KE dorëzon Pyetësorin, Berisha: Dhurata më e çmuar për shqiptarët në këtë fundviti- qeveria do punojë me përkushtim maksimal

Lohan- Opozitës: Angazhohuni urgjentisht në plotësimin e kushteve të KE
Shefi i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmuth Lohan, gjatë dorëzimit të Pyetësorit i apeloi forcave politike, veçanërisht opozitës, për debat konstruktiv parlamentar në kuadër të plotësimit të standardeve integruese në BE. Ndërsa nga ana tjetër, kryeministri Berisha pasi u shpreh i gatshëm për bashkëpunim të hapur me opozitën, ftoi kreun e saj, Edi Rama të përshëndesë këtë moment të rëndësishëm dhe historik për vendin.
Kryeministri Sali Berisha përshëndeti sot dorëzimin e pyetësorit të Komisionit Evropian, nga shefi i delegacionit, Helmuth Lohan, qeverisë shqiptare, si një udhërrëfyes në rrugën e integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Shefi i ekzekutivit u shpreh se ky është një moment tjetër i rëndësishëm pas atij të 16 nëntorit, ku ministrat e Jashtëm të BE miratuan kërkesën e Shqipërisë për statusin kandidat. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Lohan, kryeministri Sali Berisha e vlerësoi dorëzimin e pyetësorit si kartolina më historike për të gjithë shqiptarët. Shefi i ekzekutivit nënvizoi seriozitetin dhe përkushtimin e stafit të tij në plotësimin e këtij pyetësori. Berisha i bëri thirrje kreut të opozitës Edi Rama që bashkarisht të përshëndesin dorëzimin e këtij pyetësori pyetësorit të Komisionit Europian, në kuadër të aplikimit për statusin e vendit kandidat në BE. “Duhet të garantoj se qeveria ime dhe autoritetet shqiptare do të punojnë me përkushtim të madh, me një gjithëpërfshirje të spektrit politik, të shoqërisë civile, të grupeve të interesit, në mënyrë që përgjigjet që do t’i dërgohen KE-së të jenë më të vërtetat e të vërtetave. Ftoi sot kryetarin e PS-së, Edi Rama, që bashkarisht të përshëndesim në një konferencë shtypi këtë moment historik për të gjithë shqiptarët, si një dëshmi e vullnetit të përbashkët të forcave politike, për të kontribuar në procesin e integrimit të vendit në BE. Ju siguroj se qeveria mbetet shumë e hapur për të dëgjuar zërin e opozitës”, u shpreh kryeministri Berisha. Ashtu siç edhe u paralajmërua një muaj më parë, pikërisht më 16 nëntor ditën kur ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian miratuan kërkesësn e Shqipërisë për statusin kandidat, Komisioni Evropian i dorëzoi sot në mesditë qeverisë shqiptare pyetësorin me 2280 pyetje. Ky hap i rëndësishëm i vendit në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, është një tregues i qartë i mbështetjes ndërkombëtare ndaj qeverisë “Berisha” dhe reformave madhore të saj në kohë rekord. Shefi i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmuth Lohan i dorëzoi pak minuta më parë kryeministrit Sali Berisha dokumentin më të rëndësishëm të procesit të integrimit në BE, pyetësorin me 2280 pyetje në 384 faqe. Përfaqësuesi i lartë i KE në vendin tonë, Lohan deklaroi gjatë një konference të pëbashkët për shtyp me kryeministrin Berisha se ky është një moment themelor për të ardhmen e Shqipërisë dhe se KE po vlerëson angazhimin serioz të qeverisë shqiptare në përpjekjet e saj demokratike drejt Bashkimin Evropian. “Shqipëria po shënon hapa pozitivë në treguesit e saj të reformave dhe mund të them se dorëzimi i pyetësorit është një tregues i seriozitetit që KE po përpiqet të kuptojë në mënyrë gjithëpërfshirëse, për përgatitjen e Shqipërisë”, u shpreh Lohan. Ai e konsideroi tepër të rëndësishëm bashkëpunimin politik në këto momente të rëndësishme, ndërsa i apeloi opozitës që të shohë me seriozitet angazhimin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian. “Ecuria drejt BE kërkon reforma të mëtejshme dhe të vështira që duhet të bëhen në konsensusin më të thellë të mundshëm mes forcave politike në Shqipëri. Vendi për debatin politik është brenda në parlament, e theksojmë edhe një herë këtë fakt. E për ta thënë atë me deklaratën e nxjerrë nga Bashkimi Evropian, u bëjmë thirrje të gjitha forcave politike në vend që të zhvillojnë një debat konstruktiv në parlament”, tha Lohan, duke iu referuar situatës politike dhe bojkotit parlamentarë të opozitës. Lohan uroi publikisht që ngërçi politik i krijuar të kalohet para ose në fillim të vitit të ardhshëm në mënyrë që Shqipëria të ecë para ashtu siç dëshirojnë të gjithë shqiptarët drejt procesit të integrimit. Duke iu referuar edhe njëherë pyetësorit të BE, theksoi rëndësinë tepër të madhe të atyre që në Pyetësor quhen kritere politike, apo institucioneve demokratike, shtetit të së drejtës, respektin për pakicat dhe minoritetet. Sipas tij, Komisioni Evropian do t’i analizojë përgjigjet e dhëna me kujdesin më të madh dhe do të përpiqet të analizojë ecurinë që është bërë në këta sektorë dhe bëhet fjalë për ato aspekte që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
...