dhe pensioneve. Ne rritëm masën e shpërblimit për një sërë kategorish që mbulohen nga programe asistencialiste. Nga ana e qeverisë në muajin prill-maj të këtij viti ne mundësuam rritjen e qenësishme të shpërblimeve asistencialiste për një sërë kategorish që kanë të bëjnë me invaliditetin, me kategori të tjera që përfitojnë prej këtyre skemave me një vlerë vjetore prej 25 milion dollarë. Ne vijuam në fund të këtij viti, edhe pse situata e ngadalësimit të ritmit të të ardhurave në buxhetin e shtetit është tashmë evidente mundësuam që të krijojmë përsëri fondet be nevojshme për shpërblimin në fund viti, duke mundësuar shpërblime edhe për pensionistë, edhe për zyrtarët publikë, një shpërblim i cili varion nga 2500 lekë për pensionistët dhe 10000-15000 lekë për administratën publike sipas kategorive.
Në vijimësi për vitin 2010 buxheti ka programuar që rritja e fondeve për programet sociale të qeverisë për vitin 2010 të jetë më 16%, pra me një rritje shumë herë më e lartë nga rritja e zërave të tjerë të buxhetit. Kjo është bërë për të marrë në mbrojtje pikërisht ata që do të ekspozohen më shumë nga presioni  i krizës financiare globale dhe nga ngadalësimi i përkohshëm i ritmeve të rritjes ekonomike për vendin tonë.
Ne kemi programuar në buxhetin e këtij viti rreth 2.2 miliardë lekë, mbi 25 milion dollarë për të kompensuar tërësisht efektet e mundshme që do të vijnë nga rritja e çmimit të energjisë, e cila është tërësisht një rritje e moderuar dhe që për shtresat më të ekspozuara sigurisht që do të jetë edhe më e simbolike. Megjithatë ne kemi programuar fondet e mjaftueshme për të mbështetur dhe për të financuar tërësisht efektet që vijnë mbi buxhetet familjare nga kjo masë që vjen nga kërkesat dhe zhvillimet e tregut.
Kjo gjendje e ekonomisë shqiptare sa i takon zhvillimeve të saj, tashmë janë tërësisht të njohura dhe janë publike. Në mënyrë transparente qeveria ka të deklaruar edhe në ëebsite-in e saj të gjithë elementet që lidhen me financat e shtetit dhe që lidhen  me buxhetin e shtetit. Për më tepër nëse opozita nuk beson ëebsite-in e Ministrisë së Financave mund t’i adresohet të gjitha të dhënave të tjera zyrtare qoftë të FMN-së, BB-së, Bankës së Shqipërisë dhe të agjencive të tjera financiare që veprojnë në territorin tonë dhe që kanë partneritet me qeverinë shqiptare. Përpjekja për të destabilizuar ekonominë ne e kemi bërë të qartë që do të jetë e dështuar. Nëse opozita kërkon vërtetë që t’i kontribuojë stabilizimit të shpejtë ekonomik dhe rikthimit në ritme të larta të rritjes ekonomike të vendit e ftojmë të vijë në Parlament dhe në institucionet e tjera të vendit. Përpjekja për të destabilizuar ekonominë përmes politikës së rrugës do të jetë tërësisht e dështuar në vend të komiteteve apo organizimeve të ndryshme partiake le t’i adresohet institucioneve për të debatuar me mazhorancën dhe për të kontribuuar në programet e saj për rikthimin e normalitetit dhe zhvillimit të shpejtë të ekonomisë së vendit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›