E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu: Përgjigjet e Pyetësorit brenda 31 marsit të vitit 2010

Bregu deklaron se qeveria do të kapë çdo moment për të dorëzuar në kohën e duhur përgjigjet e Pyetësorit të Komisionit Evropian. Ministrja e Integrimit vuri në dukje se administrata është gati të marrë pjesë këtë proces, pas shumë seancave trajnimi të zhvilluara

Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu dha garancinë sot se përgjigjet e Pyetësorit të Komisionit Evropian do të jenë gati brenda 31 marsit të vitit 2010. “Kalendari i përgjigjes së pyetjeve sipas kapitujve të pyetësorit fillon nga data 16 dhjetor, ndërsa kemi parashikuar fundin e tij më datë 31 mars të viti 2010”, u shpreh Bregu.
Ajo shtoi se qeveria do të bëjë ç’është e mundur që çdo institucion të ketë një periudhë për t’iu përgjigjur pyetjeve me cilësi, por pa zvarritje.
“Motoja jonë kryesore gjatë këtij procesi është cilësia dhe vërtetësia. Ky proces do të ketë ritëm dhe nuk do të ketë ngecje.
Pyetësori përmban 2280 pyetje, të përfshira në 384 faqe dhe që janë të ndara në 33 kapituj. Ndërkohë, ka dy kapituj shtesë, për efekt të pyetësorit, një për kriterin politik dhe një për atë ekonomik”, vuri në dukje ministrja Bregu.
Për përgjigjet e këtij procesi janë të angazhuara 48 institucione, mbi 800 nëpunës civilë, 58 përkthyes, 27 trajnues ndërkombëtarë.
Ministrja tha se janë ngritur 35 grupe pune që funksionojnë pranë institucioneve përkatëse, ndërsa janë trajnuar deri tani 460 nëpunës për një periudhë tremujore.
Ministrja e Integrimit nënvizoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe ratifikimi në kohën e duhur të MSA-së me BE, i japin vendi një katalizator të fuqishëm në rrugën drejt integrimit. Bregu vlerësoi në këtë proces edhe ekspertizën e Kroacisë dhe Maqedonisë, vende të cilat kanë dorëzuar përgjigjet e Pyetësorit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›